Kësaj radhe, Albin Kurti fitoi pa premtuar bashkimin kombëtar, pa një Lëvizje Vetëvendosje të fortë (pasi gjithçka ishte periferike në raport me figurën e tij) dhe duke përballuar koston e konsumit të pushtetit katërvjeçar, gjatë të cilit nuk realizoi thuajse asgjë nga premtimet e dhëna. Megjithatë, ai arriti të imponohet me diskursin e idealitetit dhe drejtësisë politike, duke lënë në hije fushatat më racionale dhe pragmatike të LDK-së dhe PDK-së.
Shkruan: Lorik Idrizi
Nëse analizojmë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe historikun e zgjedhjeve në Kosovë, mund të konstatojmë se po hyjmë në një epokë politike të Albin Kurtit, ashtu siç dikur ishin epokat e Rugovës dhe Thaçit. Nga ajo që pasqyrohet në kutitë e votimit, jozyrtarisht rreth 41% e qytetarëve të Kosovës kanë votuar për Kurtin – kësaj radhe jo për të ndëshkuar të tjerët, por për ta zgjedhur atë, edhe pse pa i dhënë 51% të pushtetit të plotë. Kjo përbën një ndryshim thelbësor nga zgjedhjet e vitit 2021, kur vota qytetare ishte kryesisht ndëshkuese ndaj establishmentit politik, duke e çuar atë drejt pragut të asgjësimit.
Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte momentum-in politik të vitit 2021 dhe nuk kishte sinergjinë me Vjosa Osmanin. Madje, nuk pati as ndonjë zhvillim të rëndësishëm në aspektin ekonomik dhe shoqëror, dhe megjithatë arriti të sigurojë 41% të votave. Rënia ishte dukshëm më e vogël nga sa pritej.
Kësaj radhe, Albin Kurti fitoi pa premtuar bashkimin kombëtar, pa një Lëvizje Vetëvendosje të fortë (pasi gjithçka ishte periferike në raport me figurën e tij) dhe duke përballuar koston e konsumit të pushtetit katërvjeçar, gjatë të cilit nuk realizoi thuajse asgjë nga premtimet e dhëna. Megjithatë, ai arriti të imponohet me diskursin e idealitetit dhe drejtësisë politike, duke lënë në hije fushatat më racionale dhe pragmatike të LDK-së dhe PDK-së.
Nëse e analizojmë sipas prizmit të Foucault i cili e trajton fuqinë e diskursit si një mënyrë përmes së cilës fuqia manifestohet dhe ruhet në shoqëri. Sipas tij, diskursi nuk është thjesht një mënyrë për të shprehur mendime, por një mekanizëm që formëson dijen, identitetin dhe marrëdhëniet e pushtetit.
Qytetarët e Kosovës duket se kanë gjetur te Kurti personifikimin e dijes dhe idealitetit, aq sa asgjë racionale në fushatat e kundërshtarëve politikë nuk u bënë përshtypje. Diskursi i pakorruptueshmërisë dhe përpjekjeve kryeneçe për drejtësi që ai promovon ka triumfuar mbi ofertat për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Një analogji që mund të bëjmë me Ibrahim Rugovën mund të ndihmojë në shpjegimin e këtij fenomeni: sociologjia votuese e Kosovës tregon se qytetarët shpesh besojnë në epoka politike. Gjatë kohës së presidentit Rugova, shumë politika të momentit nuk kishin peshë vendimtare, pasi ai përfaqësonte idealin e lirisë. Duket se qytetarët e Kosovës, edhe sot, janë të gatshëm t’i amnistojnë gabimet politike të Kurtit duke e parë atë si figurën e idealitetit politik që vendi ka nevojë në këtë kontekst. Me Rugovën, kjo strategji rezultoi e suksesshme – mbetet për t’u parë nëse historia do të përsëritet edhe kësaj radhe.