E diel, 30 Qershor, 2024

NDËRRON JETË STOJAN ANDOVI: JA ÇKA THA NË NJËRËN NGA INTERVISTAT E TIJ TË FUNDIT

Stojan Andov, kryetari i parë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së pavarur dhe sovrane, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.

I lindur në vitin 1935 në Kavadar, Andov ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Shkup dhe ka magjistruar në Universitetin e Beogradit.

Në disa raste ka mbajtur postin e kryetarit të legjislativit, ka qenë deputet dhe në vitin 1999 kandidoi edhe për president të shtetit.

Më poshtë ju sjellim intervistën e dhënë për Xhelal Nezirin, e realizuar pas pensionimit të tij politik në vitin 2010, e botuar në javoren e asaj kohe ARENA.

“Shërbimet i kanë keqpërdorur shqiptarët, ashtu si maqedonasit, për të ndezur një urrejtje ndëretnike, për të rikonfiguruar jetën politike dhe për të imponuar një opsion të caktuar politik. Shërbimet sekrete të Maqedonisë kanë një projekt mjaft të dallueshëm, i cili po realizohet që nga viti 1987 e këndej. Ai ka të bëjë me futjen e frikës, mosbesimit dhe urrejtjes te maqedonasit ndaj shqiptarëve, Kosovës dhe Shqipërisë. E njëjta strategji është përdorur edhe për mbjelljen e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndaj grekëve dhe Greqisë. Vetëm ndaj serbëve dhe Serbisë nuk janë imponuar ndjenjat e urrejtjes, me të cilët kishim marrëdhënie normale. Për këtë arsye Maqedonia e ka këtë shkallë të izolimit”, ka thënë Andov.

***

Në Maqedoni funksionojnë instalimet e Milloshqviqit

Nga viti 1987 e deri në vitin 1999 në Maqedoni ka patur një ndikim të fuqishëm të politikës së Sllobodan Millosheviqit. Gjatë kësaj periudhe shërbimet e tij kanë ndërtuar rrjete të fuqishme, kanë krijuar simpatizues, me çrast Millosheviqi ka qenë politikani më i popullarizuar i Maqedonisë. Ishte një politikan që gëzonte respekt nga politikbërësit e Maqedonisë, shumica e të cilëve ia kishin edhe frikën. Nuk e kuptoj pse disa njerëz tani shtiren se nuk ka qenë ashtu?! Po, ashtu ishte. Pjesë të instalimeve të Millosheviqit kanë mbetur dhe funksionojnë ende, sidomos në media. Pjesëtarë të këtij instalimi ka edhe te masa e ekspertëve, politikanëve dhe shumë profesioneve tjera.

Intervistoi: Xhelal Neziri

Politikani më me përvojë në Maqedoni, Stojan Andov, nuk beson se dikush do të mund t’i ikë ballafaqimit me të kaluarën e tij të errët. Si ideator i procesit të lustrimit, ai thotë se zbardhja e emrave të kodoshëve është më se e nevojshme për përparimin e demokracisë në vend.

Sipas tij, gënjehet ai që beson se duke përdorur fuqinë apo lidhjet politike do të mund të fshehë pjesën e dosjes ku tregohet si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, edhe nëse dosja e tyre gjendet në Beograd.

“Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me shërbimet jugosllave janë të evidentuara nga shërbimet sekrete republikane në një grafë të posaçme, ku theksohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të KOS-it apo UDB-së”, thotë Andov në intervistën dhënë javores ARENA.

Ai, si një aktor kryesor në shumë procese të politikës së Maqedonisë, flet edhe për fuqinë e rrjeteve dhe agjenturave serbe në Maqedoni, problemin e emrit dhe për proceset e pavarësimit të Maqedonisë dhe rolin e shqiptarëve.

