E diel, 30 Qershor, 2024

KOSOVË: KATËR TË DËNUAR PËR PËRFSHIRJE NË VRASJEN E POLITIKANIT OLIVER IVANOVIÇ

Një gjykatë në Prishtinë dënoi të premten me mbi 20 vjet heqje lirie katër persona, nën akuzën për përfshirje në vrasjen e politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviç, gjashtë vjet më parë, ndërsa të dyshuarit për vrasjen ndodhen në arrati.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me katër vjet e gjashtë muaj heqje lirie Nedelko Spasojeviçin, ish pjesëtar u policisë së Kosovës, për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

Marko Roshiç, u dënua me dhjetë vjet heqje lirie për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje.

Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç, të dy ish pjesëtarë të policisë, u dënua me nga katër vjet heqje lirie për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Gjykata e shpalli të pafajshme Silvana Arsoviçin, ish sekretare e zotit Ivanoviç, ndërsa disa ditë më herët në mungesë provash, u la i lirë edhe i akuzuari Rade Basara.

Oliver Ivanoviç, i cili udhëhiqte nismën qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u qëllua para zyrës së tij në veri të Mirtovicës me 16 janar të vitit 2018. Në periudhën para se të vritej ai ishte shndërruar në një kritik të ashpër të qeverisë së Serbisë dhe të Listës Serbe, subjektit kryesor politike të serbëve të Kosovës, që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Oliver Ivanoviç u vra ndërsa ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile. Në janar të vitit 2016, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie nën akuzat për “krime lufte”, ndërsa në muajin shkurt të vitit 2017, çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë.

Të dënuarit e sotëm për përfshirje në vrasjen e tij, u arrestuan në disa operacione në veri të Kosovës në vitin 2018, ndërsa procesi gjyqësor filloi në vitin 2021, nën akuzat për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale vrasje e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza përmend gjithashtu ish nënkryetarin e Listës Serbe Milan Radojçiç, dhe afaristin Zvonko Veselinoviç si udhëheqës të grupit të organizuar kriminal që kreu vrasjen.

Të dy janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Milan Radojçiç kërkohet nga drejtësia në Kosovë, pasi mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 ndaj policisë së Kosovës në veri, gjatë të cilit u vra një oficer i policisë./VOA

Të fundit