E premte, 26 Korrik, 2024

NIS SEANCA PËR KONSTITUIMIN E KUVENDIT MAQEDONAS

Për postin e kryetarit të Kuvendit është propozuar Afrim Gashi nga koalicioni i partive shqiptare VLEN, ndërsa ka mbështetjen edhe të VMRO DPMNE-së

Në Maqedoninë e Veriut më 28 maj ka nisur seanca konstituive e përbërjes së njëmbëdhjetë të Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

Në seancën e së martës, përveç verifikimit të mandateve të 120 deputetëve, zgjidhet edhe kryeparlamentari i ri, ndërsa paraprakisht deputetët formojnë Komisionin për zgjedhje dhe emërime, i cili duhet të miratojë kandidaturën e kreut të ri të Kuvendit.

Për postin e kryetarit të Kuvendit është propozuar Afrim Gashi nga koalicioni i partive shqiptare VLEN, ndërsa ka mbështetjen edhe të VMRO DPMNE-së, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternative, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Sipas dispozitave në fuqi, kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.

Afrim Gashi ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.

Sipas Rregullores së re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, seanca konstituive zgjat më së shumti tri ditë dhe përfundon me zgjedhjet e drejtuesit të ri të institucionit ligjvënës.

Ndryshimet pamundësojnë pengimin e punës dhe funksionalitetin e Kuvendit dhe trupave të tij punues, siç ndodhi në vitin 2017 kur pati edhe trazira të përgjakshme brenda sallës pas hyrjes brenda të ithtarëve të VMRO DPMNE-së që kundërshtonin zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit.

Në përbërjen e re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut VMRO-DPMNE ka siguruar 58 deputetë, Fronti Evropian që udhëhiqet nga BDI-ja, 18 deputetë, aq sa edhe Lidhja Social Demokrate, ndërsa koalicioni VLEN 14. Nga gjashtë deputetë kanë lëvizja ZNAM dhe partia E Majta.

Partitë që përbëjnë Frontin Evropian të udhëhequr nga BDI-ja vlerësojnë se shumica e re parlamentare mes VMRO DPMNE-së dhe koalicionit VLEN, nuk pasqyron realitetin etnik pasi “përfaqësues legjitim i shqiptarëve është Fronti Evropian”, sipas drejtuesve të tij.

Një nga deputetët e këtij koalicioni, Elmi Aziri ka thënë se “shkelja e legjitimitetit të shqiptarëve do të shkaktoj krizë të thellë politike në Maqedoninë e Veriut”.

Por, nga koalicioni VLEN pretendojnë të kundërtën duke thënë se “në zgjedhjet e 8 majit VLEN ka marrë vota të pastra shqiptare për dallim nga Fronti Evropian që në përbërjen e tij ka edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut”.

Pas konstituimit të Kuvendit, në afat prej dhjetë ditëve presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova pritet të dekretojë kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN, thonë se tashmë kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por marrëveshja nuk do të bëhet e ditur pa mbylljen e bisedimeve edhe me lëvizjen ZNAM, një parti që pritet gjithashtu të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.

Bazuar në paralajmërimet e VMRO DPMNE-së, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor./Radio Evropa e Lirë

Të fundit