DËNIMET ME BURG

Komisioni i lustrimit i shqyrtoi dosjet e disa politikanëve të Maqedonisë por çuditërisht asnjëri nuk rezultoi bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete. Ju jeni iniciator i fillimit të lustrimit, si proces për pastrimin definitive me të kaluarën. Mendoni se raporti i parë i Komisionit paralajmëron për një zbatim sa për sy e faqe të lustrimit?

Andov: Unë e formova grupin e ekspertëve për të përpiluar Ligjin e lustrimit, me çrast shqyrtuam zbatimin e këtij procesi në disa vende postkomuniste. U përcaktuam për këtë model si tentim i parë që të ballafaqohemi me këtë problem. Ligji në fillim ishte mjaft i sulmuar, poashtu edhe iniciativa e lustrimit. Më pas në Parlament u përkrah nga të gjithë deputetët. Zgjidhjet në këtë ligj janë gjetur duke patur parasysh rrethanat tona, me çrast u kemi ikur zgjidhjeve të cilat u treguan të pasuksesshme në vendet tjera. Nuk ka asnjë vend që vetëm me një ligj ka bërë lustrimin e funksionarëve dhe njerëzve publik. Për të bërë lustrimin e bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore “Shtazi” është ngritur një sistem i tërë ligjor, e jo vetëm një ligj. Ligji jonë ka për qëllim lirimin e funksioneve shtetërore dhe publike nga njerëzit e shërbimeve sekrete, por gjatë këtij largimi të mos bëjmë drama, të mos lëndojmë familje të tëra dhe të mos shkaktojmë tragjedia.

Do të thotë kjo se lustrimi do të bëhet vetëm për t’ua larë mëkatet bashkëpunëtorëve të shërbimeve? Apo, ndryshe thënë, t’u mundësojë kodoshëve të flakin tutje etiketën e bashkëpunëtorit të shërbimeve?

Andov: Raporti i parë ka të bëjë vetëm me 60 raste. Pra, ne grupin e këtyre politikanëve ka mundësi reale të mos ketë bashkëpunëtor të shërbimeve. Duhet të verifikohen 240 funksionarë, në mesin e të cilëve me siguri se do të gjendet ndonjë prej tyre. Para zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe lokale të gjithë e dinin ligjin e lustrimit dhe pjesa më e madhe e kodoshëve janë frikësuar dhe kanë refuzuar të kandidohen. Kjo do të thotë se një efekt i ligjit është arritur.

Çka do ndodhë me ata që kanë dhënë deklarata të rrejshme se gjoja s’kanë qenë në lidhje me shërbimet?

Andov: Për ato parashihet edhe dënim me burg.

DOSJET NUK MUND TË “PASTROHEN”

Sa ekziston mundësia që politikanë të caktuar të kenë “pastruar” dosjen e tyre në MPB?

Andov: Edhe nëse dikush ka tentuar ta bëjë atë patjetër të ketë lënë ndonjë gjurmë. Pushteti i ri që do të vjen do ta gjejë atë në librat e ndryshëm të evidencës dhe do t’i vërejë ndryshimet. Plus kësaj, ai dhe personi që i ka ndihmuar në ndryshimin e dosjes do të dënohen me burg në kohëzgjatje deri më 4 vjet. Kështu e parasheh ligji. Ato janë punë shumë të rrezikshme, me çrast ndonjëri që tani është në qeveri do të mendojë se ligji atë nuk do ta kapë, por kur të ndryshohet pushteti do për përgjigjet për veprën e bërë. Lustrimi do të zgjatë dhjetë vite dhe nuk besoj se ndonjëri që ka bashkëpunuar me shërbimet do të kalojë pa mos u zbardhë e vërteta.

Si do të zbulohen njerëzit që kanë bashkëpunuar me shërbimet e huaja sekrete?

