E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

“EUROPE HOUSE” AFRON TË RINJTË ME BRUKSELIN

Në Maqedoninë e Veriut, para 5 vitesh u promovua koncepti “Europe House”. Për herë të parë një qendër e këtillë u hap në vitin 2019 në Shkup, ndërsa sot është  shtrirë në 7 lokacione strategjike të vendit. Këto qendra janë shndërruar tashmë në vendtakime për të rinjtë, duke u bërë një “shtëpi e dytë” për ta. Përmes aktiviteteve të ndryshme si seminare, ekspozita, debate publike, jo vetëm që gjallërojnë jetën e të rinjve, por, këto qendra synojnë të informojnë dhe edukojnë të rinjtë mbi procesin e integrimit evropian dhe vlerat evropiane. Misioni i Europe House ka qenë gjithmonë fuqizimi i të rinjve dhe forcimi i zërit të tyre në shoqëri. Me kalimin e kohës, fokusi është zgjeruar për të trajtuar, përveç angazhimit rinor dhe kulturës, çështje kritike si edukimi mediatik, dezinformimi, veprimet për klimën dhe barazia.

Shkruan: Luisa Residi

“Europe House” ofron një platformë ku të rinjtë mund të mblidhen, të shkëmbejnë ide, të debatojnë dhe të angazhohen me çështje që lidhen me të ardhmen e tyre. Ajo shërben si një hapësirë për të eksploruar rrugën e vendit drejt BE-së dhe për t’u lidhur me vlerat dhe sfidat e integrimit evropian.

“EUROPE HOUSE”, URË LIDHËSE MES KOMUNITETEVE

Aktivitetet e rrjetit të “Europe House” përfshijnë organizimin e eventeve informuese dhe frymëzuese në gjithë Maqedoninë e Veriut, duke synuar promovimin e vlerave evropiane ndërkohë që nxisin mendimin kritik, inovacionin dhe bashkëpunimin mes të rinjve.

“Europe House përbën një vend ideal për mbledhje, për mbajtjen e prezantimeve të ndryshme që lidhen me jetën shoqërore, si dhe për zhvillimin e prezantimeve për karrierë, zhvillimin e komunikimit dhe njohjes midis gjeneratave të reja. Është një vend ku çdo i ri mund të përfshihet, të bashkëpunojë, të shprehë mendimet dhe përvojat e veta dhe, më shumë se kaq, të zhvillojë aftësitë e tij”, thekson për Eurothink, Elizabeta Kostadinovska, studente.

FORCIMI I ZËRIT TË TË RINJVE

Misioni i Europe House ka qenë gjithmonë fuqizimi i të rinjve dhe forcimi i zërit të tyre në shoqëri. Me kalimin e kohës, fokusi është zgjeruar për të trajtuar, përveç angazhimit rinor dhe kulturës, çështje kritike si edukimi mediatik, dezinformimi, veprimet për klimën dhe barazia.

Asistenti i rrjetit lokal në Tetovë, Faik Selimi thotë se “Europe House” kontribuon në kanalizimin e energjisë së të rinjve drejt zhvillimit, e jo humbjes së kohës.

“Mendoj që akoma jemi në proces të ndryshimit të pikëpamjes së qytetarëve sepse akoma vërejmë që njerëzit kthejnë kokën me hamendje për modernitetin dhe luksin e Shtëpisë tonë. Madje, shpesh dëgjojmë pyetjet e qytetarëve të cilët fatkeqesisht kanë krijuar bindjen që vetëm kafeteritë në Tetovë duken kaq moderne. Ne jemi një shoqëri në tranzicion të zgjatur por me hapa dhe vendime të sigurta, siç është hapja e Europe House në Tetovë , që ngadalë ndryshon perceptimet e qytetarëve e sidomos ato të gjeneratave të reja”, thotë ai.

Selimi thotë se moderniteti në arredimin e kësaj shtëpie, motivon të rinjtë edhe më shumë që të marrin pjesë në aktivitete që mbahen në ambiente të tilla.

