E shtunë, 12 Tetor, 2024

27 VJET NGA VDEKJA E NËNË TEREZËS

Sot mbushen 27 vjet nga vdekja e humanistes së shquar, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, e njohur si Nënë Tereza, transmeton KDP.MK. Ajo lindi në Shkup më 26 gusht 1910 dhe ndërroi jetë në Kalkutë më 5 shtator 1997. Pas tetëmbëdhjetë viteve të para në Shkup, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane, Nënë Tereza vijoi rrugëtimin e saj në Irlandë dhe Indi, ku jetoi dhe veproi deri në fund të jetës së saj, duke u bërë kështu simbol i përkushtimit ndaj të varfërve dhe të sëmurëve.

Nënë Tereza është nderuar me disa nga çmimet më prestigjioze, përfshirë Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay në vitin 1962 dhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Më 19 tetor 2003, ajo u shpall “E Bekuara Tereza e Kalkutës”.

Sipas rregullave të Kishës Katolike, për t’u shpallur shenjtore, kërkohet të pranohet një mrekulli e dytë. Kjo mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën kanonizimit të saj. Më 4 shtator 2016, një ditë para përvjetorit të 19-të të vdekjes së saj (5 shtator), Nënë Tereza u shpall zyrtarisht shenjtore nga Kisha Katolike e Romës, dhe kjo datë është njohur si festa e saj.

Si një figurë që ngjalli diskutime si gjatë jetës ashtu edhe pas vdekjes, Nënë Tereza gëzoi admirim të madh për përkushtimin e saj bamirës. Megjithatë, ajo u kritikua për qëndrimet e saj ndaj abortit dhe kontracepsionit, si dhe për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për të sëmurët në fundin e jetës. Biografia e saj e autorizuar, shkruar nga Navin Chawla, u botua në vitin 1992 dhe ajo ka qenë subjekt i shumë filmave dhe librave të tjerë.

 

 

Të fundit