Andov: Lijgi i lustrimit nuk parasheh dënime penale për kodoshët, por vetëm e parandalon atë të fitojë funksione. Ky ligj përfshin bashkëpunëtorët me shërbimet tona dhe të ish-Jugosllavisë, si shtet i përbashkët. Nga ana tjetër, Kodi penal parasheh dënime shumë të rënda për bashkëpunimin e qytetarëve tanë me shërbime të huaja inteligjente. Aty është klasifikuar si tradhti e nivelit të lartë dhe parasheh dënime të mëdha me burg.

Kjo do të thotë se bashkëpunimi me shërbimet sekrete serbe, para vitit 1992, nuk kuptohet si tradhti e nivelit të lartë? Në këtë periudhë UDB-a nuk trajtohet si shërbim i huaj?

Andov: Pas viti 1992, shërbimet sekrete të vendeve të ish-Jugosllavisë definohen si shërbime të huaja, e jo si struktura të një shteti të njëjtë. Konkretisht, shërbimi sekret sërb për Maqedoninë është shërbim i huaj që nga 17 nëntori i vitit 1991, kur është sjellë Kushtetuta jonë.

Disa anëtarë të Komisionit të lustrimit u ankuan se nuk posedojnë me dokumentacionin e nevojshëm për disa funksionarë, dosja e të cilëve ndodhet në Beograd. Do të shpëtojë kjo kategori nga lustrimi?

Andov: Kjo çështje do të zgjidhet me sukcesionin. Ashtu siç po ndodh me pasurinë e përbashëkt në kuadër të Jugosllavisë. Edhe arkivi është pasuri që duhet t’i nënshtrohet sukcesionit. Nëse do të ndodhë që shërbimet sekrete të mbajnë të fshehur dokumente te caktuara jashta rregullave dhe normave të sukcesionit, atëherë do bëhej fjalë për uzurpim. Kjo do të ndikonte në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Nga ana tjetër, dokumentacioni që gjendet në Beograd nuk është edhe aq i domosdoshëm nga shkaku se të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me shërbimet jugosllave janë të evidentuara nga shërbimet sekrete republikane në një grafë të posaçme, ku theksohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të KOS-it apo UDB-së.

AGJENTURAT NË FORMIMIN E QEVERIVE

Në një nga kolumnat tuaja keni përmendur se qeveria e parë e Maqedonisë ka qenë e formuar dhe kontrolluar nga shërbimet sekrete serbe. Do të zbardhen edhe emrat e tyre?

Andov: Disa punë që ndodhën gjatë vitit 1991 tregojnë se disa pjesëtarë të qeverisë ishin bashkëpunëtorë apo pa vetëdije kanë mbrojtur interesat e shërbimeve sekrete serbe. Nga ana tjetër, mënyra e formimit të asaj qeverie, me përcaktimin e kryeministrit dhe ministrave në kundërshtim me Kushtetutën, dëshmon për veprimin dhe ndikimin e disa fuqive të errëta. Kjo patjetër të zbardhet sepse është me rëndësi edhe për historinë tonë. Nga viti 1987 e deri në vitin 1999 në Maqedoni ka patur një ndikim të fuqishëm të politikës së Sllobodan Millosheviqit. Gjatë kësaj periudhe shërbimet e tij kanë ndërtuar rrjete të fuqishme, kanë krijuar simpatizues, me çrast Millosheviqi ka qenë politikani më i popullarizuar i Maqedonisë. Ishte një politikan që gëzonte respekt nga politikbërësit e Maqedonisë, shumica e të cilëve ia kishin edhe frikën. Në fakt, ai ishte një personalitet aktiv edhe në Maqedoni, edhe pse në këtë vend ka ardhur vetëm një herë – në Ohër në takimin e presidentëve të ish-Jugosllavisë. Me instalimet e tij të fuqishme Millosheviqi ishte njëri nga politikanët më me ndikim në jetën politike të Maqedonisë. Nuk e kuptoj pse disa njerëz tani shtiren se nuk ka qenë ashtu?! Po, ashtu ishte. Për t’i kuptuar ato fenomene, tani patjetër t’i zbardhim ato ngjarje. Andaj lustrimi është më se i nevojshëm.

