E shtunë, 12 Tetor, 2024

LETËR E HAPUR LIDERËVE SHQIPTARË TË MAQEDONISË SË VERIUT

Ju liderë shqiptarë, që ju ka mbështetur populli me votën e tij, pret prej jush realizimin e kauzës kombëtare, që të jemi shtetformues dhe të barabartë, sipas të gjitha standardeve demokratike drejt realizimit të aspiratave tona. Nëse Gjykata Kushtetuese abrogon ligjin për gjuhën shqipe, do të rrezikojë ekzistimin e Marrëveshjes së Ohrit, mbi postulatet e së cilës ekziston ky shtet dhe do të hapen plagë të reja në funksionimin e shtetit, pas konfliktit të vitit 2001.

Nga Merxhan Jakupi 

Ju liderë, politikanë dhe opozitarë, ministra dhe deputetë shqiptarë, mos lejoni që të bëheni vasalë, shërbëtorë dhe vegla të një qeverie antishqiptare e drejtuar nga VMRO-ja, që po vazhdon retorikën e mëparshme antishqiptare, duke shkelur liritë dhe dinjitetin e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në të kundërtën, do t’ ju dënojë gjithë kombi anë e kënd botës shqiptare. Do të mbeteni me epitetin e “tradhtarit” të kombit. Do t’ ju dënojnë brezat që do të vinë shekuj me radhë. Do t’ ju dënojë edhe historia.

Po qe se Gjykata Kushtetuese e RMV-së, e inspiruar dhe e kurdisur nga lideri nacionalist e populist, Mickovski, si dhe bashkëpunëtorët e tij, sjell vendimin për degradimin e gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare, dhe radhitet në mesin e gjuhëve minoritare, si ato turke, serbe, rome etj., do të jetë shumë keq për vetë shtetin dhe për shqiptarët në veçanti, andaj mora guximin që të reagoj publikisht me këtë shkrim.

Politikanët shqiptarë të këtij vendi nuk duhet të lejojnë një gjë të tillë të ndrydhjes së të drejtave, për interesa partiake, klanore e personale, duhet të dinë se shkelin mbi gjakun e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, që sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për ideale të lirisë.

Ju liderë shqiptarë, që ju ka mbështetur populli me votën e tij, pret prej jush realizimin e kauzës kombëtare, që të jemi shtetformues dhe të barabartë, sipas të gjitha standardeve demokratike drejt realizimit të aspiratave tona.

Nëse Gjykata Kushtetuese abrogon ligjin për gjuhën shqipe, do të rrezikojë ekzistimin e Marrëveshjes së Ohrit, mbi postulatet e së cilës ekziston ky shtet dhe do të hapen plagë të reja në funksionimin e shtetit, pas konfliktit të vitit 2001.

Diplomatët perëndimorë do të vinë në Shkup për të biseduar për gjëra që janë tejkaluar njëherë dhe që imponohen sërish për tekat e dikujt. Ata i kanë mekanizmat e veta, karotën ose shkopin. Prandaj, mund të ndodhë:

 

  1. Në instancë të fundit, nëse vazhdon kjo politikë, mund të vinë forca të reja që do të imponojnë largimin e menjëhershëm të të gjithë subjekteve politike shqiptare që janë në koalicion qeveritar me VMRO-në dhe liderin e saj nacionalist;
  2. Nëse VLEN tërhiqet, mund të kërkojnë mos hyrjen e Frontit Evropian, me BDI-në, në një qeveri me Mickovskin, edhe nëse ky josh me poste dhe privilegje;
  3. Gjithë partitë politike shqiptare, pozitë e opozitë, të spektrit të majtë ose të djathtë, për hir të kauzës së shenjtë të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duhet të ngrenë nivelin e unitetit, që nënkupton formimin e një fronti nacional. Me vizion, transparencë dhe pragmatizëm të shkohet drejt realizimit të kauzës dhe aspiratave kombëtare shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe të braktiset mentaliteti që shteti për dikë të jetë nënë e për dikë tjetër njerkë;
  4. Forcat e reja politike mund të riaktivizojnë verdiktin e popullit për një autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni dhe mund të kërkojnë sendërtimin e këtyre synimeve, që mund të zgjerohet edhe me një parlament dydhomësh apo një parlament paralel në pjesën e Maqedonisë Perëndimore. Gjithë ky territor kufizohet me Kosovë e Shqipëri, që do të thotë një shkëmbim më i madh i mallrave dhe një zhvillim më i mirë ekonomik i kësaj ane;
  5. Liderët e të gjithë partive dhe subjekteve politike, si dhe intelektualët, klerikët dhe njerëzit e dijes e të profileve të ndryshme të bashkohen rreth hartimit të një marrëveshjeje të re, si një projekt politik, duke mos e cenuar dhe dëmtuar sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, që do të thotë kufijtë do të mbeteshin të pandryshuar. Në këtë rrafsh do të kërkohej nga bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, një mbështetje në funksion të stabilizimit të rajonit.

 

Të fundit