E shtunë, 29 Qershor, 2024

HISTORIANI BULLGAR: “POLITIKËN NDAJ BULLGARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT DO TA PËRCAKTOJNË SERBËT”

Në Këshillin Evropian, Bullgaria do të insistojë që në miratimin e Konkluzioneve të takimit të përfshihet teksti për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar shërbimi për shtyp i qeverisë bullgare.  Sikurse njofton Radioja shtetërore e Sofjes, Kryeministri në detyrë Dimitër Gllavçev do t’i kërkojë Këshillit Evropian të rikonfirmojë konkluzionet e 14 dhjetorit 2023, si dhe konkluzionet e Këshillit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të 18 korrikut 2022 dhe t’i bëjë thirrje Maqedonisë së Veriut të përmbushë kushtet e nevojshme në rrugën e integrimit të saj evropian. Në të njëjtën kohë, historian bullgar Spas Tashev ka komentuar edhe ministrinë e re maqedonase që do të drejtohet nga serbi Ivan Stoilkoviq – përcjell kdp.mk

Sipas Gllavçevit, është e rëndësishme të theksohet se zbatimi i të gjitha angazhimeve, si dhe përparimi në të gjitha reformat në lidhje me BE-në, mbetet kyç. Një ditë më parë, kreu i shtetit Rumen Radev bëri thirrje për veprime konkrete të menjëhershme nga qeveria bullgare dhe institucionet evropiane për respektimin e parimeve evropiane për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Qeveria e re në shtetin tonë fqinj ka treguar qartë se frika më e madhe e klasës politike në këtë vend është të njohë ekzistencën e fjalës “bullgar” në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, –  theksoi presidenti bullgar, duke komentuar një deklaratë të kryeministrit Hristijan Mickoski se do të kërkojë negociata me Bullgarinë për ndryshimin e kornizës negociuese. Reagimi u bë në të njëjtën kohë me qëndrimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë sipas së cilës “është I papranueshëm qëllimi I deklaruar i Qeverisë së Re të  Maqedonisë së për të refuzuar kërkesën legjitime të një pjese të qytetarëve të saj për garantimin e të drejtave dhe lirive në të njëjtin nivel me të gjitha komunitetet e tjera në vend, duke përfshirë përfshirjen e tyre në kushtetutën e vendit fqinj”- njofton radioja bullgare.

“Ngritja e ideve për rinegociim të angazhimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare do të çonte vetëm në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim në BE”, – thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme bullgare, ku kujtohet se “si pasojë e provokimeve dhe konfrontimeve të panevojshme me vendet fqinje, Maqedonia e Veriut tashmë ka humbur shumë kohë në procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit”. Për këtë arsye, Sofja e cilëson si “të papranueshëm” synimin e deklaruar të Shkupit për të mos respektuar zotimet ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara.

Në këtë vijë  është edhe reagimi i shefit të grupit parlamentar bullgar të “Ka një popull të tillë” Toshko Jordanov, sipas të cilit “shteti i Maqedonisë së Veriut nuk do të hyjë kurrë në Bashkimin Evropian”

“Kjo është dëshmia e radhës se kompromiset e shumta në skenën diplomatike nuk çojnë në rezultatet e dëshiruara. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut madje i lejon vetes të bëjë presion ndaj deputetëve bullgarë dhe evropianë që të mbështesin kauzën e tij për të ashtuquajturin rinegocim nëpërmjet anëtarësimit të tyre në familjet e përbashkëta evropiane. Kryeministri Mickoski, deklaroi se diktati bullgar nuk do të kalojë derisa ai të jetë kryeministër….Ndërsa ju vazhdoni të flisni për diktimin bullgar dhe nuk i respekton marrëveshjet, shteti i Maqedonisë së Veriut nuk do të hyjë kurrë në Bashkimin Evropian”,- ka polemizuar, në distancë, me kryeministrin Mickoski, deputeti bullgar Jordanov.

Dr Spas Tashev nga Akademia Bullgare e Shkencave, studiues i Ballkanit dhe autor i studimit “Luftërat e bullgarëve maqedonas për të drejta dhe pavarësi – 68 raste nga periudha 1944-1994”, në intervistë për Radion e Jashtme të Bullgarisë, këto ditë ka thënë se deklarata e kryeministrit Mickoski se “diktati bullgar nuk do të kalojë sa të jem kryeministër”, në fakt, i vendos në plan dytësor ambiciet integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut:

“U krijua edhe një Ministri për Marrëdhëniet ndërmjet Bashkësive Etnike dhe u emërua një serb etnik për ministër, pra politikën ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut do ta përcaktojnë serbët, gjë që nuk është një mesazh i mirë. Shkupi u përpoq të fliste për një lloj reciprociteti në marrëdhëniet bullgaro-maqedonase dhe Serbia ka një vit që mbron të njëjtin parim. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë tha vitin e kaluar se meqenëse nuk ka serb në Bullgari, nuk mund të ketë bullgarë në Serbi. Nuk mund të ketë një ekuilibër të tillë, sepse është çështje realitetesh historike, jo dëshirash. Në vitin 1946, në Krahinat Perëndimore kishte 60 000 bullgarë. Kjo nuk do të thotë se ky dallim u shkri. Vetëm se këta janë persona të asimiluar, të cilët ende e përdorin gjuhën bullgare në nivel të përditshëm, por nuk guxojnë të deklarohen si të tillë, për shkak të kësaj gjuhe të urrejtjes, e cila është e përbashkët për të gjithë hapësirën post-jugosllave.”/KDP/

Të fundit