Është ndër grupet e para që futi elementet e folklorit në muzikën rok, dhe me këtë pati ndikim në zhvillimin e këtij stili muzikor edhe te grupet që do të shfaqen më vonë…Edhe për diçka është i veçantë grupi MAK-për fatin tragjik të anëtarëve të vet…, me Haki Misinin që e vranë serbët me një anëtar tjetër në fund të luftës! Monografia “Grupi MAK” është një botim i veçantë në kuadër të këtij lloji botimesh. Këtë monografi, e ka shkruar Naim Kurteshi me një përkushtim të veçantë që shihet që nga faqet e para të librit
Shkruan: Daut Dauti
Ditën kur u promovua në Shkup monografia “Grupi MAK”, më dukej sikur do të shembej kulmi i ndërtesës së komunës Çair mbi ata pak njerëz që ishin aty, nga turpi i madh që ndjeja për mungesën tonë, që ishte një mungesë respekti për mysafirët që kishin ardhur nga Kosova për ne, e ne nuk ishim, edhe pse nikoqir. Ndjeja turpin për fajin e dikujt që s’ish aty, që nuk e kishte organizuar mirë promovimin që të siguronte publik për ata që kishin ardhur nga Kosova për ne: autori i monografisë, një anëtar i grupit të njohur që ka lënë gjurmë në me shumë kontribut në zhvillimin e rokut kosovar e shqiptar dhe disa familjarë të tjerë me konferensierë e interpreto…Pastaj m’u desh bashkë me vëllanë(Azamin) dhe anëtarin e një grupi tjetër, Qenan Mimidinovski që kishte ardhur për hatër prej Dibre, që mysafirëve t’u kërkojmë falje për këtë mungesë tonën, sepse një vepër kushtuar Haki Misinit, Xhevdet Gashit dhe gjithë anëtarëve (shumica të ndjerë), meritonte më shumë vëmendje, të paktën nga ne të gjeneratave që i kemi dëgjuar me ëndje këngët e tyre…I pranishëm atë 19 nëntor në sallën e komunës së Çairit, u frenova për të dalë në mikrofon për të thënë ndonjë fjalë, sepse vërtet u gjeta i papërgatitur të flas çfarëdoqoftë në atë sallë bosh. S’pati as edhe një gazetar nga media, edhe pse mysafirët thanë se kishin kontaktuar paraprakisht me disa.
Por, siç tha njëri nga mysafirët, në rezignim, ani, ne e bëmë punën tonë, thamë çka thamë, tjetra është çështje e ndërgjegjes…
Çështja e ndërgjegjes, në një farë mënyre, më shtyri të laj borxhin për gjithë ata që nuk ishin e duhej të ishin. E shfletova monografinë që ma dha autori dhe konkluza ime është se është një punë e kryer me shumë dashuri e përkushtim, ashtu siç dhe e meriton subjekti për të cilin bëhet fjalë.
Monografia është një formë libreske që përmbledh ndonjë jetëshkrim, ndonjë ngjarje, personalitet të shquar me shumë kontribute për fusha të ndryshme, por nëse freskojmë kujtesën, është vështirë të na kujtohet ndonjë monografi ndër shqiptari kushtuar ndonjë rok-grupi. Pikërisht për këtë arsye, monografia “Grupi MAK” është një botim i veçantë në kuadër të këtij lloji botimesh.
Këtë monografi, e ka shkruar Naim Kurteshi me një përkushtim të veçantë që shihet që nga faqet e para të librit. Pse ky konstatim? Sepse, aty shihet një rrugëtim i gjatë nga ideja gjer te realizimi final: së pari nga interesimi i jashtëzakonshëm për fatin e grupit MAK që ekzistoi vetëm pesë vjet(1973-1978) si një adhurues i ri i muzikës që bënte ky grup, e më pastaj, për t’i dalë hakut me këtë libër, më shumë se katër dekada pas shuarjes së tij.
