E premte, 28 Qershor, 2024

DAKU, CANA DHE NJË RRËFENJË PËR SUKSESIN

Nga Sokol Balla

Çfarë bëre Daku? Këtë pyetje e kemi të gjithë sot, një ditë para betejës me Spanjën (për jetë a vdekje e quajti Kapiten Gjimshiti), kur u mor vesh lajmi për dënimin e Dakut për dy ndeshje. Me gjasat e sotme të kualifimit (19 përqind), i bie që Daku ndeshjen e radhës, nëse grumbullohet me Kombëtaren, ta bëjë dikur nga viti 2025. Dhe përse? Dikush mund të thotë se iu dorëzua një momenti gëzimi. Ndoshta. Por duhet ta kishte lënë të festonte me shokët. Por zgjodhi të harbohej me tifozët, të cilëve u lejohet ndonjë rrëshqitje, pasi nuk luajnë në fushë. Kurse Shqipëria, siç tregoi ndeshja me Kroacinë, kishte nevojë për Dakun. Dhe do kishte shumë edhe kundër spanjollëve. Për energjinë që ai shpreh në fushë. Por zgjodhi ta çojë energjinë në drejtimin më të panevojshëm. Natyrisht nuk është shqiptari i parë, që harxhon kot energjitë, bile as futbollisti i fundit. Beckham është i pari që më vjen në mendje, me atë incident kundër Argjentinës në Botërorin 1998. Incident fëminor kundër Simeones, por që i kushtoi Anglisë. Ndërsa Beckham i kushtoi së paku një vit, bullizim deri kërcënime me vdekje nga tifozët. Ndoshta Daku sot shihet nga një pjesë e tifozëve tanë si “hero”, por vras mendjen pas ndeshjes nesër me Spanjën, do jetë hero pozitiv, apo negativ? Por mendoj se një pyetje tjetër duhet t’i përgjigjemi sot, pas incidentit “Daku”: Për çfarë kemi nevojë sot? Për një “trim”?

Pukjanët e kanë këtë përgjigje, me një shprehje frazeologjike: “Vetëm trimat, nuk i dëgjojnë dot këngët për ta”. Kuptohet përse. Kombëtarja shqiptare është një ekip i suksesshëm. Por ajo e vitit 2016, ishte më e suksesshme sepse ishte një ekip i madh. Meqë ra fjala te patriotizmi, emrat që më vijnë ndërmend janë dy: Bekim Balaj dhe Lorik Cana. Bekimi ishte bekimi i Kombëtares, me atë gol historik në Portugali, por u kthye në bekimin e kombit, kur kundër Serbisë në Stadiumin Partizan të Beogradit, shpëtoi simbolet kombëtare nga dhuna e lojtarëve të tërbuar serbë. Lorik Cana po atë natë, fitoi titullin e lartë të liderit të shqiptarëve në fushën e futbollit, kur shembi në tokë, roje e tifozë e lojtarë serbë që ushtruan dhunë mbi futbollistët tanë. Cana nga ai moment, u shndërrua në një hero kombëtar. Ndërsa për ne tifozët e kombëtares, ai u shndërrua në Kaizerin, në Bekenbauerin tonë. Jo thjesht sepse mbanin të dy të njëjtin numër, të njëjtin rol dhe shiritin e kapitenit. Jo. Shiritin e kapitenit nuk e merr njeri kot. E merr sepse është një lider. Sepse lider nuk të bën mosha. Të bën dashuria, pasioni edhe i dhunshëm për ndeshjen, për futbollin, për kombëtaren dhe për kombin. Me vepra, dhe jo me fjalë si Daku.

