E martë, 25 Mars, 2025

DOKTRINA TRUMP – SI DO TA NDALË LUFTËN NË UKRAINË?

Ditë më parë tha se ka marrë garanci nga Putini do ta ndalë luftën pasi qenka i interesuar për paqe. Pas disa vitesh ngrirje të marrëdhënieve Washington-Moskë, Trump pritet të realizojë takimin e parë me Putinin në Riad të Arabisë Saudite…

Shkruan: Xhelal Neziri

Pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, në nisje të mandatit të parë presidenti amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë kishte pritur mendimtarin, shkrimtarin, teoricienin dhe ish-sekretarin e shtetit Amerikan, atëbotë 97-vjeçarin Henry Kissinger. Duke marrë parasysh profilin e Kissinger si ithtar i real-politikës dhe qasjes pragmatike në zgjidhjen e problemeve në botë, ky takim sikur paralajmëroi Doktrinën Trump. Në vitin 2020 Trump dështoi të fitojë edhe një mandat, ndërkohë që tre vite më vonë Kissinger ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare.

MCKINLEY SI MODEL

Në fillim të mandatit të dytë, Trump duket se do ta vazhdojë rrugën e nisur nga mandati i parë. Përveç Kissingerit, në paraqitjet e para Trump paralajmëroi se do të ndjekë vizionet edhe të një burrështetasi amerikan nga e kaluara. Bëhet fjalë për presidentin 25-të të SHBA-ve, William McKinley, i cili shërbeu nga viti 1897 e deri në vrasjen e tij në vitin 1901. Ai mbahet mend për fitoren e paparë ndaj spanjollëve, e cila zgjati nga prilli deri në gusht të vitit 1898 dhe rezultoi me marrjen nën kontroll të disa kolonive spanjolle, si Guamin, Filipinet, Kubën dhe Porto Rikon. Përveç kësaj, Spanja detyrohet t’i paguajë SHBA-ve 20 milionë dollarë amerikanë, sot të barasvlershëm me 760 miliardë dollarë. Përveç politikës kolonialiste, McKinley njihet edhe për politikën e tarifave të larta për mbrojtjen e prodhimeve vendase, që i kanë sjellë SHBA-ve një zhvillim të paparë ekonomik. Proteksionizmi me tarifa i McKinley-it por edhe politika kolonialiste (siç përmendi Kanadanë, Greonlandën dhe Gazën) duket se do të ndiqet si shembull edhe nga Trump-i.

Doktrina përfshin një grup të besimeve që burojnë nga ideologjia e partisë apo shtetit, me legjitimitet të fituar në zgjedhje. Doktrina e Donald Trump-it në mandatin e parë bazohej në të ashtuquajturin “realizëm parimor”, ku para intervenimit ushtarak duhet provuar që vendet problematike të shtyhen (me presion dhe sanksione) drejt ndryshimeve pozitive (Kore e Veriut, Iran, Kinë…) dhe të mbrohet interesi amerikan. Tani e njëjta qasje definohet si “përdorim i fuqisë për paqe”. Në sferën e politikës së jashtme, kjo doktrinë vazhdon të mbështetet në sloganin “America First”.

Çdo president amerikan ka doktrinën e tij të politikës së jashtme. Vendet e vogla nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë në këto strategji, e aq më pak t’i ndryshojnë. E vetmja gjë e mençur që mund të bëjnë është të jenë partner konstruktiv, i sinqertë dhe i përkushtuar në zbatimin e tyre. Pra, të shohin interesin e tyre në korniza të atyre strategjive. Kuptohet, nëse dëshirojnë të jenë në aleancë me SHBA-në, si fuqi më e madhe globale.

Edhe pse ruajnë një konstantë të njëjtë vlerash demokratike, mbi të cilat është ngritur dhe funksionon shteti amerikan, doktrinat e presidentëve të ndryshëm dallojnë në parimet, interesat dhe qasjet që përdorin në politikën e jashtme.  “Doktrina Bill Clinton” kishte fokusin në ndaljen e gjakderdhjes në ish-Jugosllavi dhe me një fjalë përmblidhej  kësisoj: “Duhet të jemi kudo dhe të bëjmë gjithçka që të ndalim luftërat”. Kjo solli intervenimin ushtarak në BeH, Kosovë dhe në disa vende afrikane.

Doktrina e George W. Bush kishte dy komponentë: unilateralizmin dhe intervenimet ndaj një lufte të paragjykuar (goditje armikut  para se ta fillojë një luftë). Njohja e Kosovës ishte një intervenim para se Rusia të forconte pozicionet në Ballkan.

