E shtunë, 29 Qershor, 2024

TETOVA PËRSËRI NËN UJË, RAPORTOHET PËR DËME TË MËDHA

Territori i Pollogut të mërkurën mbrëma sërish u përball me reshje të  rrëmbyeshme të shiut dhe breshërit duke shkaktuar dëme në rrethinë dhe në malësi, njofton KDP.MK. Këto reshje, sipas raportimeve shkaktuan dëme të mëdha nëpër oborre, bodrume, shtëpi, shtylla elektrike, rrugë, objekte, tek të mbjellat bujqësore, tek mjetet e udhëtimit dhe të ngjashme. Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informoi se në 24 orët e fundit kanë pranuar 2388 thirrje në lidhje me reshjet dhe zjarret.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” informoi se ditën e sotme e kanë filluar me intervenim në rrugën e Banjës së Tetovës.

Nga atje thanë se: “Për shkak të erës së fortë, janë rrëzuar drunj të cilët kanë bllokuar dhe rrugën. Do të vazhdojmë të intervenojmë edhe më tej aty ku do të ketë nevojë”.

Ndërsa shefi i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ahmeti theksoi se nga dita e diel e deri më sot, kanë patur më tepër se 80 ndërhyrje.

Duke nxjerrë njerëz të bllokuar nga automjetet e tyre, nga shtëpitë, duke nxjerrë ujin nga podrumet e shtëpive e banesave kolektive, spitalit të qytetit, duke liruar nënkalimet në hyrjet e daljet e qytetit dhe duke bërë pastrimin e rrugëve të bllokuara në hyrje të fshatrave të Tetovës”, njoftoi Ahmeti.

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se në 24 orët e fundit kanë pranuar 2388 thirrje në lidhje me reshjet dhe zjarret.

QMK theksoi se se vazhdojnë të pranohen njoftime për dëme.

I gjithë informacioni u përzgjodh në mënyrën e duhur dhe u transferua tek autoritetet në pushtetin vendor dhe tek shërbimet dhe institucionet kompetente”, thanë nga QMK.

QMK duke iu referuar informacioneve nga QRMK Tetovë, mbrëmë gjithashtu informoi se janë marrë të dhëna për rrugë të bllokuar në fshatin Sellcë dhe Vicë në Malin Sharr, një pjesë e padepërtueshme e bulevardit “Bllagoja Toska” në Kazermën e Tetovës ku ka një veturë të bllokuar, si dhe shtëpi të vërshuara.

Kujtojmë se si pasojë e e rreshjeve të mëdha të shiut dhe breshërit që filluan të dielën, Komuna e Tetovës informoi qytetarët se kanë formuar komision ku  mund t’i paraqesin vetëm ato dëme që kanë të bëjnë nëpër amvisëri.

Ata duhet të marrin një kërkesë dhe ta dorëzojnë të plotësuar në arkivin e komunës.

Qytetari duhet të paraqesë: fletëpronësinë/prova e pronësisë, fotografi të ndërtesës së dëmtuar, kopje e kartës së identitetit dhe kopje e llogarisë së transaksionit.

Ndërsa për dëmet bujqësore, komuna sqaroi se i janë drejtuar Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave që të ndërmerren hapat e nevojshme ligjore me qëllim të dëmshpërblimit të të gjithë bujqve.

LEXO:

Ndëkohë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Cvetan Tripunovski pas vizitës së disa nga fushave të dëmtuara në rajonin e Tetovës, paralajmëroi se do të ketë kompensime dhe se do të merren masa për sigurimin e sipërfaqeve bujqësore.

Do të forcojmë masën për sigurimin e tokave bujqësore, sepse e dini ndryshimet klimatike po bëhen më të theksuara nga viti në vit. Masat tona që kemi planifikuar në programin parazgjedhor, ajo që do të praktikojmë tani është se kompensimi, d.m.th sigurimi do të jetë një nga masat, por edhe shumë elementë të tjerë shoqërues që do të nënkuptojnë mbrojtjen e tokave”, theksoi Tripunovski.

Lexues të KDP.MK-s, një ditë pas rreshjeve të shiut dhe breshërit dërguan fotografi të realizuar të kulturave të ndryshme bujqësore në rajonin e Pollogut, të cilat thuajse janë shkatërruar tërësisht. Ata për KDP.MK thanë se: “Tokat tona të mbjella me kultura bujqësore janë prekur thellësisht, dhe shumë prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Gjithashtu edhe stalla është prekur nga rreshjet e shiut, dhe uji ka hyrë në stallë, duke shkaktuar kështu dëme të mëdha edhe tek lopët”.

Enis Karimani, fermer nga Komuna e Tetovës, ditë më parë theksoi se dëmet e shkaktuara nga breshëri kanë qenë katastrofike.

Tokat tona të mbjella me kultura bujqësore janë prekur thellësisht, dhe shumë prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Kjo situatë na ka lënë pa mundësi për rikuperim, dhe është një sfidë e madhe për ne”, thotë ai.

Ai shtoi se si pasojë e reshjeve intensive të shiut, edhe stalla ku i mba kafshët ishte përmbytur.

“Gjithashtu edhe stalla është prekur nga rreshjet e shiut, dhe uji ka hyrë në stallë, duke shkaktuar kështu dëme të mëdha edhe tek lopët. Kushtet e kafshëve janë të rënda, dhe ne po përballemi tani edhe me një sfidë të madhe për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, përfundoi Karimani, duke nënvizuar se dëmet janë jetike, pasi të ardhurat kryesore i nxjerrin pikërisht nga këto kultura bujqësore.

Të fundit