E premte, 26 Korrik, 2024

MEDIA TURKE: MILO GJUKANOVIQ – ZËVENDËSEKRETAR I NATO-s?

Është në konkretizim e sipër nisma për kandidimin e Milo Gjukanoviqit, ish-president i Malit të Zi, për postin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, që deri tash mbështetet nga nëntë anëtarë të Aleancës, përfshirë edhe Turqinë, – shkruan portali turk Firtina Haber, duke iu referuar burimeve të larta diplomatike nga disa anëtarë të NATO-s: “Ne pamë projektin joformal në të cilin po punojnë diplomatë nga nëntë anëtarë të NATO-s, të cilët kanë për qëllim të  kandidojnë Gjukanoviqin për postin e lartë në NATO dhe arsyetimi për zgjedhjen e tij është goxha i detajuar,” – shkruan Firtina Haber, të cilit këtë të martë i referohet edhe media malazeze dhe ajo serbe, – përcjell kdp.mk.

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, thotë portali turk, është njeriu që luajti rolin vendimtar në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO deri në anëtarësimin e tij të plotë më 2017.

Portali turk shkruan se është vlerësim politik në këto nëntë anëtarë të NATO-s është se një kandidat nga Evropa Lindore ka shanse të mëdha të bëhet Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i NATO-s, sepse pozicioni kryesor në Aleancë do t’ju jepet sërish anëtarëve “moçëm” të Aleancës.

“Sezoni zgjedhor anembanë Evropës ka lënë në hije, për momentin, një proces zgjedhor që për nga pesha nuk ngec nga zgjedhjet kombëtare ose ato për Parlamentin Evropian. Në zhvillim e sipër është një proces kompleks i kandidimit, lobimit, pazaresh dhe lëshimesh brenda NATO-s në lidhje me zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ri.

Ky proces po hyn dalëngadalë në finale, pasi më një tetor skadon mandati i Sekretarit të Përgjithshëm aktual Jens Stoltenberg, të cilit tashmë një herë iu vazhdua në mënyrë të jashtëzakonshme.

Samiti i ardhshëm i NATO-s në Uashington, në korrik,  duhet të jetë vendi ku pak a shumë do të përfundojë harmonizimi mes anëtarëve të NATO-s për Sekretarin e ri të Përgjithshëm.

Është thuajse e sigurt se kryeministri i deritashëm liberal i Holandës, Mark Rutte, është në rrugë për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës. Për momentin, 29 nga 32 anëtarë mbështesin kandidaturën e Rutes, sigurisht  edhe vota më e rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, në garë edhe pse formalisht, vazhdon të jetë presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, ç’është e vërteta pa ndonjë gjasë për sukses. Kandidatura e tij ka më shumë një domethënie simbolike, si zëri i anëtarëve evropiano – lindorë të NATO-s, të cilët kërkojnë që përfundimisht të pranohen si të barabartë për nga ndikimi me anëtarët “e vjetër” nga Evropa Perëndimore.

Është pak e besueshme se ky cikël zgjedhor do të kënaqë ambiciet e evropianolindorëve për të pasur përfaqësuesin e tyre në pozicionin më të lartë civil në Aleancë, por mbetet hapësirë që në vend të funksionit numër një të kënaqen me ndonjë një pozicion më të ulët, por ende mjaft me ndikim në Aleancë.

Detyrën e Zëvendësekretarit të Përgjithshëm  të NATO-s gjatë pesë viteve të kaluara e ushtroi shefi i dikurshëm i diplomacisë rumune, Mircea Joana.

Duke qenë se nuk ka thuajse asnjë paqartësi për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm dhe se Mark Rutte-s tashmë i është hapur rruga drejt funksionit kryesor në NATO, gara për postet e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe njëkohësisht edhe për postet e tjera të larta, në garniturën e re drejtuese, po bëhet shumë më interesante.

Të fundit