E hënë, 8 Korrik, 2024

MICKOSKI BETOHET ME EMRIN KUSHTETUES, PARALAJMËRON REZULTATE TË SHPEJTA

Deputetët me 77 vota “pro” dhe 22 “kundër” sonte (23 qershor) votuan për Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga lideri i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, përcjell KDP.

Pas votimit të Qeverisë, kryeministri Mickoski dhe ministrat dhanë deklaratë solemne. Në të, lideri i VMRO-DPMNE-së ka përdorur emrin kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Prapashtesën e turpshme do ta them gjatë betimit sepse më kujton turpin që i keni sjellë atdheut tim, familjes time, nipërve të mi të palindur. Do të bëj gjithçka për sa të jem gjallë për të korrigjuar këtë padrejtësi. Fatkeqësisht, jam i pafuqishëm në këtë kohë. Në këtë pikë do të më duhet të kapitulloj si qenie njerëzore para jush dhe ta them”, tha Mickoski.

Ai iu referua gjithashtu kornizës së negociatave me BE-në dhe nevojës për ndryshime kushtetuese për të vazhduar procesin e anëtarësimit.

“Ky lloj diktimi bullgar në këto kushte nuk do të kalojë dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese përderisa unë jam këtu”, tha Mickoski.

Me Mickoskin në pozitën e kryeministrit, në qeveri do të jenë 23 ministra dhe pesë prej tyre do të jenë zëvendëskryeministra.

Në fjalimin përfundimtar para votimit, Mickoski tha se “qytetarët janë të ngopur me argumente” dhe se “duhet punë, përkushtim, përgjegjësi dhe projekte konkrete”.

“Në njëqind ditët e para do të ngremë standardet, do të punojmë shumë, do të kujdesemi, do të ndryshojë gjendja”, tha Mickoski, duke paralajmëruar uljen e taksave, rritjen e pensioneve, projektin 250 milionë euro për komunat, investimet e reja të huaja, një front kundër korrupsionit.

16 nga anëtarët e kabinetit qeveritar, duke përfshirë edhe kryeministrin, janë nga koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, gjashtë janë nga koalicioni VLEN dhe dy nga partia politike ZNAM.

Seanca ka filluar më 22 qershor dhe përfundoi në mesnatën e sotme.

Dita e parë e punës e qeverisë së re do të jetë nesër kur pritet të marrin detyrën kryeministri dhe ministrat e rinj.

 

Të fundit