E mërkurë, 3 Korrik, 2024

GJASHTË VJET NGA “MARRËVESHJA E PRESPËS”

Sot bëhen gjashtë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes historike të Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një mosmarëveshje 27-vjeçare, për çështjen e emrit, pasi Greqia pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e njërit prej rajoneve greke. Marrëveshja u nënshkrua më 17 qershor 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e liqenit të Prespës, ku me këtë Shkupi dhe Athina, mbyllën mosmarrëveshjen e gjatë mes dy vendeve. Si rrjedhojë e kësaj marëveshje, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO.

Marrëveshja u arrit në kohën kur partia SYRIZA ishte në pushtet në fqinjin tonë jugor, ndërsa në vendin tonë LSDM, dhe u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të Jashtëm Nikola Dimitrov dhe Nikos Kozias dhe në prani të kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.

Ndërmjetësues në negociata (Matthew Nimitz) mes dy vendeve për emrin, ishin: Komisioneri evropian për Zgjerim Johannes Hahn, ish-Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të të dy vendeve.

Me këtë rast, ish-kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, sot dhe nesër organizojnë Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Athinë me rastin e gjashtë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Ngjarja organizohet nga “Fondacioni Zaev” dhe “Instituti Aleksis Tsipras”.

Në kuadër të konferencës do t’i jepet edhe çmimi Matthew Nimitz – ndërmjetësues në bisedimet për emrin.

Sipas njoftimeve, në këtë ngjarje do të marrin pjesë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, ish-presidenti francez Francois Hollande, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ish-kryeministrat e Suedisë dhe Greqisë, Stefan Lofven dhe Jorgos Papandreu, ish-presidenti i PE, Martin Scholz, ish-kreu i diplomacisë greke, Nikos Kozias, ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, si dhe kryetarët e komunave të Athinës dhe Stambollit, ndërsa ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Burimet e Energjisë dhe ish-ambasadori i SHBA-së në Greqi, Jeffrey Pyatt do të marrin pjesë online.

Me video-mesazh do t’i drejtohet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në prag të dhënies së çmimit përfaqësuesit special të OKB-së në negociata, Matthew Nimitz.

Konferenca dyditore me rastin e gjashtëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës u paralajmërua ditë më parë me një shkrim të përbashkët nga ish-kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, në të cilën bënë thirrje që BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar të bëjnë të ditur se respektimi i Marrëveshjes së Prespës është rruga e vetme e vendit drejt procesit të qasjes.

Ndryshe, gjashtë vjetori i Marrëveshjes së Prespës, Maqedoninë e Veriut e gjen në prag të formimit të Qeverisë së re, tashmë me partinë VMRO-DPMNE, e cila pritet të shihet nëse do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e rrugës evropiane dhe largimin e vetos së Bullgarisë. Bullgaria, me të cilën vendi ynë ka nënshkruar dhe një marrëveshje për fqinjësi të mirë në vitin 2017-të, i ka vënë dy herë veto për fillimin e bisedimeve.

 

Të fundit

VDEKJA E AUTORIT

HYU KADARE

PËR ISMAIL KADARENË