E hënë, 28 Prill, 2025

QEVERIA NË “REMONT”, MICKOSKI: KAM 80 DEPUTETË

Me ndryshimet në Ligjin për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, shumica qeverisëse e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të zyrtarizojë pamjen e re të Qeverisë me katër ministri të reja dhe riorganizimin e kompetencave në ato ekzistuese, raporton VOA, përcjell KDP.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski njoftoi se nesër pret që ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë nga kryetarja Gordana Siljanovska – Davkova dhe nuk zbuloi nëse janë siguruar 80 votat e nevojshme dhe shumica e dy të tretave për të kaluar ndryshimet ligjore për transformimin e kabinetit qeveritar.

Mickoski tha se nuk do të jetë gjuetar i deputetëve për të siguruar shumicën dy të tretash dhe se pret mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare, si për këto ndryshime ligjore, ashtu edhe për pakon e ligjeve që do të pasojnë së shpejti.

Qeveria e re do të ketë 20 në vend të 16 ministrive të mëparshme, si dhe tri ministri pa portofol, ndërsa kabineti do të ketë gjithsej 24 anëtarë, duke përfshirë edhe mandatarin Mickoski.

Po prezantohen katër ministri të reja: për energjinë, minierat dhe burimet minerale, për sportin, për dixhitalizimin dhe për administratën. Mickoski pret që ligji të jetë në seancë të premten dhe të votohet më së voni deri të martën.

“Do të filloj me Ministrinë e Ekonomisë së cilës do t’i shtohet segmenti i punës. Një pjesë e kompetencave që kishte Ministria e Ekonomisë deri më tani në fushën e minierave dhe energjetikës do të jenë pjesë e kompetencave të Ministrisë së sapoformuar, e cila është Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale. Ministria e Politikës Sociale dhe e Punës, e cila ishte deri më tani, tani do të jetë Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Agjencia për rininë dhe sportin që ka ekzistuar deri më tani nuk do të ekzistojë dhe do të kemi një ministri të veçantë për sportin. Një pjesë e kompetencave që kishte Ministria e Ekonomisë, veçanërisht në fushën e turizmit, tashmë do të bashkohen në Ministrinë e re, atë të Kulturës dhe Turizmit. Do të kemi një ministri të re për dixhitalizimin që në thelb do të trashëgojë përgjegjësitë e ministrisë së mëparshme për teknologjinë e informacionit dhe administratën. Do të kemi edhe Ministrinë e Administratës”, tha Mickoski.

Hapat e ardhshëm të paralajmëruar nga Mickoski janë ndryshimet ligjore për shfuqizimin e Qeverisë teknike si dhe ndryshimet ligjore për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, të cilët do të shpërndahen dhe do të ketë zgjedhje të reja të anëtarëve.

Të fundit