E shtunë, 27 Korrik, 2024

RMV, RIVOTOHET NË SHTATË VENDVOTIME

Në Maqedoninë e Veriut më 22 maj po rivotohet në shtatë vendvotime, në njësinë zgjedhore 5 në qendrat e votimit me numrat 1194 dhe 1202 në Krushevë, 1272 në Ohër, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen, si dhe 1844 në Strugë. Ndërsa, në njësinë zgjedhore 6, rivotimet po zhvillohen në Zhelinë, në qendrën e votimit me numër 2101, njofton KDP.MK. Përsëritja e votimit bëhet për shkak se pas zgjedhjeve të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pranoi ankesat e partive politike për parregullsi në këto vendvotime, me çka anuloi votimin në këto pika.

Në këto vendvotime të drejtë vote kanë 4.513 qytetarë, të cilët që nga ora shtatë e mëngjesit u janë drejtuar kutive të votimit.

Rivotimi mbahet pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative.

Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit.

Ku ka rivotim?

Në njësinë e pestë zgjedhore që përfshin pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut votohet në gjashtë vendvotime në Ohër, Strugë, Krushevë dhe Dollneni.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshin rajonin e Tetovës në pjesën perëndimore të vendit të banuar me shqiptarë, rivotohet në një vendvotim në fshatin Llërc.

Rivotimi mund të ndryshojë raportet mes forcave në Kuvend.

Në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 mandate, Fronti Evropian që drejtohet nga BDI-ja 19, koalicioni VLEN 18 mandate, dhe nga gjashtë mandate partia E Majta dhe Lëvizja ZNAM.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar VMRO DPMNE-në, LSDM-në dhe koalicionin VLEN për “rivotim të kurdisur” me qëllim të, siç ka thënë, marrjes së dy mandateve në këto dy njësi zgjedhore.

Çfarë mund të ndodhë pas rivotimit të sotëm?

Me rivotimin e sotëm, mund të ketë ndryshim në numrin e mandateve në zonën 5 dhe 6 midis partive pjesëmarrëse në zgjedhje.

VMRO DPMNE-ja që fitoi zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pret që nga rivotimi të marrë edhe një mandat më shumë siç pret edhe koalicioni VLEN.

Maqedonia e Veriut është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen 20 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.

Pas rivotimit më 22 maj, KSHZ-ja pritet t’i certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas çka nisin afatet për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re partisë fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së.

Nga kjo parti presin që Qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor.

Zgjedhjet e 8 majit dhe rezultatet

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut u mbajtën më 8 maj 2024, në të njëjtën kohë me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Kuvendi i ri duhet të konstituohet brenda 20 ditëve pas zgjedhjeve.

VMRO-DPMNE dhe VLEN kanë formuar tashmë grupet e punës dhe po vazhdojnë bisedimet për formimin e Qeverisë. VMRO-DPMNE ka deklaruar se pas përfundimit të negociatave me VLEN, do të hapet mundësia për bisedime me Lëvizjen ZNAM të Maksim Dimitrievskit.

VMRO-DPMNE pret që përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pritet të konstituohet deri më 28 maj, ndërsa Qeveria e re pritet të formohet deri në mes të qershorit.

 

Të fundit