E shtunë, 12 Tetor, 2024

SHQIPËRIA RESTAURON TRASHËGIMINË KINEMATOGRAFIKE

Çdo ditë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Shqipëri pastrohen shiritat për të restauruar filmat që janë në rrezik për t’u shkatërruar. Ky proces ka nisur para 12 vjetësh dhe është dashur bashkëpunim me studio kinematografike në disa vende të botës, deri në Indi, njofton Radio Evropa e Lirë, përcjell KDP.MK.

Ndërsa vijon restaurimi, njëkohësisht vijon edhe debati nëse duhen shfaqur apo jo filmat e periudhës së komunizmit.

Për ata që punojnë çdo ditë me filmin, fondi është një pasuri që duhet ruajtur në origjinalitetin e tij.

Pastrimi i shiritit filmik në Arkivën e filmit shqiptar.
Pastrimi i shiritit filmik në Arkivën e filmit shqiptar.

Në Arkiv, 6.600 tituj filmash

Restaurimi i fondit filmik në Shqipëri nisi në vitin 2012. Ky proces u pa i rëndësishëm jo vetëm për shkak të zhvillimit të teknologjisë, që filmat shqiptarë të bëheshin të qasshëm edhe në formatin digjital, por edhe për faktin se disa prej tyre rrezikonin të dëmtoheshin dhe të mos ekzistonin më.

Eriona Vyshka, redaktore në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Shqipëri, thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri më tani, janë restauruar 20 filma.

“Në Arkiv kemi 6.600 tituj filmash, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj – gjysma prodhime të ish-Kinostudios, gjysma janë filma të huaj që kanë qarkulluar deri në rënien e regjimit komunist në vendin tonë. Nëse i përkthejmë në akte filmike, janë 45 mijë, që mbahen në gjashtë vend-ruajtje. Deri tani janë restauruar 20 filma”, thotë Vyshka.

Eriona Vyshka, redaktore ne AQFSH, thotë se disa prej pajisjeve të përdorura për xhirime, janë prodhim i vitit 1927.
Eriona Vyshka, redaktore ne AQFSH, thotë se disa prej pajisjeve të përdorura për xhirime, janë prodhim i vitit 1927.

Procesi, sipas saj, është mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për ta pasur filmin të ruajtur në mënyrë digjitale, por edhe për ta shfaqur në një cilësi të mirë të figurës dhe zërit.

Përzgjedhja e filmave për restaurim

Vyshka sqaron se përzgjedhja e filmave që restaurohen, bazohet në disa kritere apo kërkesa. Filmi i parë që u restaurua ishte “Nëntori i dytë”.

“U vendos të ishte i pari që do të restaurohej, për shkak se donim të shfaqej në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë [nëntor, 2012]. U bashkëpunua me një kompani amerikane dhe filmi u dërgua në Virxhinia, në laboratorin ‘Colorlab’”, thotë Vyshka.

Për restaurimin e filmit “Lulëkuqet mbi mure” u vendos për faktin se do të shfaqej në aktivitete ndërkombëtare, sipas saj.

“Ishte një film që i fliste audiencës ndërkombëtare. Kishim mundësi ta shfaqnim në Lion të Francës në një festival të filmit arkivor. Më pas u përfshi edhe në një program tremujor të ARTE-s, televizion franko-gjerman, që ka një seksion të rëndësishëm për filmat evropianë klasikë. Është ende duke u shfaqur dhe do të vazhdojë deri në fund të shtatorit”, thotë Vyshka.

Ajo tregon se ky film është titruar në gjashtë gjuhë të huaja – italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, polonisht dhe çekisht – punë kjo që bëhet nga Arkivi.

“Edhe pse vend i vogël dhe i izoluar, mendoj se kemi pasur një ndërmarrje të madhe që i dedikohej kinematografisë. Publiku evropian dhe ai botëror duan ta zbulojnë këtë kinematografi”, thotë Vyshka, teksa flet për rëndësinë e promovimit të kinematografisë shqiptare në botë.

Si restaurohet një film?

Specialistja e Arkivit shpjegon se hapi i parë për restaurimin e një filmi, është pastrimi i shiritit nga pluhurat apo çdo mbetje tjetër që mund të ketë marrë, për shkak të periudhës së gjatë që nga prodhimi i tij.

Më pas, restaurimi kalon në dy faza. E para është kthimi i këtij shiriti filmik në një dosje digjitale me rezolucion të lartë. Deri tani, ky proces është realizuar jashtë Shqipërisë, në shtete me të cilat janë lidhur kontrata bashkëpunimi.

