Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë përplasjet mes partive, të shoqëruar me akuza të ndërsjella dhe retorikë të ashpër politike. Bashkimi Demokartik për Integrim, në opozitë, ka akuzuar koalicionin VLEN për “vetëposhtërim përballë kryeministrit” dhe për “nënshtrim ndaj vullnetit të forcave maqedonase”, duke e cilësuar situatën aktuale si përjashtim të vazhdueshëm të shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Nga ana tjetër, VLEN e ka cilësuar BDI-në si “simbol të korrupsionit dhe krimit”, ndërsa për kryetarin njërit krah të Aleancë për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përdorur etiketimin “dezertor”, duke e akuzuar se po përpiqet të “kontrabandojë mandatet e fituara në emër të ndryshimit për t’u rikthyer te Ali Ahmeti”, transmeton KDP.MK.
“Çdo ditë dëgjojmë – jo vetëm nga Kryeministri, por edhe nga përfaqësues të VMRO-së dhe partnerë të tjerë maqedonas – kush me kë guxon të bisedojë, kush me kë mund të bashkëpunojë dhe kush me kë është kapur duke u takuar. Partnerët shqiptarë poshtërohen publikisht, sikur të ishin fëmijë që kanë bërë gabime, e detyrohen të japin llogari para mediave për plane të tyre politike, për takime apo për ide të cilat nuk ua ka aprovuar Mickoski. Këto parti harrojnë se mandatin nuk ua jep Hristijan Mickoski, por votuesi shqiptar – i cili, në fakt, nuk ua dha fare”, thonë nga BDI.
Prandaj, thonë nga partia e Ahmetit: “kemi të drejtë t’i pyesim: ndërsa ju qortoheni si nxënës para mësuesit”:
- A ju konsultoi dikush, për shembull, kur ai zhvilloi takim monoetnik me kryetarin e LSDM-së brenda Qeverisë për të diskutuar për të ardhmen e shtetit?
- A ju informuan për grupet e punës që i paralajmëruan publikisht?
- A është e pranueshme që partitë maqedonase të flasin për çështje shtetërore në mënyrë të hapur, ndërsa partitë shqiptare duhet të kërkojnë leje për çdo lëvizje?
Kur bëhen emërime të larta shtetërore, a ju pyet ndonjëherë dikush? - Apo nuk ju shqetëson që në pozitat kyçe vendosen figura të njohura për qëndrime antishqiptare, pjesë të agjendave proruse dhe të botës serbe? A është kjo në rregull për ju, apo standardet vlejnë vetëm për shqiptarët?
SHIH EDHE KËTË:
Nga ana tjetër, koalicioni i tre partive shqiptare në Qeveri, VLEN akuzon se kreu i ASH-së Taravari u vodhi pesë mandate qytetarëve në emër të ndryshimit, dhe tani, siç thonë, po tenton “t’i dërgojë në kazanin e BDI-së ku vlon krimi dhe korrupsioni!”.
“Në këtë kazan ku ziheshin planet anti-shqiptare, “begu” i Gostivarit, Arben Taravari, ka ndarë mendjen të shkojë. Më keq se kaq, po tenton të kontrabandojë edhe mandatet e deputetëve të cilët i fituan në emër të ndryshimit. Nuk është kohë e gjatë vetëm një vit më herët, në po këtë muaj të vitit që lamë pas derë më derë kandidatët për deputetë atëkohë e sot deputetë të ASH-së, të mbështjellur nën logon e VLEN-it, u thonin qytetarëve “ne jemi ndryshimi”, ne nuk shkuam me BDI-në. Ziadini është tradhtari se ai po tenton t’ia zgjat pushtetin BDI-së. Qytetarët e thanë fjalën e tyre, votuan për ndryshimin. Ndryshimi erdhi. Taravari dezertoi, por për një dezertor i ligë nuk duhet të rreshtohet gabimisht e tërë ushtria. Dezertori jo vigjilent nuk duhet të determinojë orientimin e një ushtrie të denjë, të pastër, me qëllim konkret. Tani është koha për reflektim, të gjithë deputetët, anëtarët, aktvistët të pozicionohen në anën e duhur aty ku ishin”, thonë nga VLEN.
Çfarë po ndodh në koalicionin VLEN?
Skena politike në Maqedoninë e Veriut po përballet me tensione të reja, që nisën më 16 prill, pas zhvillimeve që prekën drejtpërdrejt koalicionin qeverisës shqiptar – VLEN, kur lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, bëri të ditur se në zgjedhjet lokale të vjeshtës do të garojë i vetëm me kandidatët e tij.
Kjo lëvizje shkaktoi reagime brenda koalicionit, me akuza se Taravari kishte bërë marrëveshje me liderin e BDI-së opozitare, Ali Ahmeti.
Për këtë arsye, VLEN vendosi ta përjashtojë Taravarin nga koalicioni.
Nëse ai do të largohet edhe nga posti i ministrit të Shëndetësisë, do të vendosë kryeministri Hristijan Mickoski, brenda muajit maj.
SHIH EDHE KËTË:
Ndërkohë, koalicioni VLEN tashmë është transformuar në një parti politike.
Grupi parlamentar i VLEN-it, me gjithsej 14 deputetë, ende nuk ka marrë vendim për mënyrën e veprimit në Kuvend, nëse Taravari bashkë me pesë deputetë të tjerë largohen nga koalicioni.
Ka shumë spekulime për orientimin e këtyre deputetëve – nëse do të qëndrojnë në VLEN apo do t’i bashkohen opozitës – çka do të ndikonte edhe në shumicën e Badenterit, të domosdoshme për miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë përkrahjen e komuniteteve etnike.
Aktualisht, grupi parlamentar i VLEN-it përbëhet nga pesë deputetë të Aleancës për Shqiptarët, tre nga Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, dy nga Lëvizja BESA dhe një deputet i pavarur i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës.
Ngjarjet e fundit kanë hapur diskutime në skenën politike nëse përçarjet në koalicionin shqiptar mund të çojnë në rikonstruim të Qeverisë ose në zgjedhje të parakohshme, krahas zgjedhjeve lokale.
SHIH EDHE KËTË:
I pari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, që është pjesë e koalicionit VLEN, tha për Arben Taravarin se do të jetë ministër i Shëndetësisë edhe ndonjë ditë, duke u lënë hapësirë spekulimeve se ASH-Taravari do të largohet nga Qeveria.
“Do e shohim deri kur, edhe ndonjë ditë. Ne po e shohim në opinion se ministri Arben Fetau është mendimi ndryshe nga disa vendime të kryetarit të Aleancës. Ne urojmë që ky zë ndryshe në Aleancë të jetë i fuqishëm dhe sigurisht ne edhe njëherë do të dëshironim që Aleanca për Shqiptarët të jetë pjesë e koalicionit VLEN, pjesë e qeverisë, por në asnjë moment me element të cilët kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojmë me Ali Ahmeti dhe BDI-në”, tha Kasami.
Ndërkohë, Taravari ka deklaruar hapur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Në zgjedhjet parlamentare të majit 2024, koalicioni VLEN siguroi 14 mandate dhe aktualisht është pjesë e qeverisë. Ndërkaq, Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI, 18 mandate. VLEN ia doli ta largojë BDI-në nga pushteti, pas gati dy dekadash qeverisje dhe bashkëpunimi si me VMRO-DPMNE-në ashtu edhe me LSDM-në