Shkruan: Nikica Korubin
Në prag të 17-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës për Partneritet Strategjik me SHBA-të në vitin 2008, që tradicionalisht dhe solemnisht shënohet çdo vit, le të rikujtojmë disa elemente kyçe që lidhen me mbështetjen amerikane për “një Maqedoni multietnike brenda kufijve të saj ekzistues”, e cila si “shtet demokratik, i sigurt dhe i prosperuar është me rëndësi jetike për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia konfirmojnë mbështetjen e tyre për parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, objektivat dhe parimet e Kartës së OKB-së, dhe për një Maqedoni unitare e multietnike, brenda kufijve të saj ekzistues.
Maqedonia dhe SHBA-të theksojnë se një Maqedoni demokratike, e sigurt dhe e prosperuar, me marrëdhënie miqësore e konstruktive me fqinjët, dhe si pjesëmarrëse aktive në forumet rajonale e ndërkombëtare politike, ekonomike dhe të sigurisë, është me rëndësi jetike për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.”
– Deklarata për Partneritet Strategjik dhe Bashkëpunim ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës së Maqedonisë, Uashington, 7 maj 2008
Megjithatë, ndërsa afrohet 7 maji, përvjetori i kësaj marrëveshjeje mund të errësohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi një nga shtyllat e garancisë kushtetuese për multietnicitetin – Marrëveshja e Ohrit. Pas shfuqizimit të mekanizmit të balancës, që zbatohej në administratë me rigorozitet, tani po flitet për mundësinë e shfuqizimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe për finalizimin e këtij procesi me heqjen e mekanizmit kryesor – shumicës së Badenterit.
Deri më 7 maj, ky aspekt i partneritetit strategjik do të respektohet po aq sa është respektuar e përmendur ky partneritet gjatë dy dekadave të fundit. Pra, aspak.
Prandaj, meqë veprat duhet të ndjekin fjalët, dhe duke qenë se partneriteti strategjik me SHBA-të bazohet në këtë deklaratë konkrete, por edhe në një sërë vendimesh ekzekutive amerikane për zbatimin e pandërprerë e të qëndrueshëm të Marrëveshjes së Ohrit, është e pritshme që të gjithë mbështetësit pro-SHBA, pavarësisht rolit të tyre në shoqëri (analistë, gazetarë, profesorë) apo funksionit të zgjedhur ose të emëruar që mbajnë (deputetë, ministra, gjyqtarë), të jenë plotësisht në përputhje me deklaratën dhe të mos e minojnë atë në asnjë mënyrë.
Dhe meqë e vetmja parti politike që flet publikisht për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe për rolin e saj ekzistencial në mbijetesën dhe funksionalitetin e Maqedonisë së Veriut është BDI, është e natyrshme që të gjithë të qëndrojnë pas fjalëve të saj për Marrëveshjen e Ohrit dhe nga pozicioni i tyre ta zbatojnë atë me përpikëri. Deputetët në parlament, ministrat në qeveri, gjyqtarët në gjykata, gazetarët në media.
Fakti që muajt e fundit janë shkruar dhjetëra artikuj gazetareskë, janë shprehur qindra opinione analitike dhe janë hedhur mijëra gjykime politike për satanizimin, diskreditimin dhe përjashtimin e një subjekti politik, i cili në praktikë, dhe jo vetëm me fjalë, respekton partneritetin strategjik me SHBA-të – nuk duhet t’ju habisë. Përkushtimi dhe konsistenca e këtyre veprimeve pro-SHBA nuk mund të vihet në dyshim.
Nga fjala në vepër – ekziston një hendek i dukshëm. Dhe më e rëndësishmja, ai hendek ekziston mes asaj që është shkruar dhe asaj që është pranuar në deklaratën për partneritet strategjik me SHBA-të. Ky dokument duket se trajtohet njësoj si të gjitha marrëveshjet kyçe për shtetin tonë – me relativizim dhe mohimi.
Prandaj, në përputhje me partneritetin strategjik me SHBA-të, për të ruajtur një “Maqedoni multietnike, demokratike, të sigurt dhe të prosperuar”, që është “me rëndësi jetike për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”, Gjykata Kushtetuese duhet të mbyllë çështjen e hapur për Marrëveshjen e Ohrit, të hedhë poshtë çdo iniciativë për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të anulojë vendimin për heqjen e balancës dhe të mos vërë në pikëpyetje në asnjë formë shumicën e Badenterit dhe të drejtën për të shprehur përkatësinë etnike. Sepse, a nuk është mbrojtja e kushtetutës dhe e partneritetit strategjik me SHBA-të detyra e saj?
Është gjithashtu e pritshme që ata që në skenën politike, mediatike dhe shoqërore mbrojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe partneritetin strategjik me SHBA-të – qoftë BDI apo ndonjë subjekt tjetër – të mos jenë viktima të linçimit publik për shkak të përpjekjeve të tyre për të mbrojtur kushtetutën dhe marrëveshjen strategjike me SHBA-të.
Dhe sigurisht, është e pritshme që mbajtësit aktualë të funksioneve publike, të zgjedhur e të emëruar për të qeverisur shtetin dhe për të mbrojtur rendin kushtetues, të respektojnë, mbrojnë dhe zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe të gjitha marrëveshjet e tjera (Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë) që mbështeten nga partneri strategjik – SHBA.
Që Maqedonia e Veriut të mbetet një “shtet demokratik, i sigurt dhe i prosperuar, me marrëdhënie miqësore e konstruktive me fqinjët”, siç thuhet në deklaratën e partneritetit strategjik me SHBA-të. Pra, ndryshime kushtetuese menjëherë dhe fillimi i negociatave me BE-në. Nga fjalët në vepra. Zbatim praktik i vlerave mbi të cilat bazohet partneriteti strategjik me SHBA-të, në nivel lokal, rajonal dhe evropian.