E shtunë, 6 Korrik, 2024

RAPORTI I BORELLIT: ANËTARËSIMI I BALLKANIT PERËNDIMOR – NJË NGA PRIORITETET E BE-SË

Progresi në procesin e negociatave për anëtarësimin e Maaqedonisë së Veriut dhe shteteve të tjera të rajonit në Bashkimin Evropian (BE) është një nga prioritetet kryesore të Unionit, thuhet në Raportin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borell. Fjala është për “Raportin mbi politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë – Prioritetet tona më 2024”- përcjell kdp.mk.

Në këtë dokument thuhet se një nga prioritetet e përbashkëta të vendeve anëtare të BE-së për të ardhmen është përmbushja e perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Fokusi i mëtejshëm rajonal, përmbushja e perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të jetë një nga prioritetet e përbashkëta për të ardhmen. Kjo duhet të përfshijë përparimin në procesin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, në bazë të zbatimit të angazhimeve që lidhen për BE-në. Prioritet është inkurajimi i harmonizimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, – thuhet në dokumentin e lartpërmendur.

“Raporti mbi Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë” mbulon të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur deri më 31 maj 2024. Në këtë dokument, Borell përshkruan se si lufta në Ukrainë ndikon edhe në mjedisin e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian tani po përballet me dy luftëra që po marrin flakë në fqinjësinë e tij. Pushtimi i plotë rus i Ukrainës dhe vazhdimi i agresionit (pas agresionit që filloi në 2014 me aneksimin e paligjshëm të Krimesë) krijon një kërcënim të madh për sigurinë evropiane. Në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste brutale dhe joselektive të Hamasit anembanë Izraelit më 7 tetor 2023 shkaktuan  konfliktin në Gaza që ka një efekt joproporcional mbi civilët. Kjo shkaktoi një situatë katastrofike humanitare. Ekziston ende rreziku që ai të përhapet në Bregun Perëndimor dhe në të gjithë rajonin”, – thuhet në raport.

Sikurse nënvizohet, interesi jetik i BE-së është “të ndihmojmë Ukrainën të mbizotërojë dhe të punojmë për një paqe të përhershme dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, të shmangim një konflikt më të gjerë rajonal si dhe të zbusim pasojat”.

Të gjitha këto ngjarje ilustrojnë se sa konteksti gjeopolitik në të cilin operon BE-ja mbetet i karakterizuar nga pasiguria radikale dhe dinamika kryesore themelore e tranzicionit e kalimit nga bashkëpunimi në konkurrencë, – shton Raporti.

“Përhapja e konflikteve dhe normalizimi i përdorimit të forcës normalizojnë dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike nga disa shtete dhe aktorë joshtetërorë”, – theksohet në dokument.

Prandaj, Raporti thekson se në kontekstin aktual gjeopolitik mbetet thelbësore që Ballkani Perëndimor të qëndrojë i vendosur në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim, si faktor pozitiv përmendet se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, janë rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme evropiane.

“Ka vazhduar angazhimi i intensifikuar politik i BE-së vazhdoi, duke përfshirë vendimin historik për të hapur negociatat e aderimit me Bosnje dhe Hercegovinën. Partnerët nga Ballkani Perëndimor vazhduan të rreshtohen me shumicën dërrmuese të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) që dënojnë pushtimin rus dhe ndikimin e tij humanitar. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë harmonizuar tërësisht me politikën e jashtme të BE-së, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë. Kosova vullnetarisht është harmonizuar me këto masa. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është realizuar”, – thuhet ndër të tjera në këtë dokument./KDP/

Të fundit