A ekzistojnë edhe sot instalimet serbe në Maqedoni?

Andov: Rrjeti apo instalimi i Millosheviqit edhe sot e kësaj dite funksionon në vend.

Janë strukturat serbe që kanë përcaktuar përbërjet e qeverive në Maqedoni?

Andov: Sigurisht se kanë ndikuar. Këtë e kam dëgjuar nga kundërzbuluesi jonë më i njohur, i cili tha se formimi i qeverisë së ekspertëve nuk ishte vendim i Kiro Gligorovit por i Beogradit. Nuk duhen shumë analiza për këtë. Kështu ka qenë, andaj tani duhet të shqyrtojmë pjesët dhe individët që kanë marrë pjesë. Për këtë duhet të hapen dokumentet.

Ka mundësi që instalimi serb të jetë aq i fuqishëm saqë nuk do të lejojë hapjen e atyre dokumenteve?

Andov: Do të tregojë praksa sa janë të fuqishëm. Ato dokumente patjetër të hapen. Pse mos ta demistifikojmë një epokë të tërë, që nga 1987 e deri më 1999, apo edhe më vonë. Pjesë të instalimeve të Millosheviqit kanë mbetur dhe funksionojnë ende, sidomos në media. Pjesëtarë të këtij instalimi ka edhe te masa e ekspertëve, politikanëve dhe shumë profesioneve tjera. Këto punë duhet të qartësohen në Maqedoni.

PROJEKTI I SHËRBIMEVE SEKRETE MAQEDONASE

Si ishte puna me politikanët shqiptarë? Ka patur nga ato që janë kontrolluar nga shërbimet sekrete?

Andov: Shërbimet i kanë keqpërdorur shqiptarët, ashtu si maqedonasit, për të ndezur një urrejtje ndëretnike, për të rikonfiguruar jetën politike dhe për të imponuar një opsion të caktuar politik. Shërbimet sekrete të Maqedonisë kanë një projekt mjaft të dallueshëm, i cili po realizohet që nga viti 1987 e këndej. Ai ka të bëjë me futjen e frikës, mosbesimit dhe urrejtjes te maqedonasit ndaj shqiptarëve, Kosovës dhe Shqipërisë. E njëjta strategji është përdorur edhe për mbjelljen e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndaj grekëve dhe Greqisë. Vetëm ndaj serbëve dhe Serbisë nuk janë imponuar ndjenjat e urrejtjes, me të cilët kishim marrëdhënie normale. Për këtë arsye Maqedonia e ka këtë shkallë të izolimit.

Cili ka qenë qëllimi i krijimit të armiqësive me shqiptarët, bullgarët dhe grekët?

Andov: Qëllimi i parë ishte që Maqedonia të mbetet pjesë e Jugosllavisë. Shërbimet sekrete serbe në vitin 1991 hidhnin fletushka me avion në vendbanimet shqiptare në Maqedoni që ta bojkotojnë referendumin për pavarësinë e vendit dhe ta pengojnë që ai të mbahet. Qëllimi ka qenë që Maqedonia të mbetet në Jugosllavi, pa marrë parasysh nëse do përbëhej nga tre apo dy shtete. Në vitin 1995 Millosheviqi doli me propozimin që edhe pa Bosnjën Maqedonia të bëhet sërish pjesë e RS Jugosllavisë.

A kishte kjo strategji përkrahës edhe te shqiptarët?

Andov: Sigurisht se po. Politika e Millosheviqit shërbehej me emocionet e shqiptarëve, duke ndjellur frikën te ato se maqedonasit janë shumë më të rrezikshëm se serbët. Ajo politikë u mundësoi disa shqiptarëve të krijojnë një karierë politike, që të njëjtit të vendosin për fatin e popullit të tyre. Përveç kësaj, nëpërmjet këtyre politikanëve shqiptarë mbjellte ndjenjën te shqiptarët se Millosheviqi është fuqi rajonale, e cila nuk mund të mundet nga cili do faktor tjetër në Ballkan. Kjo politikë kishte lojtarë edhe te shqiptarët, edhe te maqedonasit. Ajo nuk ishte politikë serbe por e Millosheviqit, e periudhës së tij.

