Shkruan: Arben Malaj
“Të djegur nga rritja e çmimit të sendeve ushqimore, votuesit, u ndjenë të shtypur dhe kërkuan ndryshim.”
Mazhorancat nuk fitojnë kur votuesit janë më të varfër. Pas fitores së Presidentit Trump dhe humbjes së thellë të demokratëve, do të ketë shumë analiza të thelluara të faktorëve sipas shkallës së ndikimit në rezultatin e zgjedhjeve. Duket se inflacioni i lartë është faktori më ndikues, për sa u përket të ardhurave personale, miliona prej votuesve vlerësonin se ishin më mirë nën udhëheqjen e Trump sesa me Biden. Ndërsa gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump inflacioni ishte mesatarisht 1.9%, gjatë Presidentit Biden inflacioni ishte rreth 5.2 % ose rreth 2.6 herë më i lartë. Por në afatgjatë inflacioni nën presidentët demokratë ka qenë mesatarisht 2.89 për qind, ndërsa nën republikanët ka qenë 3.44 për qind. Një inflacion i lartë zvogëlon të ardhurat e disponueshme të votuesve amerikanë, prandaj ata u ndjenë më të varfër se gjatë presidencës Trump.
Ish-Presidenti Reagan e karakterizon inflacionin1 si një grabitës, një grabitës të dhunshëm dhe madje edhe si vdekjeprurës, për shkak se inflacioni i lartë sjell automatikisht më shumë të ardhura inflacioniste në buxhet, por grabit të ardhurat e disponueshme të shtresës së mesme, pensionistët dhe si dhe përfituesve të programeve sociale, kundër varfërisë, pa aftësisë fizike dhe papunësisë.
Një gazetar anglez pak ditë përpara zgjedhjeve kontaktoi kolegun e tij në SHBA dhe e pyeti për trendin e votimeve. Pasi hapi frigoriferin dhe i tregoi një pulë të ngrirë ai i tha se: “Kjo pulë kushtonte 10-11 dollarë” disa vite më parë, sot është 20 dollarë, prandaj, gruaja ime, e cila është një mbështetëse e përhershme e demokratëve, do të votojë për republikanët për herë të parë.
Nën Presidentin Biden pakënaqësia e votuesve ishte e madhe sidomos sepse inflacioni i lartë gërryente buxhetet/të ardhurat reale të disponueshme të miliona amerikanëve. Kostot e covid-19 e detyruan Presidentin Biden të injektojë në ekonominë amerikane rreth 28 trilion dollarë, një shumë e tillë do të rriste inflacion dhe borxhin, por rritja e inflacionit erdhi dhe për shkak të një krize të jashtme.
Sipas Byrosë së Statistikave të Punës të SHBA, gjatë presidencës Biden, çmimet janë rritur më shumë se 19 për qind. Çmimi mesatar i një gallon (3.8 litra) benzinë u rrit nga 2.33 dollarë në 3.76 dollarë midis janarit 2021 dhe majit të këtij viti, kostoja e një buke u rrit nga 1,55 dollarë në 1,97 dollarë, ndërsa çmimi i një duzinë vezësh u rrit nga 1,47 dollarë në 2,70 dollarë.