“Para disa muajsh, në Arkiv kemi siguruar skanerin tonë, një pajisje që mundëson kalimin e shiritit filmik në dosje digjitale me një rezolucion shumë të lartë. Nëse më herët ishim të detyruar që shiritin filmik ta dërgonim fizikisht në shtetin ku do të kryhej ky proces, tani këtë fazë të parë të restaurimit e kryejmë këtu”, thotë Vyshka.

Aktori Shkelzen Shala gjatë një momenti gazmor derisa po xhirohej filmi "Një ditë në Apolloni".
Aktori Shkelzen Shala gjatë një momenti gazmor derisa po xhirohej filmi “Një ditë në Apolloni”.
Faza e dytë e restaurimit, sipas saj, kryhet në shtetin ku janë bërë marrëveshje me kompani të specializuara për procesin.

Puna në këtë fazë përfshin riparimin e imazheve që kanë nisur të dëmtohen, apo të shfaqin shenja a njolla, dhe përforcimin e ngjyrave, por gjithnjë duke ruajtur çdo element të origjinalitetit të veprës.

Më pas, me kthimin e materialit të restauruar, puna iu kalon montazherëve, për t’i lidhur të gjitha pjesët në një të tërë dhe për të përfituar filmin e restauruar.

Titrimi në cilëndo gjuhë, ndërkaq, është një tjetër punë e Arkivit të Filmit, varësisht aktivitetit ku do të shfaqet filmi i restauruar.

“Kapedani” i restauruar, të tjerë në pritje

Filmi që sapo është restauruar, është “Kapedani” – prodhim i vitit 1972.

Premiera do të jetë më 24 shtator në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.

Në proces restaurimi është, po ashtu, filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” i regjisorit Dhimitër Anagnosti, i bazuar në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i shkrimtarit Ismail Kadare.

“Në plan kemi edhe dy filma të tjerë, ‘Liri a vdekje’ dhe ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’. Janë duke u bërë kontrata paraprake për restaurimin e tyre”, thotë Vyshka.

Pjesë nga puna për montimin e filmit shqiptar të restauruar "Kapedani".
Pjesë nga puna për montimin e filmit shqiptar të restauruar “Kapedani”.
’Liri a vdekje’ ka probleme me ngjyrat, sepse në kohën e prodhimit, në fund të viteve ’70, ka munguar solucioni filmik, ku laheshin dhe stampohehsin filmat me ngjyra. Ky problem ka bërë që pas vitit të parë të prodhimit, të nisë zbehja e ngjyrave. Tani e kemi mundësinë që këto ngjyra t’i rikthejmë”, thotë specialistja e Arkivit.Ajo tregon se filmat “Mësonjëtorja” dhe “Koncert në vitin ‘36”, që kanë pasur probleme dhe kanë qenë pjesë e fondit të rrezikuar, tashmë janë restauruar.Urgjencë për t’u restauruar kanë filmat “Ballë për ballë”, “Vajzat me kordele të kuqe” dhe “Në shtëpinë tonë”, në të cilët janë shfaqur probleme me ngjyrat.Megjithatë, probleme nuk janë shfaqur vetëm në filmat e realizuar shumë vite më parë, por edhe tek ata rreth viteve ‘90. I tillë është, për shembull, filmi “Bolero”.

“Është realizuar në vitin ‘92, por laboratori i Kinostudios ka qenë thuajse duke dhënë shpirt. Duhej rinovuar me makineri të kohës, që mungonin”, thotë Vyshka.

“Për shkak të kushteve të ruajtjes, filmat kanë bartur pasojat e asaj kohe, kështu që janë në prioritetet tona për t’u restauruar”, thekson ajo.

Bashkëpunime deri në Indi

Bashkëpunimi i parë për restaurimin e një filmi ka qenë ai për “Nëntorin e dytë” me një studio në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas është bashkëpunuar me disa shtete në Evropë, si Itali apo Zvicër, por bashkëpunime ka pasur edhe me Indinë.

“Në Indi kemi restauruar filmat ‘Koncert në vitin ’36’ dhe ‘Mësonjëtorja’. Duke qenë një vend i largët dhe jo shumë i sigurt, negativin e kemi skanuar në Evropë dhe kemi dërguar në Indi hard-disqet”, thotë specialistja e Arkivit.

Filmat e komunizmit, pasuri apo propagandë?

Vyshka thotë se trashëgimia që ka lënë ish-Kinostudioja, është një pasuri e rrallë që duhet vlerësuar.

Për të, debati i hapur nga politika në lidhje me shfaqjen apo jo të filmave të periudhës komuniste, që bartin edhe propagandën e asaj kohe, është i pavend.

“Unë mendoj se jemi me fat që e kemi ‘kinemanë e propagandës’ që na ka lënë ish-Kinostudioja, sepse duke e studiuar, arrijmë të kuptojmë të kaluarën, mentalitetin, çfarë vendimesh janë marrë, si janë bërë veprat artistike… Arrijmë të zbulojmë makinerinë e propagandës, mësojmë nga e kaluara, është burim studimi”, thotë Vyshka.

