E hënë, 8 Korrik, 2024

KUSH ËSHTË KRYEMINISTRI I RI BRITANIK, KEIR STARMER?

Kreu i Partisë Laburiste ishte anëtar i ekipit ligjor që përfaqësonte Kroacinë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në një mosmarrëveshje me Serbinë në një padi të ndërsjellë për gjenocid në konfliktet e viteve ’90

Associated Press

Për dikë që shpesh është përqeshur si i ngathët, Keir Starmer e ka korrur një fitore të jashtëzakonshme në zgjedhjet parlamentare.

Starmer e udhëhoqi Partinë Laburiste drejt triumfit bindës në zgjedhje, dhe të premten u bë kryeministër i ri i Britanisë së Madhe. Ai është lideri i parë nga partia e qendrës së majtë që fiton zgjedhje në Britani pas Tony Blairit, i cili i fitoi tri palë zgjedhje radhazi duke nisur më 1997.

Ky është ndryshimi i madh më i fundit për një burrë i cili kaloi nga një avokat për të drejtat e njeriut në prokuror realist dhe nga një radikal i ri në një pragmatist të moshës mesatare.

Sikurse Blair, i cili e ndryshoi partinë si “Laburistja e Re” në vitet e ’90-ta, edhe 61-vjeçari Starmer e udhëhoqi Partinë Laburiste drejt fitores kundër Partisë Konservatore të Rishi Sunakut në zgjedhjet e së enjtes.

Ai fitoi duke iu premtuar votuesve ndryshim, por edhe qetësi, duke u zotuar se do të sjellë qëndrueshmëri në jetën publike dhe se do ta nxjerrë Britaninë në “dritë”, pas 14 vjetëve rrëmujë nën udhëheqjen e konservatorëve.

“Njerëzit e shikojnë Starmerin dhe në të e shohin një njeri shumë të qëndrueshëm, i cili është qartazi shumë i aftë në jetën e tij profesionale”, tha Douglas Beattie, autor i librit “Si fiton Laburistja (dhe pse humb]”.

“Mendoj se njerëzit e duan këtë kujdes, ata e duan këtë qëndrueshmëri”, shtoi ai.

Ish-kryeprokuror i Anglisë dhe i Uellsit, Starmer shpesh është tallur si “avokat majtist nga Londra” nga konservatorët. Ai u nderua me titullin “Sir” për shkak të rolit të tij udhëheqës në Prokurorinë Publike në Angli dhe Uells. Kundërshtarëve u pëlqen ta përdorin titullin e tij Sir Keir Starmer, për ta portretizuar atë si elitë dhe të paqasshëm.

Starmer parapëlqen t’i vërë në pah rrënjët e tij modeste. Ai e dashuron futbollin – ende luan këtë lojë në fundjavë – dhe nuk i pëlqen asgjë më shumë sesa ta shikojë klubin e Premierligës angleze, Arsenal, duke pirë birrë në kafenenë lokale.

Ai dhe bashkëshortja e tij Victoria, e cila punon në shëndetësi, i kanë dy fëmijë adoleshentë, të cilët duan t’i mbajnë larg syrit të publikut.

Gjatë fushatës ai me kokëfortësi ngurroi ta shfaqte personalitetin e tij, duke thënë në një intervistë për Guardian se nuk e mbante në mend nëse kishte ëndrra të fëmijërisë, nuk kishte roman të parapëlqyer e as as nuk kishte pasur frika gjatë fëmijërisë.

Kur ai tregoi gjëra personale, se shpresonte t’i bënte mbrëmjet e së premtes kohë për të kaluar me familjen – gruaja e tij është hebraike dhe darka Shabbat e së premtes është traditë familjare – konservatorët e përdorën këtë kundër tij, duke pretenduar se Starmer synonte të bëhej kryeministër me gjysmë orar.

I lindur më 1963, Starmer është i biri i një veglabërësi dhe një infermiereje, të cilët e pagëzuan me emrin e Keir Hardie, liderit të parë të Partisë Laburiste. Ai u rrit në një shtëpi jo të pasur në një qytezë të vogël në afërsi të Londrës.

“Ishin kohë të vështira”, tha ai gjatë një fjalimi kur e nisi fushatën zgjedhore.

