E enjte, 4 Korrik, 2024

GREQIA RIKONFIRMON VETON NDAJ MAQEDONISË SË VERIUT

Në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në Luksemburg kryediplomati grek Giorgos Gerapetritis përsëriti faktin se qeveria e Mickovskit po shkel Marrëveshjen e Prespës. Në këtë mënyre tha ai, “vetoja greke do ta bëjë Shkupin të kuptojë se çfarë do të thotë shkelje e ligjit ndërkombëtar”, përcjell KDP.MK deklaratën e Gerapetirtis.

“Përsa i përket prespektivës së anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Greqia ka qenë gjithnjë forca shtytëse e procesit të integrimit që nga viti 2003 me agjendën e Selanikut. Ne mendojmë se kjo është e vetmja rrugë me përfitime për të dyja palët si për rajonin dhe për vetë BE-në. Pavarësisht kësaj, ka shtete si Maqedonia e Veriut ku udhëheqja e re shtetërore dhe politike vendosi sistematikisht që të mos përdorë emrin kushtetues në diskursin publik brenda vendit. Kjo është shkelje flagrante të Marrëveshjes së Prespës sepse pajtueshmëria me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare është baza e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe nuk do të thotë zbatim selektiv i saj”, tha kryediplomati grek.

Me qëndrimin e fundit të Athinës, Shkupi dhe Tirana duhet që të presin pa afat deri kur të kenë plotësuar kushtet për heqjen e vetos. Këto dy shtete ende nuk kanë nisur shqyrtimin e kapitujve të parë të anëtarësimit në BE për shkak të çështjeve dypalëshe, jo vetëm me Greqinë, por në rastin e RMV-së edhe pretendimeve të Bullgarisë.

Kushti për marrjen e pëlqimit unanim të 27 shteteve anëtare mbetet ende në fuqi.

 

Të fundit