E enjte, 30 Maj, 2024

NË KËRKIM TË UNITETIT – LIBRI “NE” I PRESIDENTIT STEINMEIER

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka shkruar një libër me titullin “Ne”. Me “ne” nënkuptohen gjermanët, që ka kohë që nuk janë të një mendimi. Një përpjekje jo e lehtë për balancim e presidentit gjerman.

Nuk është e zakontë që një president në detyrë të shkruajë një libër. Frank-Walter Steinmeier, president gjerman prej shtatë vitesh, e ka bërë këtë. Ai përmend dy motive që e shtynë të shkruajë këtë libër: Më 23 maj të këtij viti festohet 75 vjetori i shpalljes së kushtetutës gjermane. Dhe më 9 nëntor mbushuen 35 vjet nga rënia paqësore e Murit të Berlinit- një moment për të bërë bilanc dhe për të hedhur vështrimin përpara.

Steinmeier i shqetësuar për shoqërinë gjermane

Por më shumë presidentin gjerman e shqetëson gjendja aktuale e shoqërisë gjermane, madje ai është i alarmuar: Për rritjen e populizimit, për njerëzit e demoralizuar, për dyshimet ndaj demokracisë. Për çështjet e pazgjidhura të migracionit, luftën kundër ndryshimit të klimës, shtetin social.

Libri “Ne” përshkruan një vend në rireformim, që është kapur nga pasiguria dhe rënia e atyre sigurive që ishin të vetëkuptueshme. “Kush nuk gjen dot qetësinë, nuk e ndjen se ka arritur, se është ankoruar diku, por gjithmonë duhet të llogarisë me të papriturën, si shfaqja e një virusi, që paralizon jetën publike apo një luftë që rrezikon të mos kesh më gaz për ngrohje në dimër, ai humb besimin tek më e vetëkuptueshmja.”

Kopertina e librit "Ne", Frank-Walter Steinmeier
Fotografi: Suhrkamp Verlag

A nuk është presidenti më shumë një urëndërtues?

Presidenti federal ka kohë që udhëton nëpër Gjermani, duke e zhvendosur për kohë të shkurtër rezidencën në qytete e rajone të vogla gjermane për të folur drejtpërdrejt me njerëzit, që rrallë janë të një mendimi. Prejk kësaj ndoshta rrjedh edhe përpjekja për të kuptuar atë që është e përbashkët dhe rezulton në një “ne”. Megjithatë dy pyetje mund t’i drejtohen presidentit: A është detyra e tij të marrë një pozicion kaq eksplicit për thyerjet sociale dhe kontradiktat politike aktuale, si në librin e botuar? Apo edhe këtu ai duhej të përpiqej të ndërtonte ura lidhjeje, përtej aktualitetit, mes shtresave të ndryshme të shoqërisë?

Steinmeier vetë ka qenë përfaqësues i Gjermanisë “së vjetër”

Kritikët pyesin: nëse ai flet për piketa të gabuara të së shkuarës dhe gabime, për ndjesinë e këndshme, të pafuqisë nën varësinë nga siguria amerikane dhe gazin e lirë rus, a mund të jetë Steinmeier edhe ai që shkund njerëzit? Kur ai vetë si ministër i Jashtëm ka luajtur një rol të rëndësishëm, që vendi të përkundej për një kohë të gjatë në këtë siguri të gabuar? Nga viti 2005 deri në vitin 2009 dhe nga viti 2013 deri në vitin 2017, ai ishte kryediplomati gjerman. Pra edhe në kohën kur Rusia pushtoi Krimenë duke shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Lidhur me këtë të fundit, Steinmeier mund të thotë, se një pjesë e madhe e politikës gjermane deri në shpërthimin e luftës me Ukrainën i qëndroi besnike dialogut me Rusinë, jo vetëm ai. Tani ai shkruan. “Lufta e radikalizon regjimin arbirtrar të Moskës. Kjo e përfshin shoqërinë ruse, pjesërisht të fanatizuar në një faj të përmasave historike.” A nuk kishte për këtë shenja më parë? Pikërisht për të si ministër i Jashtëm?

Shkatërrime pas raketës ruse në Tshernihiv
Shkatërrime pas raketës ruse në TshernihivFotografi: Ukrainian Emergency Service/AP/picture alliance

Për një shoqëri multietnike dhe plurake

Në shumë momente të librit, shumica e gjermanëve do të ishin dakord me presidentin. Kur ai shkruan, se shoqëria asnjëherë nuk ka qenë homogjene, vazhdimisht kanë ardhur njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme. Tek Gjermania sot bëjnë pjesë “ata që janë lindur brenda rendit tonë politik, po ashtu si ata që kanë ardhur këtu, ndjehen në shtëpinë e tyre, e që janë bërë gjermanë përmes zgjedhjes së nënshtetësisë.”

Por pikërisht në ekstremin e djathtë pohime të tilla refuzohen kategorikisisht. Presidenti iu drejtohet edhe populistëve të djathtë. “Disa mes jush duan të rikthejnë një homogjenitet të tillë madje edhe me dhunë, dhe të përjashtojnë gjermanët që nuk i përshtaten botëkuptimit të tyre. Kundër fantazive të tilla antikushtetuese është kundër shumica e qytetareve dhe qytetarëve.”

Por fakt është që nuk janë vetëm disa të çorientuar që nuk bëjnë pjesë tek koncepti “ne” i presidentit, ata që refuzojnë demokracinë, dhe kanë qëndrim ekstremisht të djathtë, por edhe ata që zhvillojnë dialogjet e tyre në disa platforma digjitale. Steinmeier sheh këtu një problem të rëndësishëm. “Shumë larg janë shtyrë kufijtë e të thënshmes tek e pathënshmja. Në gjuhën politike është futur vrazhdësia që paraqitet si trimëri. Në mënyrë paradoksale në të njëjtën kohë shumë ndjehen të konfirmuar në bindjen, se nuk mund të thuash më mendimin tënd dhe se vihesh në dyshim për çdo fjalë.”

Demonstrata kundër AfD-së dhe për demokracinë në Erfurt, grumbuj njerëzish, dhe parulla "Erfurti me larmi"
Demonstrata kundër AfD-së dhe për demokracinë në ErfurtFotografi: Paul-Philipp Braun/epd-bild/picture alliance

Presidenti gjerman do të mobilizojë kundër këtij grupi shumicën që hesht. Ajo nuk duhet ta humbasë besimin tek politika në vend. “Rëndësi ka që të jemi të qartë, që nuk e kanë fajin politikanë të paaftë apo dashakeq, që Gjermania është në këtë situatë. Asnjë politikan gjerman nuk mund të urdhërojë botën të lëviz sërish si na përshtatet ne.”

Roli i presidentit federal

Pushteti i presidentit federal në Gjermani është i kufizuar, ai vepron përmes fjalës, përmes bashkimit përtej kufijve. Këtë funksion presidenti gjerman e shfrytëzuar në maksimum. Shqetësimi për të ardhmen e Gjermanisë është një gjë. Ajo që mungon është klasifikimi si duhet i Gjermanisë, ende një nga vendet më të pasura të botës, me një shtet funksionues social dhe të së drejtës. Dhe se probleme si ato të Gjermanisë nuk i gjen vetëm në këtë vend. Nganjëherë të krijohet përshtypja se politikani i dikurshëm me pushtet e ka vështirë të durojë që në këto kohë kaq të trazuara nuk mund të ndikojë vërtet me veprim konkret. Por pikërisht roli i rezervuar i kreut të shtetit me funksion përfaqësimi është detyra e tij, edhe kur bota përreth del nga binarët./DW

Të fundit