“E di se çfarë do të thotë inflacioni i pakontrolluar, se si rritja e kostos së jetesës ju bën t’ia keni frikën postierit kur e shihni duke ardhur rrugës: ‘A po na e sjell edhe një faturë që nuk mund ta përballojmë’”, tha ai.

Ai ishte anëtari i parë i familjes së tij që shkoi në kolegj, ku studioi juridikun në Universitetin e Leeds dhe në Oksford. Si avokat, ai mori raste të lirive civile, përfshirë rastin e “McLibel Two”, aktivistëve të gjelbër të cilët u paditën nga McDonald për shpërndarjen e fletushkave ku thuhej se ky restorant shet ushqim të pashëndetshëm.

Rastet e tilla shpesh krijonin mosmarrëveshje mes tij dhe qeverive të të dyja partive, Laburiste dhe Konservatore, prandaj ndryshimi i tij për t’u bërë kryetar i Prokurorisë më 2008 i befasoi disa kolegë të tij. Por, gjatë pesë vjetëve në këtë punë, ai fitoi reputacion si një drejtor i zellshëm dhe i fuqishëm i prokurorive publike.

Starmer ishte anëtar i ekipit ligjor që përfaqësonte Kroacinë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në një mosmarrëveshje me Serbinë në një padi të ndërsjellë për gjenocid në konfliktet e viteve ’90.

Gjykata hodhi poshtë paditë e ndërsjella – vendimi vërtetoi se nuk kishte gjenocid kundër kroatëve apo serbëve në Kroaci.

Starmer u fut në politikë në të 50-at e tij dhe u zgjodh në Parlament më 2015. Ai shpesh kishte mospajtime me liderin e partisë, Jeremy Corbyn, saqë në një çast dha dorëheqje nga ekipi kryesor i partisë për shkak të mosmarrëveshjeve. Megjithatë, më vonë ai pranoi të shërbejë si zëdhënës i Partisë Laburiste për Brexit nën udhëheqjen e Corbynit.

Pasi nën udhëheqjen e Corbyn Partia Laburiste pësoi disfata në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2019, laburistët e zgjodhën Starmerin si udhëheqës të ri për ta rindërtuar partinë.

Starmer vendosi disiplinë parti, e cila kishte reputacion të njohur për ndarje të brendshme, i hoqi disa prej politikave socialiste të Corbyn dhe kërkoi falje për antisemitizëm, pasi një hetim i brendshëm gjeti se ishte lejuar përhapja e antisemitizmi nën udhëheqjen e Corbyn.

Starmer premtoi “një ndryshim kulture në Partinë Laburiste”.

Starmer u ka premtuar votuesve se qeveria laburiste mund ta zbutë krizën kronike të banimit dhe se mund t’i rregullojë shërbimet publike, posaçërisht shërbimet e dobët shëndetësore – por pa vendosur rritje tatimore dhe pa e rritur borxhin publik.

“Derisa nuk mendoj se dikush është posaçërisht i ngazëllyer për Keir Starmer, mendoj se ai ka bërë punë të mirë për ta paraqitur veten si një njeri i rritur dhe kompetent, i cili është në gjendje të kthejë qeverinë aty ku e ka vendin”, tha Lise Butler, ligjëruese e lartë e historisë moderne në Universitetin e Qytetit në Londër.

Starmer do të përballet me trysni për t’i përmbushur zotimet shpejt.

Ai ishte kundërshtar i fuqishëm i vendimit të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, por tani thotë se qeveria laburiste nuk do të kërkojë ta ndryshojë këtë vendim, që është zhgënjim tjetër për shumë njerëz në partinë e tij.

“Shumë njerëz nga krahu i majtë do të akuzojnë atë se i ka zhgënjyer, se i ka tradhtuar parimet socialiste. Dhe shumë njerëz nga krahu i djathtë do ta akuzojnë atë për ndryshim politikash”, tha tim Bale, profesor i politikës në Universitetin Queen Mary në Londër.

“Por, nëse kjo është ajo që nevojitet për të fituar, atëherë mendoj se kjo tregon diçka për karakterin e Starmerit. Ai do të bëjë çfarëdo që nevojitet, dhe ka bërë çfarëdo që i duhej, për ta marrë qeverinë”, shtoi ai./REL

Të fundit