SJELLJA E KUSHTETUTËS SË PARË

Kur në vitin 1991 u soll kushtetuta e parë, Ju ishit kryetar i Parlamentit. A mendoni se me përcaktimin e statusit shtetformues të shqiptarëve do të ishte evituar konflikti i 2001-shit?

Andov: Prapë do të them se atëherë në Maqedoni kishte një ndikim të fuqishëm politika e Millosheviqit. Te ne maqedonasit kishte një rezistencë të fuqishme që t’u garantohen të drejtat e shqiptarëve dhe të tjerëve në bazë të kushtetutës së vitit 1974. Unë isha idhtar që me Kushtetutën e re të mos shkohet prapa të drejtave të garantuara nga ’74-ta, por të shkojmë drejt asaj që edhe në preambullë të ndryshojmë diçka me qëllim që të jetë më e pranueshme edhe për shqiptarët. Në atë kohë, VMRO-DPMNE ishte një parti tepër nacionaliste. Ajo gjoja i mbronte interesat e maqedonasve kurse në të vërtetë ishte në linjën e Millosheviqit. Nëse ishin të vetëdijshëm për atë, nuk e di. Nga kjo distancë mendoj se ishin të vetëdijshëm për këtë sepse kishin brenda instalime të rrjeteve serbe. Kjo parti, në vitin 1991 e refuzoi variantin e parë të kushtetues me arsyetimin se nuk është kombëtare, nuk i mbron interesat nacionale maqedonase dhe u jep shumja të drejta “na shiptarite”, siç thonin ato. Pikërisht për këtë, VMRO-DPMNE-ja organizoi një miting të madh ku thuhet të kenë marrë pjesë mbi 15 mijë protestues, të cilët kishin kërkesa mjaft të ashpra për reduktimin edhe më shumë të të drejtave të shqiptarëve në kushtetutë. Kërkonin anulimin e mbledhjes për miratimin e kushtetutës, por kjo nuk kishte mundësi të ndodhë ngase nuk kishte mbetur as një muaj nga data e caktuar për seancën në Hagë. Atje nevojitej të kishim referendum dhe kushtetutë për të marrë të drejtët e themelimit të shtetit. Ajo kohë ka qenë mjaft e komplikuar.

PPD-ja nuk e votoi Kushtetutën, por deputetët e saj morën pjesë në senacë. Ju atëherë deklaruat se prezenca e tyre në seancë është legjitimim se shqiptarët e pranojnë atë kushtetutë?

Andov: Unë thash se është e drejtë deputetëve të PPD-së të votojnë pro, kundër apo të jenë të përmbajtur. Në Komisionin kushtetues, ku unë isha kryetar, shumë pak probleme kishim me përfaqësuesit e PPD-së sesa me ato të VMRO-DPMNE-së. Nënkryetari i komisionit, i cili ishte nga VMRO-DPMNE-ja, dha dorëheqje nga shkaku se vlerësoi se nuk është nacionale kushtetuta. Ai thoshte, e citoj, “na shiptarite” u kemi dhënë shumë të drejta. Ndërsa prej shqiptarëve askush nuk e lëshoi Komisionin kushtetues, të gjithë anëtarët e PPD-së bashkëpunuan, diskutuan, dhanë propozime dhe të gjithë votuan. Është e vërtetë se u mbivotuan propozimet e tyre, por të gjithë morën pjesë në tërë procedurën e paraparë me kushtetutë dhe sistemin demokratik të Maqedonisë.

KONTESTI ME GREQINË DHE INSTALIMET SERBE

VMRO-DPMNE-ja aktualisht ka pushtet absolut. Ka gjasa që ta zgjidhe çështjen e emrit për t’ia hapur dyert Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së?

