Incidentet e së enjtes gjatë shënimit të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, nga shqiptarët dhe ndërhyrja policore në disa raste, janë shoqëruar me vazhdim akuzash ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim, në opozitë, dhe VMRO-DPMNE-së, në pushtet, – njofton kdp.mk. Integristët thanë se ndërhyrja e policisë ishte e panevojshme, ndërsa VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen se „as BDI, as Ahmeti, nuk janë mbi ligjin“.
Për BDI-në, ndërhyrja policore gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike. Integristët e Ali Ahmetit, po ashtu kanë dënuar djegien e flamurit shtetëror duke e cilësuar si akt individual e që, sipas tyre, erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë.
“Në këtë kontekst, është e papranueshme dhe e turpshme që VMRO-DPMNE dhe forca të tjera politike po përpiqen të shfrytëzojnë këto incidente për të ndërtuar një narrativë të rreme që kriminalizon çdo pozicion shqiptar. Kjo tendencë për të përfaqësuar shqiptarët si mbështetës të agjendave kriminale është një sulm ndaj identitetit dhe dinjitetit tonë kolektiv dhe një përpjekje për të mbuluar agjendën e tyre të korruptuar,“ – thuhet në reagimin e BDI-së në të cilin u bëhet „thirrje institucioneve të veprojnë me maturi, profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dallim, dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm identitetin dhe kulturën e tyre“, por edhe qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut „që të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke mos rënë pre e provokimeve dhe manipulimeve të atyre që synojnë të përçajnë dhe të destabilizojnë vendin“.
VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet
Sakaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë maqedonase në psuhtet, VMRO-DPMNE:
„BDI janë hipokritë, nga njëra anë organizojnë me LSD-në skenarë të zinj për konflikte etnike, ndërsa nga ana tjetër aktrojnë të merakosurit dhe nxisin grupet të bëjnë kërdinë dhe fusin përçarje. Kështu kanë sunduar mbi 20 vjet. BDI duhet ta dijë se LSD nuk është në pushtet, ndërsa BDI është opozitë. Dhe të gjitha instrumentet dhe argatët e tyre që do të guxojnë të cënojnë rendin dhe sistemin do të përgjigjen. As BDI, as Ahmeti nuk janë mbi ligjin,” – thonë nga partia e kryeministrit Hristijan Mickoski./KDP/