Gjeneratat që kanë qenë në rininë e tyre në kohën kur ka kënduar grupi MAK, i kujtojnë me mall këngët e tyre, sepse, siç ceku njëri nga themeluesit e tij, kompozitori i njohur Xhevdet Gashi, solli risi në kuadër të zhanrit muzikor rok, duke e kombinuar me elemente folklori, diç që më vonë do të përqafohet edhe nga shumë grupe tjera. Ata që i kanë dëgjuar dikur, i dëgjojnë edhe tash këngët (“Moj e mira te pojata”, “Në Leskovik po fryn një erë”….), me zërin kumbues dhe të artikuluar me ndjeshmëri të madhe të vokalistit Haki Misini, i cili me grupin por dhe si solo këngëtar, ka marrë shumë çmime nëpër festivalet e kohës.
Monografia e Naim Kurteshit është e ndarë në tri kapituj: 1.Nga albumi im, 2. Formimi dhe krijimtaria muzikore e grupit MAK dhe 3.Të tjerët për grupin MAK. Fascinon kapitulli i parë me një letërkëmbim të autorit në moshë të re me anëtarë të grupit të shformuar në fillim të viteve ’80, në përpjekje për të kontaktuar me anëtarët që tashmë ishin shpërndarë, me qëllim që të shkruajë e mbledhë këngët e tyre. Këtë e them ngase pikërisht materialet e ruajtura nga ajo kohë, me atë letërkëmbim e shkrime të tjera të mbledhura nga gazetat që kanë shkruar për grupin e tij të adhuruar, përbëjnë idenë nismëtare që më vonë do të marrë këtë formë botimi që ka dalë para lexuesve.
Duket se profesori i matematikës, Naim Kurteshi, ka shprehur më shumë se sa vetëm entuziazëm e adhurim për grupin, por dhe shkathtësi që t’i mbledhë copëzat e rrëfimeve për këtë grup, një punë Sizifi për shkak të gjithë asaj që ndodhi me të. Në monografi dalin në pah gjithë ato vështirë duke pasur parasysh se për shkaqe objektive, ekzistenciale(sepse nuk jetohet nga muzika) e personale e rrethana të tjera, grupi u shpërnda në zenitin e vet, e në vitet e pastajme, është dashur shumë përpjekje për të mbledhur materiale, për t’i gjetur anëtarët(dikush në Amerikë, dikush në Beograd, dikush ka pësuar tragjedi… ). Me gjithë këtë, në 140 faqet e librit, kemi gjithë atë që si informacion me vlerë lidhet me grupin MAK, faktografi, rrëfime për anëtarët, fotografi, shkrime gazetash, deklarata njerëzish…, për ta plotësuar mozaikun që një lexues duhet ta ketë për këtë rok-grup legjendar që ka pasur ndikim në zhvillimin e një stili joshës muzikor.
Duke lexuar monografinë e Naim Kurteshit, ku jo pak rol ka luajtur edhe i vetmi anëtar që sot gjendet në Kosovës, Xhevdet Gashi, del edhe tragjika jetësore që e ka përcjellë këtë rok grup. Katër nga anëtarët më nuk janë në mesin e të gjallëve, njëri që nga fillimi, ka pësuar aksident trafiku dhe ka ndërruar jetë, njëri ka ikur në amshim nga vdekja e natyrshme, porse fatin më tragjik e ka përjetuar më i njohuri dhe më i eksponuari nga anëtarët, Haki Misini me zërin e të cilit identifikohet grupi MAK. Atë, bashkë me anëtarin tjetër, Mehmet Tupellën, forcat serbe, dy-tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja e Kumanovës, e marrin nga shtëpia dhe e hedhin në lum me dhjetëra shqiptarë të tjerë dhe pastaj iu humbën gjurmët dhe eshtrat u gjinden pesë-gjashtë vite më pas.
Edhe pse autori vetë shprehet i vetëdijshëm se në këtë punë të tij dhe mund të ketë ndonjë lëshim, vlerësimi për monografinë e tij është pozitiv, pasi na sjell material të bollshëm për një portret kolektiv të grupit muzikor që pati shkëlqim dhe ngritje permanente dhe la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.