Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se është angazhuar në hetimin e rastit në veri, ku u raportua përdorimi i një koktej molotovi ndaj një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria, njoftoi RTK.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni për RTKlive ka theksuar se ky akt është cilësuar si “Zjarrvënie” nga prokurori kujdestar dhe është duke u trajtuar me seriozitet maksimal.
“Është njoftuar prokurori kujdestar, është kualifikuar si “Zjarrvënie”. Janë duke u ndërmarrë veprime me policinë që me u siguruar prova dhe me u zbardhe rasti”, ka theksuar Preteni.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria në veri, i është vënë zjarri.
“Rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve. Zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar. Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës e denon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.
“Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i friksojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qendrueshëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij, ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore.