E hënë, 1 Korrik, 2024

A PO ZHBËHET FRONTI EVROPIAN, MARRËVESHJA E OHRIT APO SHTETI UNITAR?

Skena politike shqiptare vazhdon të mbajë të lartë tempin e debatit edhe pas formimit të qeverisë së re. Vera e nxehtë politike si duket do të vazhdojë me intensitet të lartë, duke regjistruar akuza dhe kundërakuza midis përfaqësuesve të VLEN-it qeveritar dhe Frontit Evropian në opozitë, raporton KDP.

TARAVARI: FRONTI DHE BDI PO SHKATËRROHEN

Njëri nga liderët e VLEN-it dhe ministër i shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se Fronti Evropian, i drejtuar nga BDI, tashmë ka humbur vetëbesimin.

“Disa deputetë të tyre tashmë janë të luhatshëm, ata bisedojnë disa me VLEN-in, disa direkt me VMRO-DPMNE-në, dhe kjo krijon një lloj pasigurie për Frontin”, thekson Taravari në emisionin “On Time” në televizionin Koha.

Ai tha se ka pritur të ketë një qëndrueshmëri pak më të gjatë te BDI-ja, por siç theksoi, “si duket Fronti dhe BDI sipas përshtypjes sime dalëngadalë po zhbëhen”.

“Tani kur nuk kanë se si ta motivojnë anëtarësinë e vet, para se të formohej qeveria thoshin se s’bëhet qeveria dhe paska një telefon të kuq. Po qeveria u bë, e para asaj thoshin se kryetarin e Parlamentit nuk e merr VLEN-i, tash kryetarin e Parlamentit e kemi. Derisa ne negocionim për qeverinë, ata vazhdimisht rinin nëpër zyrat e Kuvendit dhe këtu unë dua ta përmendi zyrën 161 ku disa deputetë të Frontit kanë insistuar te VMRO-DPMNE-ja që të hynë në qeveri me katër ministra dhe pa kryetar parlamenti. Tash thonë se kjo qeveri do zgjasë tre apo gjashtë muaj, pas Vitit të Ri do të thonë se kjo qeveri do e zgjasë deri në zgjedhjet lokale dhe se ata do i fitojnë zgjedhjet lokale dhe do të bëhen pjesë e qeverisë. Këto janë mënyra legjitime që ata ta motivojnë anëtarësinë e vet, por unë mendoj se njëri prej deputetëve të Fornit, të BDI-së kur të largohet zyrtarisht, shumë shpejtë do të bëhet zhbërja totali e Frontit”, deklaroi Taravari.

Ai tha se ka pritur debat në Kuvend nga ana e BDI-së kur është zgjedhur qeveria e re, por sipas tij, vetëm dy prej tyre kanë debatuar.

“Ishin Sadulla Duraku dhe Blerim Bexheti të cilët më shumë ishin qesharak se racional. Por sido që të jetë, grupi parlamentar i BDI-së është më i dobët se kurdoherë tjetër”, potencioi Taravari.

Taravari tha se “VLEN” ka shumë më tepër pozita katualisht në qeveri sesa BDI-ja në vitin 2006, 2008, 2011 dhe 2016.

BDI: QEVERIA PO ZHBËN MARRËVESHJEN E OHRIT

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në një kumtesë për media, shpreh mosbesim dhe shqetësim të  thellë për “vendimin e qeverisë me legjitimitet njëetnik, për të ndryshuar formulën “balancues” që përcakton përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve etnike para se ta zhbëjnë atë tërësisht.”

“Duke injoruar të dhënat e regjistrimit të fundit që tregojnë se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, kjo qeveri ka vendosur të rikthejë përqindjen nën 25%, bazuar në të dhënat e regjistrimit të 20 viteve më parë.”

“Ky veprim përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejte, një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.”, thotë BDI në kumtesë

Ndërkohë, sipas BDI-së, “humbësit e zgjedhjeve dhe partnerët e Stoilkoviqit, të kapur dhe të pafuqishëm, vëzhgojnë në heshtje por edhe aktivisht  kontribuojnë në degradimin e përditshëm të pozitës së shqiptarëve.”

“Kjo është pasojë e qartë e faktit se ata nuk janë përfaqësuesit e votuar të komunitetit shqiptar, por partneri i preferuar i VMRO DPMNEsë, duke vënë në plan të parë pozitat, edhe pse kanë marrë vetëm thërrime nga institucionet e zhveshura nga kompetencat.”, thuhet në kumtesë.

SELA: MOSRESPEKTIMI I LEGJITIMITETIT – GODITJE PËR KARAKTERIN UNITAR TË SHTETIT

Mosrespektimi i legjitimitetit, sipas Ziadin Selës nga Fronti Evropian, do të thotë goditje mbi karakterin unitar të shtetit. I ftuar në Daily Click, Sela shprehet se karakteri unitar nënkupton një kushtetutë për të gjithë qytetarët, ndërsa për Mickoskin, thotë se po krijon dy kategori qytetarësh.

“Nuk mund të thuash dua të ruaj karakterin unitar të shtetit dhe nga ana tjetër të krijosh dy kategori qytetarësh. Karakteri unitar i shtetit nënkupton një kushtetutë, para së cilës të barabartë duhet të jenë të gjithë qytetarët. Cilët janë këto dy kategori qytetarësh? Po i lëmë shqiptarët. Ti krijon dy kategori maqedonasish. Një maqedonas në Strumicë që ka vetëm një gjuhë zyrtare, dhe një maqedonas në Strugë, Tetovë, Gostivar e Shkup, që ka dy gjuhë zyrtare, në aspektin institucional”, tha Ziadin Sela.

Duke komentuar deklaratat e koalicionit VLEN para dhe pas zgjedhjeve, të cilët fillimisht njoftuan se nuk do të hynë në Qeveri pa ndryshime kushtetuese, e më pas që duhet t’i jepet kohë VMRO-DPMNE-së, sipas Selës, kjo është gjuhë e gënjeshtarëve.

“Shkurt e shqip, kjo është gjuha e gënjeshtarëve, e mashtruesve të pacipë. Por brenda 100 ditëve t’i duhet të japësh pjesë nga premtimet që ke dhënë para qytetarëve. Kështu që, do shohim çfarë do të bëjnë bullgarët dhe për sa kohë që nuk përcaktohet afat që brenda 100 ditëve nuk bëjmë ndryshimet kushtetuese, ose brenda 1 viti do të bëjmë ndryshime kushtetuese ose brenda dy viteve, çdo deklaratë tjetër është fytyra e gënjeshtarit”, deklaori Sela.

Sela thotë se VLEN duhej të kushtëzonte për ndryshimet kushtetuese, ose në të kundërtën ta linte Mickoskin pa partner shqiptar për në Qeveri.

“Sepse ti nuk e ke krijuar pjesën tënde të përgjegjësisë. Pse nuk e le ti në pozicionin, Hristijan Mickoskin, që të mos ketë partner tek shqiptarët për sa kohë që nuk jep pass për ndryshimet kushtetuese, le të mendonte ai se si do ta bënte qeveri pa shqiptarët. Se dëgjoj deklarata të tipit po do bënte ai me ZNAM-in. Po le ta provojë! Kur ta dijë se i gjithë faktori politik shqiptar pret anash dhe pret se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.

Sipas Selës, koalicioni VLEN në Qeverinë e re ka hyrë kokëulur dhe pa program qeveritar. VMRO-DPMNE, sipas tij, ka marrë në qeveri një parti jolegjitime dhe e ka shpërblyer me pak pushtet.

 

Të fundit