Darko Kostadinovski është kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili u zgjodh në krye të këtij institucioni në qershor të këtij viti. Ai mori 6 vota nga kolegët e tij në raundin e 10-të të votimit, pasi Osman Kadriu, Ana Pavlovska Daneva dhe Tatjana Vasiq Bozaxhieva nuk kishin arritur të sigurojë shumicën e votave.
Zgjedhja e Konstadinovskit shënoi edhe fillimin e procesit të shfuqizimit të Ligjit të përdorimit të gjuhëve, i miratuar në vitin 2018, me të cilin shqipja fitoi statusin e gjuhës së dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Sjellja e këtij ligji vjen në vitin kur Kostadinovski u zgjodh gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Mandati i tij përfundon për më pak se tre vjet, një kohë e mjaftushme për të varrosur shqipen si zyrtare në vend.
Zgjedhja e Konstadinovskit për kryetar ishte kundërshtuar nga kolegët tjerë në Gjykatë. Pas përfundimit të mandatit të gjykatëses Dobrilla Kacarska, Gjykata Kushtetuese mbeti pa kryetar. Nëntë tentativa dhe vota për zgjedhjen e presidentit dështuan, megjithatë, pas koordinimit, gjyqtarët vendosën që më në fund të zgjedhin Konstadinovskin për president të ri.
Sipas rregullores, çdo gjyqtar mund të propozojë një kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Propozimi për kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese përcaktohet nga një komision prej tre gjyqtarësh të zgjedhur nga shumica e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve. Nëse kandidati nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura për zgjedhjen e presidentit përsëritet.
KUSH ËSHTË KONSTADINOVSKI?
Dr. Darko Kostadinovski u lind më 27 nëntor 1974 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik Justiniani I në Shkup në vitin 1997. Në vitin 2008 u bë Master i Drejtësisë, ndërsa në vitin 2012 Doktor i Drejtësisë. Ka magjistruar me temën “Arbitrazhi ndërkombëtar në marrëdhëniet politike ndërkombëtare bashkëkohore (në kufirin ndërmjet ligjit dhe politikës)” dhe doktoraturën me temën “Juridiksioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: pasojat juridike të këshillimit në opinionet”.
Nga viti 2001 deri në janar 2018 ka punuar në kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fillimisht te Boris Trajkovski, më pas te Branko Cërvenkovski e më në fund te Gjorgje Ivanov. Deri në vitin 2010 ka punuar si asistent i këshilltarit për politikë të jashtme dhe shef i departamentit për BE dhe NATO.
Nga viti 2010 deri në vitin 2018 ka qenë këshilltar shtetëror për politikën e jashtme. Nga viti 2015 deri në janar 2018 ka shërbyer si ambasador në Aleancën e Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2018 u zgjodh gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
AFERAT
Në vitin 2019 Konstadinovski mbrojti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e përkohshme të moratoriumit të ndërtimeve në Komunën Qendër. Në këtë reagoi akademiku Vlado Kambovski, duke thënë se Kostadinovski “nuk e kupton alfabetin e ligjit dhe Kushtetutës” dhe pyeti se si mund të jetë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Kambovski tha se Gjykata Kushtetuese ka vepruar në kundërshtim me parimin kushtetues të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, ndërsa për deklaratën e gjyqtarit Kostadinovski thotë se në këtë kuptim deklarata është shumë skandaloze.
“Ai gjyqtar nuk e ka kuptuar alfabetin e ligjit dhe të Kushtetutës dhe sipas meje shtrohet pyetja se si mund të jetë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kambovski për SAKAMDAKAZAM.MK.
Një debat tjetër që përfshiu emrin e tij ishte edhe ai rreth bankës së falimentuar “Eurostandard Banka”. “Gjyqtari kushtetues Darko Kostadinovski duhet të jetë i kujdesshëm dhe të raportojë për konfliktin e mundshëm të interesave në lidhje me vendimmarrjen pas iniciativës së depozituesve të dëmtuar nga banka e dështuar Eurostandard”, reagoi në vitin 2021 Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pasi “360 Gradë” njoftoi se disa nga gjyqtarët kanë konflikt të mundshëm interesi për shkak se kanë qenë depozitues në bankë, apo në rastin e gjyqtarit Kostadinovski, se ka edhe marrëdhënie të ngushta miqësore-familjare me familjen e aksionarit më të madh në bankë, Trifun Kostovski.
FATI I GJUHËS SHQIPE
Kjo Gjykatë ka këto kompetenca të vendosë për pajtueshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, për pajtueshmërinë e rregulloreve të tjera dhe të marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe ligjet, mbron liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit në lidhje me lirinë e besimit, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit, shoqërimit politik dhe veprimit dhe ndalimin e diskriminimit të qytetarëve në bazë të seksit, racës, fesë, kombëtare, sociale dhe politike. Poashtu, gjykata vendos për konfliktin e kompetencave ndërmjet bartësve të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, vendos për konfliktin e kompetencave ndërmjet organeve të Republikës dhe njësive të vetëqeverisjes vendore,
vendos për përgjegjësinë e Presidentit të Republikës, vendos për kushtetutshmërinë e programeve dhe statuteve të partive politike dhe shoqatave të qytetarëve dhe
vendos edhe për çështje të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.
Në rast se një ligj apo vendim vlerësohet si anti-kushtetues, Gjykata ka të drejtë ta shpallë të pavlefshëm të njëjtin.
Në periudhën deri në shkurt zë vitit 2024, në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar gjithsej 31 nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe një kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, sipas të cilave janë ngritur 32 lëndë të reja. Midis tyre është iniciativa për zhvleftësimin e disa neneve të Ligjit të përdorimit të gjuhëve, i cili i jep gjuhës shqipe statusin e gjuhës së dytë zyrtare në vend.
Kah fundi i vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi që mos të fillojë asnjë procedurë për “Marrëveshjen e Prespës”.