Andov: Problemi i krijuar rreth kontestit të emrit me Greqinë loja që bëhet rreth këtij problemi është rezultat i funksionimit të strukturave të instaluara nga Millosheviqi në Maqedoni, të cilat ende kanë fuqi. Politika jonë nga viti 2006 e këndej, me apo pa vetëdije, i jep argumente palës greke që të marrë një qëndrim më rigoroz ndaj kësaj çështjeje dhe të njëjtin ta mbrojë para miqve të saj në bashkësinë ndërkombëtare. Antikvizimi, imponimi i tezës se gjithçka që është maqedonase është e jona, edhe Aleksandri edhe Filipi, do të thotë se kemi pretendime terioriale ndaj Greqisë sepse një pjesë e asaj Maqedonie gjendet në kuadër të teritorit grek. Ringjallja e traumave të së kaluarës me maqedonasit e Egjeut, përmendja e gjenocidit, okupimit nga ana e anëtarëve të qeverisë u jep argumente grekëve se nuk e respektojmë Marrëveshjen e përkohëshme të vitit 1995. Që në vitin 1992, ministri i atëherëshëm i Punëve të Jashtme, Denko malevski, ka dërguar një letër në emër të qeverisë deri te Robert Badinter, ku jepen garanca se nuk do të ketë pretendime ndaj Greqisë dhe nuk do të bëjmë politikë, të njëjtë siç e bën qeveria e Nikolla Gruevskit. Me Marrëveshjen e përkohshme ne si shtet kemi marrë përgjegjësi të ndalojmë përdorimin e Diellit të Verginës si simbol në institucionet shtetërore dhe publike, ndërkohë që do t’i dekurajojmë edhe personat privat që të mos e përdorimin atë shenjë. Kjo qeveri e shkel këtë Marrëveshje. Nëse nuk u pëlqen le ta shfuqizojnë me ligj në Parlament. Paramendoni, kanë ngritur padi në Hagë duke u bazuar në këtë Marrëveshje të përkohëshme, të cilën vetë e kanë prishur.

Pse shkohet drejt armiqësimit me Greqinë?

Andov: Kësaj pyetje do t’i japë përgjigje historia. Edhe kjo enigmë do të zbulohet. Nuk është situata e njëjtë me atë të Jezu Krishtit, i cili ka thënë:”Falua Zot se nuk e dinë çka bëjnë”. Këto e dijnë çfarë bëjnë dhe me qëllim e mbajnë vendin jashtë NATO-s dhe BE-së, struktura që garantojnë paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

Akuzave se nuk dëshiron ta zgjidhë çështjen e emrit Gruevski u është përgjigjur se “ato që akuzojnë 18 vite nuk arritën ta zgjidhin këtë problem, kurse sot bëjnë presion që unë ta bëj atë”. Si e komentoni Ju këtë arsyetim?

Andov: Ajo është një gënjeshtër e madhe. Të gjitha problemet me të cilat jemi ballafaquar ne i kemi zgjedhur. Greqia kundërshtonte që Maqedonia të jetë ndërkombëtarisht e pranuar si shtet, por këtë problem e tejkaluam. E anëtarësuam vendin në OKB dhe me këtë rast nuk e humbëm as identitetin, as gjuëhn e asgjë. Nëse mbajnë akuzat se ne kemi bërë tradhti në atë kohë, atëherë parashtrohet pyetja se çfarë identiteti mbron tani Gruevski? Qëllimi jonë ishte të futemi në OKB dhe të bëhemi anëtarë fuqiplote e Bankës Botërore, FMN-së dhe organizatave tjera. Nga këto anëtarësime fituam një injeksion financiar, pa të cilin sot nuk do ekzistonim si shtet. Në vitin 1994 Greqia vendosi embargo për Maqedoninë. Patëm presione të hatashme, por me Marrëveshjen e përkohshme e hoqëm edhe këtë pengesë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit