E diel, 30 Qershor, 2024

FAN NOLI DHE QEVERISJA E TIJ NË KËNDVËSHTRIMIN E POLITIKËS GJERMANE

Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi

Më 14 qershor 1924, Ministria e Jashtme gjermane e njohu menjëherë qeverinë  e Fan Nolit, duke deklaruar se “ngjarjet e fundit në Shqipëri nuk përbëjnë ndryshim kushtetues, por më tepër një ndryshim qeverie. Kështu që përfaqësia jonë diplomatike në Tiranë është udhëzuar të vendosë marrëdhëniet me qeverinë e re”. Si rrjedhim, tre ditë më vonë, më 17 qershor 1924, kryeministri Noli informon shkresërisht Legatën gjermane për përbërjen e qeverisë së tij.

Ndër të tjera, ministri gjerman në Tiranë njoftonte më 27 qershor 1924 Berlinin se “sikurse kam njoftuar edhe më parë që nuk mund të jepet asnjë garanci për jetëgjatësinë e qeverisë së re. Po ashtu kam thënë se vendosja e marrëdhënieve zyrtare është e këshillueshme, ndonëse nuk kemi ndonjë simpati të veçantë për asnjërën palë, si për këta të sotshmit, ashtu edhe për qeverinë tjetër që mund të vijë herët a vonë. Çka na duhet ne me kërkimet për naftë të anglezëve apo me zgjedhjen e një prefekti antiserb në rajonin kufitar! Gjithë kjo e parë natyrisht në këndvështrimin lokal! Unë nuk jam në gjendje të vlerësoj situatën e përgjithshme kur ka faktorë të padukshëm”.

Sikurse kuptohet qartë, për Berlinin nuk kish ndodhur asgjë tjetër, veçse një ndërrim qeverish, ndonëse pa votë.

Por ama me shumë interes u ndoq nga politika programi i qeverisë që u shpall më 19 qershor 1924: “në tërësinë e tij ky program është i lavdërueshëm. Është një fitore sikur këta burra të realizojnë vetëm një pjesë të tij. Mjafton të zbatohen vetëm disa pika të programit si, lufta ndaj sëmundjeve popullore, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe zhvillimi i bujqësisë së prapambetur”, theksonte ministri gjerman. Sikurse shihet programi qeveritar vlerësohej prej tij me nota shumë pozitive. “Mesa duket edhe Shqipërisë i erdhi ora të hedhë tej mbulesën e rëndë të feudalizmit, që është e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër”, vazhdon më tej ministri gjerman. Sa i përket karakterit të përgjithshëm të qeverisë së re, ai e përmbledh në një fjali: e orientuar kundër bejlerëve dhe një kundërpërgjigje e fortë ndaj kabinetit të Shefqet Vërlacit, të cilin ai e konsideron si një manifestim të mahnitshëm të feudalizmit në Shqipëri.

Një dimension tjetër i këtij dokumentacioni arkivor është edhe analiza që i bëhet lëvizjes dhe qeverisjes së Nolit në rrafshin ndërkombëtar. Raportimet e shpeshta te legatës gjermane ne Tiranë dokumentojnë edhe njohjen e qeverisë së Nolit nga shtetet e tjera. Pra tezat që artikulohen hera-herës sot se, një nga arsyet e rënies së qeverisë Noli është edhe mosnjohja e qeverisjes së tij nga vendet e tjera, nuk qëndron plotësisht. Këtu duhet të mbajmë parasysh se cilat ishin shtetet e rëndësishme për Shqipërinë në këtë kohë. Dhe në momentin që Greqia, Jugosllavia, Italia, që kishin ndikim të drejtpërdrejtë mbi Shqipërinë e njohin qeverisjen e tij, por edhe shtete të tjera si Gjermania, apo Franca, kryeministri i së cilës sikurse edhe ai i Jugosllavisë, i dërguan menjëherë një telegram urimi Fan Nolit, tregon se mosnjohja e qeverisë si një nga shkaqet e largimit të Nolit, nuk mund të jetë shkak kryesor.

Me interes për tu përmendur është edhe informacioni që kjo legatë dërgon në Berlin për Revolucionin e Qershorit.

Arsyet e zhvillimit të Revolucionit të Qershorit nuk shpjegohen vetëm me nacionalizimin shqiptar: “Nacionalizmi i madh i shumë lavdëruar, me indinjatën e tij flakëruese kundër bejlerëve kombprishës, së bashku me zjarret e shenjta të rinisë së shqetësuar për të ardhmen e Shqipërisë, gjarpëron nëpër disa rrugica, të cilat nuk çojnë në një drejtim të unifikuar”, shkruan ministri gjerman në Tiranë. Gjithsesi, ai vlerëson qartë se pikënisja thelbësore për këtë lëvizje ishin rezervat që pjesa më e madhe e popullit kishte ndaj shtresës së bejlerëve. Po ashtu, gjithmonë sipas këtij vlerësimi, një arsye edhe më e fortë ishte urrejtja që shumë njerëz kishin akumuluar kundër Ahmet Zogut.

