E enjte, 4 Korrik, 2024

SOFJA DHE ATHINA KOORDINOHEN KUNDËR SHKUPIT: ÇKA PRITET TË NDODHË?

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sërish ka shkaktuar reagime në Greqi pas deklaratës për mundësitë e rinegociimit të Marrëveshjes së Prespës. Por, ai thotë se është keqinterpretuar deklarata e tij, përcjell KDP.

“Sa i përket Prespës, ne tashmë e kemi shprehur qëndrimin tonë shumë vite më parë, se kjo marrëveshje është realitet dhe është pjesë e rendit kushtetues dhe juridik të Maqedonisë si shtet dhe askush nuk duhet të ketë asnjë dilemë këtu”, tha Mickoski.

Sipas një analize të gazetës greke “Kathimerini”, “logjika e rinegocimit të Marrëveshjes së Prespës që mbizotëron në Shkup nuk lë shumë hapësirë ​​për optimizëm në Athinë”, sepse menaxhmenti i VMRO-DPMNE-së është i vendosur të “tërheqë litarin”. Në marrëdhëniet dhe me Greqinë dhe Bullgarinë.

“Greqia nuk do të përfshihet në debate publike të pakuptimta dhe, siç nënkuptohet tashmë drejtpërdrejt nga z. Mitsotakis, thjesht do të bllokojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, thuhet në analizë.

Vëmendje i kushtohet edhe vizitës zyrtare në Athinë nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili aty do të hapë forumin “Economist” dhe do të ketë takime me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenten greke Katerina Sakellaropoulou. Një nga temat pritet të jenë edhe marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

“Koordinimi mes Athinës dhe Sofjes për këtë çështje duhet të merret si i mirëqenë, por ai nuk buron aq nga dallimet dypalëshe të dy vendeve me Maqedoninë e Veriut, sa nga shqetësimi për kthimin e vendit në një vrimë të zezë gjeopolitike. Për të njëjtën arsye, Athina i mban hapur kanalet me elementin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, që është faktor stabilizues, por edhe me Kosovën, sepse kryeministri Albin Kurti ka ndikim tek partneri i vogël qeveritar shqiptar i VMRO-DPMNE-së”, thotë analiza.

RMV u gjend edhe në fokusin e përgjigjes së ish-ministres së Jashtme greke, Dora Bakoyani, ndaj kritikave të ish-kryeministrit Samaras për politikat e qeverisë aktuale greke. Duke iu kthyer çështjeve kombëtare, Samaras kritikoi se “vendi po ballafaqohet me fyerje, poshtërime njëri pas tjetrit, nga Shkupi, shqiptarët dhe turqit”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit që menjëherë të vendosë për një ndryshim në politikën e jashtme – një veto për Shqipërinë, të përgatitet përmes krijimit të një grupi të fortë ligjor dhe politik ekspertësh përjashtimin nga marrëveshja e rrezikshme e Prespës, për të aplikuar, si Bullgaria, një veton në çdo hap të Shkupit, papërgjegjshmëria e të cilit duhet të dënohet dhe miqësia me Turqinë të rishikohet tërësisht.

“Ai na tha se rruga drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kalon përmes Greqisë dhe ne e themi këtë. Unë e di që zoti Samaras ishte kryeministër dhe Evangelos Venizelos ishte ministër i Jashtëm dhe ai i tha OKB-së në emër të qeverisë Samaras se Greqia është për një emër kompleks me një term gjeografik erga omnes”, kujton Bakoani.

Në të njëjtën kohë ajo shprehu habinë për qëndrimin ndaj Marrëveshjes së Prespës.

“Si do të ndryshojë? Më kujton disa njerëz që thonë se Traktati i Lozanës mund të ndryshohet. Nëse Shkupi është në pozitë të vështirë, kjo është sepse kundër tyre kanë ndërkombëtarët”, përcjellin mediat greke deklaratën e ish-ministres së Jashtme.

Kryeministri grek Mitsotakis paralajmëroi në mes të qershorit se do të ngrinte çështjen e mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës në Samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik dhe se kryeministri i Maqedonisë së Veriut do të ishte në një pozitë shumë të pakëndshme kur ata të takohen atje.

“Unë do ta drejtoj atë dhe mendoj se do të kem shumë aleatë në këtë përpjekje. Shkupi duhet të kuptojë se nuk mund të luajë me Athinën për një çështje të tillë, sepse nëse vendi do të përpiqej për një emër të dyfishtë, çështja do të ishte mbyllur shumë vite më parë. Shkupi ka hyrë në NATO pikërisht përmes Marrëveshjes, e cila ka problemet e veta, por ka dhënë një emër për përdorim të përgjithshëm. Nëse kjo kontestohet, Maqedonia e Veriut do të ketë probleme të mëdha, jo vetëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Greqinë, por edhe në marrëdhëniet e saj me NATO-n dhe BE-në, ku ka ambicie të bëhet anëtare në një moment”, tha Mitsotakis.

“Interesi im është të ndërtojmë ura dhe jo t’i rrënojmë dhe të bisedojmë në bazë të argumenteve, të bazuara në fakte”, tha atëherë Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

“Jam gati të diskutoj me argumente dhe fakte dhe këtë e kam bërë gjithë jetën, jo vetëm në samitin e NATO-s. Kudo që të jetë, në Athinë, në Shkup dhe në Bruksel”, theksoi Mickoski.

Të fundit