E enjte, 4 Korrik, 2024

NGA RMV PO IKIN NJERËZIT E SHKOLLUAR, DËMI – 1.1 MILIARD EURO NË VIT

Ikja e trurit mbetet fenomen alarmant në rajon. Strategjitë për parandalim nuk duken asgjëkundi, ndërsa shkaqet mbeten komplekse, raporton KDP.

Sipas një auditimi të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), 7,861 persona janë larguar jashtë vendit nga viti 2013 deri në vitin 2022. Prej tyre, 719 ishin me arsim të lartë. Maqedonia e Veriut është në top 20 vendet me migrimin më të madh. Pothuajse 40 për qind e stafit të arsimit të lartë është larguar nga vendi. Në indeksin e ikjes së trurit të ekonomisë globale, vendi renditet i pesti nga 41 vende evropiane.

“Aktivitetet e kryera të auditimit dhe evidencat e siguruara të auditimit na lejuan të fitojmë siguri të arsyeshme se veprimet e qeverisë si bartëse e politikave të menaxhimit të migracionit nuk janë mjaftueshëm efektive për të reduktuar largimin e njerëzve me arsim të lartë nga shteti”, thekson ESHR.

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur të krijojnë një ambinet për kthimin e trurit. Tregu evropian rritet në proporcion me zvogëlimin e fuqisë punëtore në rajon.

Sipas raportit të fundit të Departamentit të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, numri i njerëzve nga vendet e Ballkanit Perëndimor që jetonin jashtë ishte rreth 4.7 milionë, nga një popullsi prej 17.6 milionë banorësh. Ky numër përbën rreth 21 për qind që polullësisë së përgjitshme të rajonit, ndërkohë që vërehet një tendencë e rritjes së vazhdueshme që nga viti 1990.

Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina janë vendet me përqindjen më të madhe të migrantëve jashtë vendit: 44 për qind e popullsisë së Shqipërisë dhe 49 përqind e asaj të Bosnjës jetojnë në mërgim. Më pas vjen Maqedonia e Veriut me 34 për qind, e pasuar nga Mali i Zi me 21 për qind.  Serbia, ndërkaq, është vendi me përqindjen më të vogël të banorëve që jetojnë jashtë – 15 për qind nga popullsia e përgjithshme.

“Gjatë auditimit është punësuar një ekspert i cili ka kryer një studim/hulumtim, vlerësimet e të cilit tregojnë se në periudhën 2013-2021 nga shteti migrojnë mesatarisht rreth 2500 personel me arsim të lartë në vit, për të cilët shteti ka investuar mesatarisht 5 miliardë denarë çdo vit, ose gjithsej për periudhën e analizuar janë shpenzuar 44,7 miliardë denarë, gjegjësisht rreth 725 milionë euro”, thuhet në raportin e ESHR-së.

Fakti që ata njerëz nuk janë këtu për të shpenzuar e zvogëlon ekonominë për 0.8 për qind, pra 109 milionë euro në vit. Nëse do të kishin qëndruar për të punuar në vend, do të kishin krijuar 5.15 për qind të PBB-së, pra mbi 700 milionë euro, dhe ajo që shteti ka shpenzuar për arsimimin e tyre ndërsa ata punojnë diku tjetër, llogaritet në 3.19 për qind të PBB-së. Pra dëmi total është 8.34 për qind të PBB-së, pra 1 miliard e 140 milionë euro në vit.

 

Të fundit