Koalicioni i udhëhequr nga kryeministri aktual bullgar Bojko Borisov, GERB-SDS është forca e parë politike në zgjedhjet nacionale dhe parlamentare evropiane të mbajtura dje. Ky koalicion fitoi 24.63 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare, raporton BGNES.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bullgarisë shpalli rezultatet e përpunuara 93,53 përqind të votave për Kuvendin Kombëtar dhe 93,35 përqind të votave të përpunuara për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Në vend të dytë është Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS) me 15.89 përqind të votave.
Në vendin e tretë është “Vazhdojmë me ndryshimin” i Kiril Petkovit, i cili fitoi 14,81 përqind të votave, i ndjekur nga “Rilindja” me 14,04 përqind të votave.
Partia Socialiste Bullgare fitoi 7,12 përqind të votave dhe “Ka një popull të tillë” mori mbështetjen e 6,1 përqind të votuesve.
Rezultatet janë të ngjashme edhe në zgjedhjet evropiane, ku GERB-SDS mbajti pozitën udhëheqëse me mbështetjen e 23.5 përqind të votave. Në vend të dytë është koalicioni mes “Vazhdojmë ndryshimin” dhe “Bullgarisë Demokratike”, me mbështetjen e 14,91 përqind të votuesve, raporton BGNES.
Këto janë zgjedhjet e gjashta parlamentare në Bullgari në tre vitet e fundit, mes krizës politike që ka përfshirë vendin.
Megjithatë, shanset për të formuar një koalicion qeveritar midis partive fituese tani janë të pakta. Pas votimit të djeshëm, Borisov tha se nuk planifikon të formojë qeveri vetëm me DPS-në, ndërsa njëri nga liderët e “Vazhdojmë me ndryshimin” dhe ish-kryeministri, Kiril Petkov, ka shkruar në Facebook se janë të gatshëm të jenë një opozitë e fortë.
Nëse pas këtyre zgjedhjeve nuk formohet sërish një qeveri e qëndrueshme, kryeministri bullgar Rumen Radev deklaroi se është e mundur të formojë partinë e tij.