Barack Obama zbatoi doktrinën “negociata dhe tentim për ndryshime pozitive para konfrontimit dhe aksioneve unilaterale”. Ballkani nuk ishte dhe aq në agjendën e kësaj doktrine, ndërkohë që ndryshime pozitive tentoi të nxisë me Pranverën Arabe dhe përkrahjen e forcave demokratike në vendet diktatoriale dhe autokratike.

Doktrina Biden, ndërkaq, nënkuptonte “përdorimin e diplomacisë me mbështetje të forcës” dhe “unifikimin e Perëndimit demokratik kundrejt Lindjes autokratike e diktatoriale”.

Pra, kohërat dhe doktrinat amerikane kanë ndryshuar.

MARRËDHËNIET ME PUTININ

Trump-i duket se ka një qasje unike: ai do t’i shohë si partnerë dhe miq vetëm liderët e fortë, me fuqi të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të mëdha. Vendosja e interesit amerikan në plan të parë do ta fokusojë atë kryesisht në sfidat më të mëdha për SHBA-të, siç është Rusia, Kina dhe Irani.

Me presidentin e Federatës Ruse, Vlladimir Putin, ai tashmë ka vënë kontaktet e para. Ditë më parë tha se ka marrë garanci nga Putini do ta ndalë luftën pasi qenka i interesuar për paqe. Pas disa vitesh ngrirje të marrëdhënieve Washington-Moskë, Trump pritet të realizojë takimin e parë në Riad të Arabisë Saudite. Nuk dihet data e saktë, e as se cilat kushte i ka Moska që të mundësojë paqen. I pyetur nga gazetarët se pse në takim nuk ftohet edhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, Trumpi nuk dha përgjigje të qartë. Vetëm se la të kuptohet se për fatin e Ukrainës do të flasin vetëm ai dhe Putin. Kalimthi nënvizoi se edhe Zelensky është i interesuar për paqe.

Ajo që thuhet ta ketë detyruar Putinin që të pranojë një plan paqeje është kërcënimi i Trump-it se do të urdhërojë Arabinë Saudite dhe vendet tjera të OPEC që të prodhojnë sasi rekorde të naftës dhe gazit, gjë që do të ulte në minimum çmimin e tyre në tregun global. Kjo do të godiste goxha Rusinë, e cila afër 70 për qind të buxhetit e mbush nga shitja e këtyre lëndëve energjike. Thjesht thënë – nëse çmimi i tyre ulet për 50 për qind, atëherë deficiti buxhetor i Rusisë do të ishte i papërballueshëm. Me një fjalë – do të bankrotonte shteti. Sanksionet e vendosura nuk funksionuan. Rusia gjeti mënyra të eksportojë, madje edhe më shumë, naftë dhe gaz nëpërmjet vendeve të treta, si për shembull India. Nafta e papërpunuar ruse eksportohej në rafineritë e Indisë dhe më pas, e rafinuar, eksportohej si naftë indiane, edhe pse India nuk shquhet për burime nafte.

Përveç strategjisë së pompimit masiv të naftës dhe gazit, Trumpi duket se do ta garantojë Putinin se Ukraina nuk do të bëhet asnjëherë anëtare e NATO-s. Këtë e ka deklaruar disa herë në paraqitjet publike. Ndërkohë që mbetet i paqartë fati i territoreve të pushtuara nga Rusia. Nuk përjashtohet që qasja e Trump-it të jetë “territor për paqe”, një formulë që në vitin 1940 i vuri pikë luftës Ruso-Finlandeze. Në atë luftë Finlanda humbi 20 për qind të territorit dhe qytetin Vyborg, i banuar me mbi 400 mijë finlandezë, që më pas u detyruan të lëshojnë qytetin. Aktualisht Rusia kontrollon poashtu 20 për qind të territorit ukrainas, ku jetojnë 8 milionë nga gjithsej 41 milionë shtetas të Ukrainës. Formula “territor për paqe” mund të nënkuptojë edhe shkëmbim territoresh midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ky do të ishte një presedan që do të shihej si zgjidhje edhe të problemeve tjera territoriale në Botë, përfshirë edhe ato në Ballkan. Prandaj ky moment duhet parë me shumë seriozitet dhe kujdes nga politika e vendeve të gadishullit, i cili historikisht njihet si burim i përhershëm konfliktesh.

 

Të fundit