E shtunë, 27 Korrik, 2024

KRYEDIPLOMATI SHQIPTAR NË BERLIN: TË MOS ZVARRITET PROCESI I ZGJERIMIT

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, ka paralajmëruar për pasojat e ngecjes së negociatave të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit për t’u integruar në BE, – përcjell kdp.mk njoftimin e DW-së.

Gjatë një diskutimi në “Hertie School of Governance”në Berlin, Hasani tha: “Për Shqipërinë nuk ka patur asnjë vendim pozitiv në vitin 2023. Procesi u shty, pavarësisht vlerësimeve pozitive, duke treguar se imperativi gjeopolitik mund të mos jetë aq i qëndrueshëm, sa menduam dhe shpresuam”. Ai paralajmëroi se nëse procesi ngec, atëherë rajoni mund të bëjë hapa prapa. “Nëse nuk vazhdojmë të punojmë, do të humbasim një vit dhe humbja e një viti në jetën e një shoqërie mund të ketë shumë ndikim për të ardhmen e saj,” – tha Hasani.

I pyetur nga moderatori në lidhje me veton greke kundër Shqipërisë për çeljen e kapitullit të parë të negociatave, ai kujtoi se kjo nuk është në frymën e krijimit të Bashkimi Evropian. “Gjithmonë kam menduar se BE u krijua për të lënë pas të gjitha çështjet historike, që kishin mes tyre Franca dhe Gjermania,”- tha Hasani dhe shtoi: “Por tani ka një tendencë të re për të përdorur çështje dypalëshe dhe historike për të bllokuar rrugën e vendeve kandidate. Ne shqiptarët po përballemi me këtë situatë prej një viti. Për një individ, një kandidat për kryetar bashkie që është kapur duke blerë votadhe që tani është në burg,”- tha Hasani, duke vënë në dukje edhe njëherë se çështja Beleri “po trajtohet nga një sistem gjyqësor që është krijuar me vullnetin e lirë të popullit shqiptar, me ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian…nuk ka mundësi ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare apo qeveri të tjera, për shkak pavarësisë së këtij institucioni”.

Ngecja e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE ka të bëjë me Fredi Belerin, i cili është dënuar në Shqipëri për vjedhje votash. Megjithëse doli fitues i zgjedhjeve lokale në bashkësinë e Himarës, ai nuk mundi ta ushtronte detyrën e tij. Pala greke këtë rast e quan shkelje të të drejtave civile, dhe kryeministri aktual grek Kyriakos Mitzotakis e ka vënë Belerin kandidat për Parlamentin Evropian. Gjermania, në të kundërt e ka bërë të qartë se çështja Beleri është dypalëshe, dhe nuk ka vend në procesin e zgjerimit.

I pyetur nga DW për marrëdhëniet greko-shqiptare, megjithatë Hasani i quajti ato ‘të shkëlqyera’:  “Një rast i veçantë nuk mund të bllokojë marrëdhëniet midis dy vendeve shumë të rëndësishme, dy shoqërive shumë të rëndësishme, dy popujve shumë të rëndësishëm,”- argumentoi Hasani./DW/

Të fundit