E premte, 26 Korrik, 2024

KOMUNITETET PAKICË TË PËRJASHTUARA NGA VENDIMMARRJA

Kryetari i OJQ-së “KOPRU” Husrev Emin tha për Eurothink se zbatimi i diskriminimit pozitiv në shoqëritë ku standardet dhe praktikat e BE-së nuk respketohen, përbën një shpresë serioze për turqit në vend. Nga Komiteti i Helsinkit për Eurothink thanë se Maqedonia e Veriut si shtet në rrugën drejtë BE-së është i detyruar të respektojë dhe mbrojë komunitetet pakicë në vend. Nga ana tjetër, mentori i zhvillimit personal në “Projektin e Angazhimit Qytetar-Maqedonia e Veriut”, Enes Bilalli deklaroi për Eurothink se ngjarjet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku nuk ka asnjë përfaqësues rom, bëjnë të qartë nevojën për veprime të mëdha për të siguruar përfshirjen dhe përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve në institucionet vendimmarrëse.

Autor: Anëmsha Shabani

Komunitetet pakicë në Maqedoninë e Veriut përballen me sfida të mëdha, duke filluar nga përfaqësimi politik në institucionet vendimmarrëse deri te mbrojtja e të drejtave të tyre. Ndërkohë, shpresat për një të ardhme më të ndritshme lidhen me integrimin në BE, ku pritet që standardet dhe praktikat e përbashkëta të sjellin një përparim të qëndrueshëm për komunitetet pakicë.

Diskriminimi pozitiv si shpresë për komunitetin turk

Kryetari i OJQ-së “KOPRU” Husrev Emin tha për Eurothink se zbatimi i diskriminimit pozitiv te shoqëritë ku praktikat e BE-së janë të pakta në numër përbën një shpresë serioze për turqit në vend.

“Si të gjitha komunitetet që jetojnë në vend, komuniteti turk në Maqedoni mbështet anëtarësimin në BE sepse mendon se të drejtat e njeriut, demokracia dhe elementë të tjerë do të jenë në një standard më të mirë. Ne besojmë se me anëtarësimin në BE, të drejtat dhe liritë themelore do të arrihen më mirë, veçanërisht si një komunitet i vogël. Në fakt, qasja e diskriminimit pozitiv ndaj shoqërive ku standardet dhe praktikat e BE-së janë të pakta në numër përbën një shpresë serioze për turqit këtu. Bazuar në besimin se si prosperiteti ekonomik ashtu edhe të drejtat demokratike do të përmirësohen, komuniteti turk dëshiron seriozisht anëtarësimin në BE”, deklaroi Emin.

Ai shtoi se me zgjedhjet e fundit, fakti që dy formacione politike që përfaqësojnë komunitetin turk në Maqedoni morën pjesë në koalicionin e Frontit Evropian tregon se pjesëmarrja e turqve në këtë koalicioni nuk është thjesht një opsion zgjedhor, por ka një potencial afatgjatë që u jep shpresë komunitetit turk.

“Në fund të fundit, në këtë koalicioni janë edhe tre deputetë me origjinë turke që tashmë kanë hyrë si deputetë në parlament. Nga ana tjetër, fakti që për herë të parë në zgjedhje parlamentare që nga pavarësia e Maqedonisë, përmes dy formacioneve politike në këtë koalicion dhe kandidatëve kryesorë në dy rajone zgjedhore, ishin afro 30 kandidatë deputetë me origjinë turke. Por, për shkak të mangësive të modelit zgjedhor, ka penguar mundësinë e fitimit të më shumë deputetëve se numri aktual”, tha Husrev Emin duke përfunduar se nëse në konjukturën aktuale politike nuk do të ketë një situatë të jashtëzakonshme në një afat të shkurtër, mjedisi për turqit maqedonas për të fituar më shumë përfaqësim dhe të drejta politike do të jetë përmes koalicionit të Frontit Evropian.

Roli kritik në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Komiteti i Helsinkit për Eurothink tha se Maqedonia e Veriut si shtet në rrugën drejtë BE-së është i detyruar të respektojë dhe mbrojë komunitetet pakicë në vend.

“Çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian duhet të jetë në përputhje me një sërë rregullash të caktuara (legjislacioni evropian dhe standardet ndërkombëtare), duke përfshirë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Kjo do të thotë se me hyrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, shteti do të jetë i detyruar të respektojë dhe mbrojë të drejtat e të gjitha pakicave”, theksuan ata.

Nga atje njoftuan se Komiteti i Helsinkit do të vazhdojë të monitorojë, regjistrojë, veprojë dhe raportojë për të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.

“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, në përputhje me mandatin e tij për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe harmonizimin e legjislacionit dhe praktikës vendore me atë të Bashkimit Evropian, do të vazhdojë të veprojë si korrigjues ndaj veprimeve të shtetit”, përfunduan nga Komiteti i Helsinkit.

“Romët jashtë Kuvendit”

Partia e re politike e romëve “Avaja”, thanë se për herë të parë në histori të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut nuk ka deputet rom në përbërjen e re parlamentare, duke shtuar se partitë më të mëdha manipuluan elektoratin rom dhe treguan joinkluzivitet.

“Ne besojmë se në këtë mënyrë, partitë më të mëdha politike jo vetëm që dështuan pritjet e elektoratit nga komuniteti etnik rom, por edhe treguan fytyrën e tyre të vërtetë, jo gjithëpërfshirje, të mbyllura, me potencial të dobët gjithëpërfshirës multietnik. Si parti gjatë fushatës kemi aluduar gjatë gjithë kohës se ka pasur një manipulim të madh, ryshfet masiv dhe presion ndaj votuesve romë. Ne presim, në kohën më të shkurtër të mundshme, konsistencë dhe korrigjim politik të kësaj padrejtësie historike ndaj romëve”, thekoi partia “Avaja”.

Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe zgjedhësve të tyre që ndajnë këtë zhgënjim të përbashkët që t’i bashkohen luftës politike për të treguar se vlejnë dhe se çka meritojnë më pas si komunitet.

Nga ana tjetër, mentori i zhvillimit personal në “Projektin e Angazhimit Qytetar-Maqedonia e Veriut”, Enes Bilalli deklaroi për Eurothink se ngjarjet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku nuk ka asnjë përfaqësues rom, bëjnë të qartë nevojën për veprime të mëdha për të siguruar përfshirjen dhe përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve në institucionet vendimmarrëse.

“Ngjarjet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë na rikujtojnë se ka ende shumë punë për t’u bërë në drejtim të përfshirjes së plotë të komuniteteve pakicë në jetën politike të vendit tonë. Kjo situatë na bën të kuptojmë që duhet të punojmë më shumë për të ndërtuar një shoqëri ku çdo qytetar ndjehet i përfaqësuar dhe i vlerësuar”, shtoi Bilalli.

Ai përfundoi duke bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim mes të gjitha komuniteteve. Sipas tij, duke krijuar hapësira për dialog të hapur dhe ndërtuar ura të reja të komunikimit, qytetarët mund të ndihmojnë në shpërndarjen e përvojave dhe nevojave të ndryshme të komuniteteve, duke ndërtuar në këtë mënyrë një shoqëri më të drejtë dhe më të përfshirë për të gjithë.

Roli i drejtpërdrejtë i Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së pakicave kombëtare është ende shumë i kufizuar. BE-ja është mbështetur në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare dhe në një sistem rajonal evropian të së drejtës ndërkombëtare (bazuar në Këshillin e Evropës, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë etj.)

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

                                               

Të fundit