E mërkurë, 16 Korrik, 2025

FJA HAP THIRRJEN GLOBALE PËR APLIKIME ME SHPËRBLIME PREJ 640,000 DOLLARËSH

Gazetarë dhe media nga e gjithë bota janë të ftuar të aplikojnë për raundin e fundit të Çmimeve të Gazetarisë Fetisov (FJA), çmimi më i pasur në botë për gazetari, përcjell KDP.

Aplikimet janë të hapura në katër kategori: Gazetari Hulumtuese, Kontribut i Jashtëzakonshëm për Paqen, Ekselencë në Gazetarinë Mjedisore dhe Kontribut për të Drejtat Civile. Fondi total i çmimeve arrin në 520,000 franga zvicerane (rreth 640,000 dollarë amerikanë).

“FJA është një çmim global unik,” tha Aidan White, Këshilltar Nderi i çmimeve. “Ai jepet nga gazetarët për gazetarët, pa ndikim nga interesa korporative, politike apo të veçanta.”

White shtoi se çmimet vijnë në një kohë kritike për gazetarinë e pavarur. “Sfidat me të cilat përballet sot gazetaria dhe demokracia janë të paprecedentë. FJA është një mundësi për të festuar ata që i kërkojnë llogari të fuqishmëve dhe e thonë të vërtetën pa kompromis. Kjo gazetari është më e nevojshme se kurrë.”

Afati për aplikime është 15 shtator 2025. Finalistët do të shpallen në fund të vitit, ndërsa fituesit do të bëhen të ditur në një ceremoni ndërkombëtare më 22 prill 2026. Detajet e aplikimit mund të gjenden në www.fjawards.com.

Çmimet FJA janë themeluar në vitin 2019 dhe mbështeten nga organizata ndërkombëtare si Federata Evropiane e Gazetarëve, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Reporterët pa Kufij dhe Rrjeti për Gazetari Etike.

Fituesit e vitit 2024, të shpallur në Dubai, përfshinë gazetarë nga Argjentina, Brazili, Kanadaja, Kolumbia, Ekuadori, Gjermania, Holanda, Peruja, Senegali, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Venezuela.

Çmimet financohen nga Fondacioni Bamirës Fetisov, i krijuar në Zvicër nga familja e Gleb Fetisovit, një biznesmen, filantrop dhe producent filmi nga Rusia.

“Fituesit tanë janë ambasadorë të gazetarisë më të mirë,” tha White. “Këtë vit planifikojmë aktivitete të reja, përfshirë trajnime mbi etikën dhe debate editoriale për të promovuar punën e tyre dhe ndikimin që ajo ka.”

Gjatë ceremonisë së këtij viti, u formua edhe Rrjeti i Ekspertëve dhe Fituesve të FJA, i cili do të udhëheqë zgjerimin e mëtejshëm të iniciativës në vitet në vijim.

“Fituesit dhe ekspertët tanë janë garantues të ekselencës, pavarësisë dhe profesionalizmit në punën e FJA-së,” tha White. “Ata përfaqësojnë gazetarë të guximshëm që do të mbrojnë median e pavarur dhe të drejtën e qytetarëve për të ditur. E ardhmja e gazetarisë është në duar të sigurta.”

Të fundit