E enjte, 2 Maj, 2024

SHBA-ja THOTË SE IZRAELI KA SULMUAR IRANIN

Izraeli kreu një sulm me raketa brenda Iranit para agimit të së premtes, raportuan mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë dhe izraelitë. Ndërkaq, nga Irani ka njoftime kontradiktore:  Portali parstoday.ir shkruan se “nuk kishte asnjë sulm të huaj kundër Iranit dhe se mediat amerikane po kryejnë një luftë prokure të informacioneve të rreme” në emër të regjimit izraelit, kurse TV Al Jazzeera i referohet deklaratës së një deputeti të parlamentit iranian sipas të cilit “tentimi dëshpërues” i  Izraelit ishte kryer “me ndihmën e agjentëve lokalë”, por i njëjti kishte dështuar – përcjell kdp.mk.

Zëri i Amerikës njofton se New York Times dhe The Washington Post cituan zyrtarët izraelitë të kenë thënë se Izraeli kreu një sulm ajror në Iran. Zyrtarët amerikanë u cituan nga media të shumta duke e quajtur atë një sulm me raketa.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i tha Zërit të Amerikës se nuk kishte asnjë koment “tani për tani ” mbi raportet e mediave amerikane, rreth një orë pas publikimit të tyre.

Nuk pati po ashtu asnjë koment të menjëhershëm publik nga administrata e presidentit Joe Biden për incidentin në Iran.

Agjencitë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA dhe Fars thanë se mbrojtja ajrore e Republikës Islamike ishte aktivizuar pranë qytetit qendror të Isfahanit. Drejtori i agjencisë hapësinore iraniane tha se forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan disa dronë.

Ndërkohë, Mehdi Toghyani, anëtar i parlamentit iranian nga Isfahani, citohet të ketë thënë se  “tentimi dëshpërues” i  Izraelit u krye “me ndihmën e agjentëve lokalë”, por i njëjti “dështoi dhe i turpëroi ata”, – përcjell kdp.mk njoftimin e TV Al Jazzeera.

Media shtetërore iraniane u ngut të minimizonte incidentin, duke thënë se objektet bërthamore të Isfahanit ishin të sigurta. Ata thanë gjithashtu se operacionet në aeroportin ndërkombëtar Imam Khomeini të Teheranit dhe aeroportin e brendshëm Mehrabad ishin kthyer në normalitet të premten, disa orë pasi fluturimet u pezulluan në një përgjigje të dukshme ndaj sulmit ajror të supozuar izraelit.

Izraeli e kishte paralajmëruar Iranin se do të hakmerrej për një sulm ajror të pashembullt iranian në territorin izraelit të dielën e kaluar. Irani kishte paralajmëruar nga ana tjetër, se çdo sulm hakmarrës izraelit do të përballej me një përgjigje të shpejtë dhe më të ashpër.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore, i kishin kërkuar qeverisë izraelite që të shmangte përshkallëzimin e konfliktit. Zyrtarët amerikanë kishin thënë se nuk kishin ndërmend që forcat amerikane të bashkoheshin në ndonjë veprim hakmarrës izraelit.

Ahmed Fouad Alkhatib, një analist i sigurisë në Lindjen e Mesme, në Këshillin Atlantik, i tha Zërit të Amerikës se administrata e presidentit Biden e kuptonte nevojën e Izraelit për të kryer një sulm hakmarrës.

“Çdo sulm izraelit do të kërkonte përfshirjen, bashkëpunimin, mbështetjen dhe miratimin përfundimtar të SHBA-së, duke hedhur dyshime mbi saktësinë e pretendimeve të administratës Biden se nuk do të përfshihej në një hakmarrje izraelite”, tha analisti Alkhatib,- përcjell kdp.mk njoftimin e Zërit të Amerikës.

Të fundit