E enjte, 4 Korrik, 2024

QEVERIA E RE ME FIGURA TË VJETRA: A MUND TË SJELLË NDRYSHIME?

Propozimi për përbërjen e qeverisë së re është finalizuar dhe pritet së bashku me programin qeverisës, të paraqitet para Kuvendit. Votimi për këtë propozim është planifikuar të zhvillohet gjatë fundjavës së ardhshme. Në qeverinë e re do të jenë VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike, Zoran Ivanov, për KDP.MK, ka komentuar përbërjen e re qeverisëse (VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM) e cila gjatë fushatës parazgjedhore kanë bërë një sërë premtimesh. Ai thekson se pritshmëritë e qytetarëve për ndryshime dhe përmirësime, për reforma të shpejta dhe efektive në të gjitha fushat, janë shumë të larta: “Nuk jam optimist se mund të ndryshohet karakteri politik i tyre. Ekzistojnë premtime të mëdha dhe pritje të larta nga qytetarët për transformime dhe përmirësime thelbësore, qoftë përmes reformave të shpejta apo efektive në të gjitha sektorët.

Shkruan: Enis Shaiqiri

Mandatari për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski i ka bërë zyrtarë propozimet për ministra nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE pas mbledhjes së Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv të kësaj partie.

Mickoski tha se në qeverinë e re do të jenë VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM dhe se përbërja e qeverisë së tij do të dorëzohet në Kuvend ditën e martë, më 18 qershor pas së cilës duhet të caktohet seanca parlamentare për zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski

Nga trupat partiak mora mandat për negociata dhe për përbërje të qeverisë së re dhe ato përfunduan me sukses. Qeveria e re do të përbëhet nga partitë të cilat janë pjesë e koalicionit Maqedonia Jote, koalicionit VLEN dhe partisë politike ZNAM, qeveri e cila ka mbështetje të gjerë nga elektorati mbi 600.000 vota të fituara në zgjedhjet të cilat përfunduan më 8 maj, dhe jam i sigurt për mbështetje prej 2/3 për disa zgjidhje të caktuara ligjore, vendime reformuese ligjore të cilat në periudhën që pason do të sillen në Kuvend”, tha mandatari dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski mbrëmë në konferencën për shtyp pas mbledhjeve të Komitetit qendror dhe ekzekutiv.

Koalicioni “Maqedonia Jote”, do të përfshijë 15 anëtarë, nga të cilët tre do të mbajnë pozicionet e zëvendëskryeministrave. Koalicioni VLEN do të drejtojë pesë ministri dhe do të ketë gjithashtu një zëvendëskryeministër. Ndërkaq, dy ministri do të udhëhiqen nga partia ZNAM.

Optimizëm apo skepticizëm për përbërjen e re qeveritare?

Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike, Zoran Ivanov për KDP.MK shprehet se përbërja e re qeverisëse (VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM) gjatë fushatës parazgjedhore ka pasur një sërë premtimesh të larta dhe ambicioze për të cilën siç thotë pritshmëritë e qytetarëve për ndryshime dhe përmirësime, për reforma të shpejta dhe efektive në të gjitha fushat, janë shumë të larta.

Zoran Ivanov -gazetar dhe komentuesi i çështjeve politike.

Ka një sërë premtimesh, dhe pritshmëritë e qytetarëve për ndryshime dhe përmirësime, për reforma të shpejta dhe efektive në të gjitha fushat, janë shumë të mëdha. Premtuan edhe gjëra të parealizueshme si ato që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare, dhe sloganet e paqarta parazgjedhore se do t’ua kthenin shtetin qytetarëve, si dhe premtime për standardin e jetesës, pagat, pensionet, e kështu me radhë”, thotë Ivanov.

Për më tepër, ai thotë se ndër kandidatët për ministra dhe deputetët “të rinj”,  ka shumë prej atyre që ishin pjesë e qeverisjes së tyre njëdekadëshe të mëparshme, e të cilët siç thotë në disa raporte të Komisionit Evropian për progresin integrues të vendit janë cilësuar edhe si “regjim.”

Nuk jam optimist se mund të ndryshohet `karakteri politik` i tyre; megjithatë, duhen ndjekur kontributet e brezave të rinj brenda këtij koalicioni të cilat mund të orientohen drejt një qeverisjeje më transparente dhe me integritet krahasuar me paraardhësit e tyre”.

Ndryshe, shumica e qytetarëve Maqedonisë së Veriut, të intervistuar gjatë votimit në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale më 8 maj thanë se shpresojnë që Qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje, të krijojë mundësi që të rinjtë të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në vend dhe jo, siç u shprehën, sytë dhe mendjen ta kenë kah vendet evropiane.

Nga këto zgjedhje presim që këta fëmijë të mrekullueshëm që i kemi, këtë rini të mrekullueshme që e kemi, ta bëjmë të jetë profesioniste në profesionin që zgjedh. Nëse ai është i sigurt në profesionin e vet ai atëherë është i pavarur dhe nuk ka frikë nga askush. Rinia duhet menaxhuar nga ata që kanë vizion”, është shprehur një qytetarë për Radion Evropa e Lirë.

Një tjetër qytetare me bashkëshortin e saj ka thënë se kanë votuar për të dyja palë zgjedhjet dhe shpreson që ata që do të dalin fitues në këto zgjedhje, të angazhohen për mirëqenien e pensionistëve dhe për shërbime më të mira shëndetësore.

Pres që të bëhet mirë për gjithë Maqedoninë (e Veriut). Duhet të mendojnë për ne pensionistët dhe të kemi shërbime më të mira shëndetësore, të mund të kurohemi me kohë”, ka thënë ajo.

E për këtë Ivanov shton se duke respektuar numrin e konsiderueshëm të qytetarëve që i dhanë besimin VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e 8 majit, do të ishte e drejtë dhe demokratike koha për t’u dhënë mundësi kësaj partie dhe partnerëve të saj në koalicion për të dëshmuar veten.

Na mbetet t’i japim shansin partisë dhe partnerëve të koalicionit. Një periudhë prej njëqind ditësh do të ishte një afat i arsyeshëm për të vlerësuar efektivitetin e tyre”, shprehet Ivanov.

Kujtojmë se nga zgjedhjet e 8 majit, VMRO-DPMNE, deri tani në opozitë, u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare. Kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65% të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30% të votave. VMRO DPMNE shënoi fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43% të votave, duke marrë 59 mandate nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Të fundit