E mërkurë, 16 Korrik, 2025

MICKOSKI AKUZON PËR TRADHËTI, LSDM-ja FLET PËR PATRIOTIZËM

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, këtë enjte, la të kuptohet mazhoranca është komode, komfore, me një mbështetje parlamentare prej rreth dy të tretave për Qeverinë. Mirëpo, ai pranoi problemin e sigurimit të  shumicës së Badinterit dhe, për dallim nga partnerët e tij nga grupimi politik VLEN, nuk qe në gjendje të thotë gjë se si do t’ia dalë ta sigurojë këtë: Shumica e Badinterit nuk nevojitet për të gjitha ligjet që pritet të miratohen, disa nxirren me votat e „80 deputetëve, me dy të tratat”, – tha kreu i ekzekutivit maqedonas. Me fjalë të tjera, shefi i qeverisë do të duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën shqiptare e cila, tani, është e përforcuar edhe me deputetë të grupimit të Arben Taravarit. Fronti Evropian në ballë me BDI-në, sikundër dihet, ka lënë të kuptohet se nuk ka për të lëshuar pe, – njofton kdp.mk

Në të njëjtën kohë duket se, në prag të zgjedhjeve lokale, po ashpërsohet retorika mes Qeverisë (lexo: VMRO-DPMNE-së) dhe LSDM –së për çështje që lidhen me politikën e jashtme dhe saktësisht me marrëdhëniet me fqinjët. Ishte pjesëmarrja e liderit të socialdemokratëve maqedonas, Venko Filipçe, në një konferencë ndërkombëtare të organizuar në Greqi, ajo që shpërfaqi pezmin e kryeministrit Mickoski. Po në fakt, çfarë tha Filipçe për Marrëveshjen e Prespës që zhbllokoi procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë, tanimë të Veriut? Sipas tij, falë vullnetit të atëhershëm politik dhe bashkëpunimit mes kryeministrave të të dyja vendeve, Zoran Zaev e Aleksis Tsipras, u tejkalua kontesti shumëvjeçar që bllokoi rrugën e shtetit për në NATO:

„Marrëveshja e Prespës zgjidhi problemin prej dekadash midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe e mundësoi Maqedonisë të bëhet anëtare e NATO-s, për fat të kkeq nuk u bëmë edhe e Bes-së. Mirëpo, ambicia ende është këtu, por se tani kemi një qeveri djathtiste në vendin tone  e cila nukk ka vukllnet ta ta shtyjë vendin përpara dhe kjo tani është sikurse vakksina që morëm me NATO-n, kurse tani nuk e morëm dozen e dytë”, – citon media maqedonase të ketë thënë kreu i socialdemokratëve maqedonas, Filipçe. Sakaq, për Hristijan Mickoskin, ajo që bëri qeveria e kaluar LSDM-BDI nuk është as më shumë e as më pak se akt “përçmimi e tradhëtie”:

“Maqedonia nuk do të jetë më vend i poshtërimit dhe tradhtisë. Politika jonë e jashtme është dinjitoze, parimore dhe bazohet në mbrojtjen e historisë, kulturës dhe identitetit tonë të përbashkët. Nuk mund të lejojmë që të na spunojnë jashtë ata të cilët duhet të jenë gardianë të  interesave kombëtare. Dhe, të mos mendojnë se premtimet për lëshime, degradime dhe poshtërime do t’i sjellin përsëri në Qeveri. Populli është i ndërgjegjshëm dhe nuk do ta lejojë të mashtrohet sërish. Ajo që bëri Venko Filipçe në Athinë vetëm na rikujtoi se spiunimi i vendit tonë nuk është i huaj dhe nuk guxon të harrohet, për të mos u përsëritur”, – deklaroi Mickoski, duke nënvizuar: “Ne tani po ndërtojmë, luftojmë, përpiqemi nëpër të gjithë botën, ndërsa ai me një deklaratë thotë: ‘unë pranoj gjithçka, çfarëdo që do të më vendosni në tryezë, ma jepni të firmos, vetëm më ktheni në pushtet, të jem kryeministër,” – ka pohuar Mickoski.

Në të njëjtën kohë, LSDM-ja, përcjell kdp.mk, ka dalë në mbrojtje të liderit të vet. Sipas saj Filipçe ka bërë në Athinë një akt patriotik, ndërsa kryeministrin e akuzuan se është trashëgimtar i strukturës vërhoviste në VMRO që nuk ka luftuar për Maqedoninë e Pavarur:

“Ajo që Mickoski po përpiqet të vendosë – një diktaturë autoritare në Maqedoni – dhe që në skenën ndërkombëtare u zbulua ky qëllim i tij, nuk është “kodoshllëk”, por është patriotizëm. VMRO-ja, Lufta Nacionalçlirimtare dhe KAÇÇKM-ja janë gjeneza luftëtarësh kundër diktaturës, regjimeve autoritare dhe vërhovistëve. Të jesh autoritar do të thotë të jesh vërhovist e kurrsesi patriot,” – deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM./KDP/

Të fundit