Të jesh hero, nuk ka nevojë të flasësh, ka nevojë të veprosh. Në kushte të vështira për veten dhe skuadrën. Gjysmë finalja e Botërorit 1970 në stadiumin Azteca, quhet ndeshja më e madhe e shekullit XX, jo thjesht për rezultatin dhe golat, por edhe pamjet dramatike të kapitenit gjerman Beckenbauer, i cili luajti gati gjysmën e lojës me një shpatull të dalë vendit, pasi Gjermania nuk kishte më zëvendesues. Luajti ashtu, dhe nga mbrojtja hidhej në sulm. Gjermania humbi një mundësi për finale botërore, por fitoi një lider. Një kaizer. I cili veç dy vite më vonë, i çoi Panzerët në triumfin e parë europian, Bayern-in e tij në një seri unike tre titujsh në Champions League dhe Gjermaninë një titull botëror në 1974, titull që i mungonte prej 20 vjetësh. Dhe kjo nuk është një histori unike dhe as e vjetër. Në këtë europian, veç ndeshjes sonë me Kroacinë, besoj dy ndeshje do mbahen mend për intensitetin dhe agoninë sportive. Austriakët vërtet u mundën nga Franca, por desh i morën frymën francezëve me presionin fizik. Griezman përfundoi i gjakosur, pasi e hodhën dy metra në ajër dhe e përplasën në reklamat elektronike. Në një avantazh të qetë, francezët mund të ishin tërhequr në mbrojtje. I pari kapiteni i tyre. Kylian Mbappe, të cilin e pret vazhdimi i legjendës së Realit në Madrid, kishte më pak arsye se të gjithë që të përleshej me austriakët. Por ai bëri të kundërtën: u përlesh më shumë se të tjerët. Pasoja fizike ishte e rëndë: theu hundën, ngeli jashtë formacionit në ndeshjen e dytë. Në ndeshjen tjetër Angli – Serbi, një tjetër lojtar i Realit, super ylli Jude Bellingham, ka fituar një nga katër çmimet që mund të fitojë një lojtar. Ka fituar Champions League-n e parë dhe me shumë gjasë do të fitojë Topin e Artë këtë vit. Në rast se Anglia fiton Europianin, fitorja e Topit të Artë është e sigurtë dhe Jude, vetëm 20 vjeç do të priste vitin 2026, për të fituar titullin e katërt personal, të kampionit të Botës, vetëm 22 vjeçar. Vlera e kartonit të tij sot është e paçmueshme dhe vazhdon t’i sjellë miliona para, edhe klubit të mëparshëm Borussia Dortmund, për shkak të premiove. Por në mbrëmjen e betejës me serbët, Jude Bellingham shënoi një gol, që për 1 milisekondë, mund t’i kushtonte ndoshta edhe jetën. Shiheni nëse keni mundësi atë gol edhe njëherë: Bellingham hidhet në një tre hapësh të frikshëm dhe se paku 2 metra në ajër, për të kapur krosin nga krahu i djathtë. Mbrojtësi serb hidhet me po të njëjtën lartësi dhe vrull si sulmuesi anglez, por vetëm 1 milisekondë me vonesë. Nëse do ishte hedhur 1 milisekondë më herët, koka e Bellingham nuk do kishte kapur topin, por kokën e të çmendurit serb.  Pasojat? Me siguri frakturë në kokë. Më tutje s’po guxoj as ta mendoj. Por çfarë shtyn Mbappe apo/edhe Bellingham, të luajnë në këtë mënyrë dhe të rrezikojnë të hedhin në erë karrierat apo vlerat financiare që përfaqësojnë e që shkojnë mbi 1 miliard Euro? Por jo vetëm këta. Çfarë shtyu hungarezin Barnabas Varga, që mbrëmjen e kësaj të diele, të hidhej në një përleshje me skocezët, të dëmtohej deri në rrezikimin e jetës dhe të humbte ndjenjat për gati dy orë?

Është e njëjta gjë që shtyu kampionin absolut të Formula 1, Ayrton Senna në kthesën famëkeqe në garën e Italisë në 1993, që të shtonte shpejtësinë kur i afrohej kthesës dhe të humbiste kështu – pa pasur nevojë – jo thjesht garën, por jetën e tij.

Në vitin 2019 i ftuar nga Ferrari, shkoj në garën e Abu Dhabi të Formula 1. Përtej fotove, emocioneve, në pistë dhe box-in e kuq, ishte një tjetër takim, që nuk më hiqet nga mendja: ai me mjekun e klinikës së trajnimit të pilotëve. Zotëria Italian që nuk ja mbaj mend emrin, kishte shpikur metodën revolucionare të trajnimit të pilotëve, jo në pistë, por brenda në klinikë. Jo të aftësive fizike, por atyre mendore. “Truri, thoshte doktori Italian, ndahet në dy pjesë: atë ballore, që lidhet me mendimin, ndjenjat dhe logjikën dhe është pjesa që na dallon nga kafshët. Si dhe atë të pasme që prodhon lëvizjet dhe adrenalinën”. Adrenalina është ajo që provokon entuziasmin, por edhe frikën. Ndërsa frika te kafshët kontrollohet nga instikti, te njeriu kontrollohet nga pjesa ballore e trurit: nga logjika. Testi gjenial i doktorit ishte i thjeshtë. Përmes rezonancës ai kontrolloi aktivitetin e pilotëve gjatë garave në playstation, e më pas edhe në pistë. Zbulimi ishte befasues. Sa më shumë i afrohesh një kthese, logjika të thotë që duhet të ulësh shpejtësinë. Këtë thotë dhe kodi rrugor. Në rrugë po, por jo në pistën e Formula 1. Në pistën e F1, treguan rezonancat, fitonte ai që balanconte në kthesë, adrenalinën, mes logjikës dhe riskut. Një fije e hollë, 1 milisekondë që ndan suksesin nga humbja. Testet konstatuan se ata që futeshin më shpejt në kthesë, pikërisht aty parakalonin rivalët. Dhe kur futeshin ashtu, pjesa më aktive e trurit, ishte ajo pas, jo ajo para. Adrenalina kontrollohej jo nga logjika, por nga intuita. Intuita e fituesit. E pyeta se kush nga pilotët e kishte këtë dhunti. “Maks Verstappen është i frikshëm. Jacques LeClerc gjithashtu, por i duhet akoma edhe pak kohë”. Që nga dhjetori 2019, Verstappen ka fituar 4 tituj rresht. LeClerc, ka mundur frikën. Dhe kështu ka rikthyer Skuderinë Ferrari, në podiumet e fituesve. Ndaj Bellingham dhe Mbappe luajnë me milisekondën. Ndryshe nuk do të kishin atë vlerë. Ndryshe nuk do të ishin fitues.