Nëse “largohesh nga idetë dhe lajtmotivet bazë të revolucionit dhe shkaqet e tij, atëherë vrasja e Avni Rustemit është një nga pikënisjet më të forta” theksohet në një raport të ministrit gjerman. Po me kaq interes ai ndiqte edhe fjalimet e mbajtura në takimet popullore ku sipas tij artikuloheshin shumë dëshira, shumë ankesa, shumë propozime, aty shfaqeshin shumë të gjithëditur, recitoheshin shumë parime revolucionare me fjalë shumëngjyrëshe por të paqarta, dhe ku përfaqësuesit e inteligjencës, si Fan Noli, lejonin çdo njeri të shprehte indinjatën sipas mënyrës së tij.

Me po kaq mprehtësi ministri gjerman përshkruan edhe të ashtuquajturën klikë, e cila për interesat e saj të ngushta personale doli kundër Ahmet Zogut dhe mori pjesë në revolucion: “Mund të ndodhë që këta elementë, të cilët para dy vitesh ishin përkrahës të Ahmet Zogut dhe tani mendojnë njësoj si Fan Noli ose Gurakuqi, nuk përfitojnë asgjë dhe një ditë prej ditësh ndoshta fillojnë të kenë nostalgji për Ahmet Zogun, njësoj si u ndodh burrave në martesën e dytë, kur fillojnë e kujtojnë ditët e lumtura me gruan e parë”, vlerëson jo pa nota humori ministri gjerman në Tiranë.

Me interes për tu ndalur në këtë kumtesë është një takim, ndoshta i pari, ndërmjet ministrit gjerman në Tiranë dhe kryeministrit Noli në fillimkorrikun e 924-ës. Nga biseda e zhvilluar dalin disa konkluzione.

E para, qeveria e Nolit pranoi të njihte dhe vazhdonte gjithë punën e bërë nga qeveria paraardhëse në lidhje me marrëdhëniet bilaterale shtetërore. Ky veprim tregon vizionin e kësaj qeverie për konceptin e shtetbërjes dhe të respektimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

E dyta, qeveria e Nolit ishte e interesuar për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike me Gjermaninë, e shprehur në mbështetjen që qeveria shqiptare duhej t’i jepte një firme gjermane për ngritjen e një linje fluturimi ajror. Ky projekt ishte miratuar nga qeveria parardhëse por nuk ishte përfunduar ende. “Fillimisht u duk sikur kryeministri nuk dëshiron ta shohë shumë shpejt veten në një avion, për të shkuar p.sh. në Korçë për një orë, në vend të 3-4 ditëve që i duhet të udhëtojë tani” shkruan ministri gjerman Lamberg.

Bëhet fjalë për shoqërinë gjermane ajrore «Adria Aerolloyd» , e cila u krijua në shkurt të vitit 1924 në Berlin dhe kishte ngritur qendrën e saj në Vlorë. Ajo synonte organizimin e shpejtë të transportit ajror brenda Shqipërisë dhe me shtetet fqinje. Qeveria e Nolit e njohu atë si «Shoqëria Ajrore Kombëtare e Shqipërisë» duke i dhënë asaj njëkohësisht një koncesion prej 10 vjetësh si edhe ekskluzivitetin e transportit ajror në Shqipëri. Kontrata u nënshkrua nga ministri i Punëve Botore Qazim Koculi më 3 shtator 1924 dhe u ratifikua nga kryeministri Ahmet Zogu më 17 mars 1925.

Më 18 Mars 1924 nga Trieste erdhën në Vlorë dy avionë Junker dhe gjashtë pilotë. Shoqëria kryente fluturime në tre drejtime kryesore (vajtje-ardhje) me qytetet e Korçës, Vlorës dhe Shkodrës. Kabina e fluturimit mbante katër pasagjerë dhe po ashtu kishte vend edhe për transportin e postës. Çmimet e fluturimeve varjonin nga 20 deri 80 franga ari.

E treta, në këtë takim u diskutua edhe dhënia e një forme më të plotë të “mundësisë së kolonizimit” gjerman në Shqipëri, në kuadër të reformës së planifikuar agrare nga qeveria e Nolit. Në Bosnje gjendej një koloni gjermane, e cila nuk ndihej mirë aty dhe politika gjermane po shikonte mundësinë e vendosjes së saj diku tjetër.