“Jetojmë në kohën e botës digjitale ku gjithçka na shërbehet e gatshme dhe e bukur, dhe jam më se i lumtur që përderisa në të kaluarën Tetova dhe rinia e saj ëndërronin të kenë një ambient kaq të bukur si ato në rrjetet sociale, sot këtë realitet e gëzojmë të gjithë qytetarët e Pollogut”, shton Selimi.

Gjatë këtyre pesë viteve, rrjeti është zgjeruar nga një në shtatë lokacione, duke përfshirë Kriva Pallankën dhe Strumicën (2020), Manastirin dhe Velesin (2023), si dhe Strugën dhe Tetovën (2024).

“Europe House” gjithashtu organizoi evente që nxisin mendimin kritik dhe bashkëpunimin, si ekspozita “Yugo Logo” dhe evente muzikore e kulturore si “Pranvera Artistike e Studentëve,” duke u dhënë të rinjve mundësinë për të bashkëvepruar me komunitetet e tyre në mënyra krijuese dhe transformuese.

“EUROPE HOUSE” NDIHMON INTREGRIMIN EVROPIAN

“Europe House” në Maqedoni mund të krahasohet me qendra të ngjashme në Evropë që promovojnë integrimin, edukimin dhe bashkëpunimin me të rinjtë, si p.sh.: Hapësirat Europe Direct: Këto qendra janë të shpërndara në të gjithë BE-në dhe ofrojnë informacione për politikat e BE-së, organizojnë aktivitete kulturore dhe edukative dhe shërbejnë si pikë takimi për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë. Hapësirat Kulturore Rinore (Youth Cultural Centers): Shumë qytete europiane kanë hapësira rinore që nxisin krijimtarinë, inovacionin dhe rrjetëzimin, të ngjashme me misionin e Europe House. Goethe-Institut ose Instituti Francez: Këto institucione kombëtare promovojnë kulturën, edukimin dhe dialogun ndërkulturor, duke organizuar aktivitete dhe duke krijuar lidhje midis të rinjve dhe komuniteteve më të gjera.

Amra Osmani, nxënëse dhe aktiviste vlerëson se “Europe House” posedon një frymë pozitive e cila ka ndryshuar komunitetin tonë.

“Europe House ka ndryshuar ndjeshëm perceptimin tim për vendin tonë, veçanërisht në aspektin e angazhimit të të rinjve. Kam kuptuar se ekziston një potencial për ndryshim dhe zhvillim kur të rinjtë janë të motivuar dhe kanë platforma ku mund të kontribuojnë. Aktivitetet dhe mundësitë që ofron Europe House kanë treguar se të rinjtë në vendin tonë mund të jenë liderë të ndryshimit dhe të sjellin frymë pozitive në komunitet”, thotë ajo.

Ndër përfitimet që ajo ka patur ka qenë zhvillimi i aftësive të komunikimit, rrjetëzimi si dhe njohja me organizata të ndryshme.

“Kam zhvilluar aftësi të reja në komunikim, menaxhim projektesh dhe udhëheqje. Po ashtu, kam krijuar rrjete të rëndësishme me të rinj të tjerë dhe organizata, gjë që më ka ndihmuar të jem më efektive në aktivizmin tim”

“Përmes këtyre përvojave, kam kuptuar se ndryshimi fillon me veprim dhe se çdo përpjekje, sado e vogël, ka ndikim në përmirësimin e komunitetit”, shton Osmani.

Vetëm gjatë vitit 2023, “Europe House” organizoi rreth 900 aktivitete artistike, edukative ose argëtuese për mbi 36,000 pjesëmarrës. Rrjeti i zgjeruar organizoi 300 aktivitete vetëm në katër muajt e parë të vitit 2024.

Deri më tani, rrjeti i “Europe House” ka organizuar rreth 3,500 aktivitete, duke përfshirë 140,000 pjesëmarrës. Çdo ditë, 70-100 të rinj ndërveprojnë me ose përmes rrjetit, qoftë për të krijuar lidhje, për të mësuar ose për të ndarë një vizion për të ardhmen.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

 

 

Të fundit