Sigurisht që kjo sfidë mes shpejtësisë dhe suksesit, ka gjithmonë rrezikun. Këtë e pagoi Senna me jetën e tij. Lorik Cana në Beograd rrezikoi jetën e tij. Në Euro 2016, luajti me jetën, megjithëse doktorët i kishin thënë të linte menjëherë sportin. Përballoi dhe kritikat tona që pyesnim me ton se përse Loriku po luante jo mirë. Loriku heshti dhe foli vetëm atëherë kur nuk do t’i quhej më as ankesë, e as justifikim. Ndaj megjithëse e ka lënë futbollin, po të isha unë Sylvinho, do ta thirrja sot në kombëtare. Dikush mund të thotë me të drejtë se kombëtarja jonë nuk është Ferrari dhe se Loriku nuk mund të rikthehet siç u rikthye Alonso. Spanjolli kur e la Formulën, pikërisht në atë garë në Abu Dhabi, ishte në timonin e Renault dhe përfundoi garën i shtati. “Mendo ama”, më thoshte doktori Italian, “nëse nuk do ishte Alonso në timon, ajo makinë nuk do ishte në vendin e shtatë, por të fundit”.

Thënë këtë, të hidhesh me sy mbyllur drejt kthesës, duke shtuar shpejtësinë, nuk të bën vetëm stërvitja, pasi të duhet edhe ai 1 përqindëshi i talentit, që ta jep perëndia. Kombëtarja jonë “Renault”, ndoshta nuk do bëhet kurrë “Ferrari” dhe këtë bëjmë mirë të fillojmë ta pranojmë me qetësi, para se të çmendemi nga adrenalina e tepërt.

Lojtarëve tanë nuk u duhet sot një hoxhë që t’i “këndojë” e t’i bëjnë të fitojnë kundër Spanjës. U duhet Cana që t’i mësojë që të rriten e të bëhen burra. Që të bëhen lojtarë klasi, në lartësinë që i duam, pa pasur frikë nga 1 milisekondë, që mund të përplaset vrullshëm në fytyrë apo t’u prishë krehjen e bukur të flokëve, si ato të Hysajt. Nuk i duhet një “nacionalist” kuqezi si Daku. Për atë kemi tifozët, e po të dojë ta lërë fushën e t’u bashkohet në tribuna. Në kombëtare na duhen patriotë, që ta ngrenë flamurin të fluturojë lart, edhe kur ai bie poshtë, si atë natë tetori në Beograd. Ne nuk na duhet një kapiten. Kapitenin e kemi: Berat Gjimshitin. Ne na duhet një Kaizer. Të cilin po e kërkojmë akoma. Vetëm kështu do mundim milisekondën që ndan frikën nga suksesi. “Janë pa përvojë”, do përgjigjej sërish Sylvinho. Por kujtoni çfarë thoshte doktori Italian: mendo më vonë, fillimisht nxito e shto shpejtësinë, të kalosh kundërshtarët në kthesë.

Mund të dështosh disa herë. Por në fund do ja dalësh. Nuk po kërkojmë të jenë trima me Spanjën, por as frikacakë. Pukjanët kanë të drejtë kur thonë se vetëm trimat nuk e dëgjojnë këngën për ta, se vdesin përpara. Por mendo variantin tjetër: nuk je trim, por e dëgjon vargjet që t’i “këndojnë” non stop: në Facebook, në rrugë e kudo. Dhe nuk është një këngë e mirë. Flet për një kombëtare që erdhi në Europian të kualifikohej. Dhe përfundoi të ishte më e dobët, sesa 8 vite më parë.

Sot duhet të luajmë pa frikë dhe të rrezikojmë duke testuar limitet e mundësisë. Mund të mos kemi sukses. Por si thonë dhe anglezët: better die trying. Fundja edhe nëse “vdes”, kënga që do të këndojnë do jetë një këngë trimash.

Jo frikacakësh.

Shkruar në Dusseldorf, 20 orë para ndeshjes me Spanjën, 24 qershor, 2024.     

Të fundit