Në takim u shmangën bisedat për politikën e brendshme dhe ministri Lamberg e mbyll raportin e tij me fjalët se “Fan Noli është një adhurues i Wagner-it dhe më foli me shumë adhurim për qëndrimet e tij në Berlin në vitet 1915 dhe 1922”.

Ideja për vendosjen e një kolonie gjermane në Tiranë ishte hedhur që në vitin 1923. Në këtë kuadër, konsullata gjermane në Trieste i kishte dërguar në mars të 923-shit referentit për Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme gjermane një studim, më saktë një “Orientim për Shqipërinë si një vendbanim”, i hartuar nga një inxhinier, me emrin Karl Hoffer.

Studimi përbëhet nga 15 kapituj. Në të janë trajtuar marrëdhëniet politike, fetare, kulturore, gjuhësore, ekonomike, juridike, gjeografike dhe topografike, bujqësia dhe klima, fuqia ekonomike, tregtia dhe industria, mënyra e jetesës dhe punësimi, blerja e tokës dhe koncesionet si edhe ligjet e emigrimit/qëndrimit për të huajt.

Ky studim, përveç faktit që për ne sot është një dokumentim shumë interesant i gjendjes së Shqipërisë së këtyre viteve, i shërbente plotësisht qëllimit të hartimit të tij. Më lejoni të lexoj vetëm një fragment j: “[…] Emigrantët austriakë dhe gjermanë munden që vetëm me paratë e udhëtimit për në Amerikën e Jugut, të vijnë dhe jetojnë për 2-4 muaj në Shqipëri, e cila është më afër dhe shumë më e lirë. Në këtë kohë ata mund të studiojnë vendin, të kërkojnë mundësitë e sigurimit të ekzistencës së tyre dhe të arrijnë në përfundimin nëse ja vlen apo jo të qëndrojnë në Shqipëri. Emigrimi në Shqipëri e këput më pak urën lidhëse me mëmëdheun, krahasuar me kalimin e oqeanit dhe u ofron austriakëve dhe gjermanëve mundësinë e jetesës në një vend me të ardhme, duke ndihmuar një popull fisnik në zhvillimin e tij të pavarësisë dhe ekonomisë. Në Shqipëri plotësohen të gjitha kriteret natyrore dhe nuk mungon asgjë tjetër veç dijes, kapitalit dhe punës. Por në Shqipëri do të gjejnë një atdhe të dytë veç njerëzit e ditur, punëtorë dhe të ndershëm. Në të nuk ka vend për aventurierë dhe fatkërkues”.

Sa i përket këtij projekti nuk kemi të dhëna të tjera arkivore për vazhdimësinë e tij. Një shpjegim i mundshëm për mos zhvillimin e tij mund të jetë nënshkrimi i Paktit të Parë të Tiranës në vitin 1925, çka hodhi dhe themelet e konkretizimit të planeve italiane për Shqipërinë. Në mënyrë konstante Italia kujdesej që ndikimi gjermanë në Shqipëri të ishte sa më i vogël, madje inekzistent. Po ashtu, qeveria Noli pati një jetëgjatësi shumë të shkurtër, për të hedhur hapa konkrete në këtë drejtim.

***

Duke përfunduar vlen të theksohet se ardhja në qeveri e Fan Nolit dhe programi i saj i 19 qershorit 1924 u konsiderua si një hap pozitiv për zhvillimin e Shqipërisë dhe shënonte shkëputjen e saj nga feudalizmi mesjetar, pavarësisht se kishte një skepticizëm të dukshëm për jetëgjatësinë e kësaj qeverie, duke marrë në konsideratë si kushtet e brendshme ashtu edhe ato të jashtme. Gjermania kishte vetëm interesa ekonomike dhe tregtare në Shqipëri dhe e konsideronte programin e qeverisë Noli si të përshtatshëm për hapjen e Shqipërisë ndaj kapitalit dhe investimeve të huaja, çka ishte e vetmja mundësi për zhvillimin e Shqipërisë. Mbresëlënës është fakti që në raportet diplomatike lëvizja Fan Noliste konsiderohet si revolucion, madje e quajnë shkoqur Revolucioni i Qershorit dhe lëvizjen e tij demokratike, që u diktua kryesisht nga zhvillimet e brendshme por edhe nga ndikimet dhe interesat e shteteve të huaja, kryesisht Italisë dhe më vonë  edhe Jugosllavisë, me mbështetjen që ajo i dha Ahmet Zogut në triumfin e tij të Legalitetit.

Të fundit