“Në Arkiv nuk kemi vetëm filmat, por gjithçka që lidhet me procesin e krijimit të tyre – që nga para-produksioni, materialet e shkruara, mbledhjet që janë zhvilluar, fotografi, dokumente, procesverbale nga ato që njiheshin si këshillat artistikë, nga shesh-xhirimet, si dhe nga post-produksioni. Posterët janë një koleksion shumë i bukur grafik, flasin për punën e krijuesve – një punë që nuk mund të hidhet poshtë apo të harrohet”, thotë redaktorja e Arkivit.

Pajisje të ish-Kinostudios që përdoreshin për të shfaqur filma në projektor.
Pajisje të ish-Kinostudios që përdoreshin për të shfaqur filma në projektor.
Ajo sqaron se çdo film i restauruar shfaqet me paralajmërimin që shpjegon se si kanë qenë kushtet politike-ekonomike në atë kohë.

“Filmi tani shihet me botëkuptimin e vitit 2024. Ajo është një propagandë që sot nuk ndikon më askënd”, thotë Vyshka.

Interesi i studiuesve të huaj për kinematografinë shqiptare

Studiues të huaj kanë shprehur interes viteve të fundit për të studiuar kinematografinë e Evropës Juglindore, thotë redaktorja e Arkivit, duke shtuar se Shqipëria zë një vend të rëndësishëm, sepse ka qenë si pikë e errët e pazbuluar.

“Ka studiues që kanë mësuar edhe gjuhën shqipe, për të mësuar mbi kinematografinë tonë, sepse edhe studimet e librat janë të paktë, dhe ata që janë, janë shkruar shqip. Kohëve të fundit kemi studiues të rinj, si Julian Bejko e Fabio Bego, që shkruajnë edhe në anglisht dhe kanë bërë disa botime rreth kinematografisë shqiptare”, thotë Vyshka.

Ajo tregon se Bruce Willims, nga Universiteti i Pensilvanisë, ka botuar disa studime për kinematografinë shqiptare në kohën e komunizmit.

“Ka bashkëpunuar me ne [Arkivin] për informacione të ndryshme që i janë nevojitur për studimet e tij. Madje, edhe ka financuar titrimin e filmave, me qëllim që më pas të marrë kopje të tyre dhe t’i studiojë. Aktualisht, është duke përgatitur një tjetër studim”, thotë Vyshka.

Një grup fëmijësh duke shikuar filmin shqiptar "Tomka dhe shokët e tij" në kinema.
Një grup fëmijësh duke shikuar filmin shqiptar “Tomka dhe shokët e tij” në kinema.
Pasuria e Arkivit të Filmit

Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, në zonën që mban emrin Kinostudio në Tiranë, ka një pasuri të vërtetë që lidhet me industrinë e filmit shqiptar.Në Arkiv ruhen mbi 6.600 filma, prej të cilëve gjysma janë prodhim shqiptar.

Por, veç tyre, në Arkiv ka gjithçka që lidhet edhe me realizimin e tyre.

Ndërsa vijon restaurimi i filmave, fototeka ka përfunduar së digjitalizuari – tani po digjitalizohen skenarët dhe çdo material i shkruar.

“Kemi fond me fotografi, madje edhe negativët që tregojnë xhirime në terren, në kinostudio, punonjësit, makineritë… Çdo film ka dosjen e vet me materiale të shkruara, para dhe pas prodhimit, dhe pjesën promocionale”, thotë Vyshka.

Pajisje të përdorura në Kinostudio.
Pajisje të përdorura në Kinostudio.
Ajo shton se, së shpejti, do të ketë edhe një muze për historinë e kinematografisë shqiptare.

Një nismë e tillë u promovua në vitin 2021 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, por ende nuk është realizuar.

Arkivi i Filmit gjendet në ish-ndërtesën “Shqipëria e Re”, e cila u përurua më 10 korrik të vitit 1952, bashkë me kompleksin e studiove filmike, Kinostudio.

Filmi i parë i prodhuar ishte “Skënderbeu”, në bashkëpunim me Bashkimin Sovjetik, ndërsa filmi “Tana” në vitin 1958 mban vulën e prodhimit shqiptar.

Në vitet ’80, Kinostudioja “Shqipëria e Re” arriti të prodhojë 14 filma në vit. Pas rënies së komunizmit, ajo u quajt “Albafilm” dhe vijoi të funksionojë deri në vitin 1996 dhe më pas u quajt Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Prej vitit 2015, në këtë godinë ndodhen Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Instituti i Monumenteve të Kulturës etj.

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit