E premte, 3 Maj, 2024

VUK DRASHKOVIQ: DYFITORET VIRTUALE TË SERBISË

Dy fitoret kryesore të Serbisë në politikën e jashtme – ndalimi i Kosovës para dyerve të UNESCO-s dhe vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin në Srebrenicë – janë dy fitore virtuale, por në fakt janë dy humbje të mëdha… Marrëdhëniet serbo-shqiptare të errësuara, Marrëveshja e Brukselit në rrezik, gjithçka vlon në Bosnje, për shkak të votimit në UNESCO u ftoh qëndrimi i Serbisë ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë, serbët e Kosovës kanë frikë se ata do të paguajnë patriotizmin antishqiptar në Beograd.

Shkruan: VUK DRASHKOVIQ*

Dy fitoret kryesore të Serbisë në politikën e jashtme – ndalimi i Kosovës para dyerve të UNESCO -s dhe vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin në Srebrenicë – janë dy fitore virtuale, por në fakt janë dy humbje të mëdha.

Serbia nuk mund ta mbrojë sot trashëgiminë e saj në Kosovë, por kishat dhe manastiret serbe nuk guxojnë t’i mbrojnë as shqiptarët, njësia e tyre speciale e policisë komandanti i së cilës është serb.

Ky është thelbi i fushatës “triumfuese” kundër aderimit të Kosovës në UNESCO.

Atëherë, kush do të kujdeset për trashëgiminë serbe? Askush!

Fushata e shtetit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, me çka Kosova do të merrte përsipër detyrimet më të rrepta ndërkombëtare për të mbrojtur trashëgiminë fetare, historike dhe kulturore të secilit në territorin e saj dhe mbi të gjitha trashëgiminë serbe, ishte luftënxitëse, e bazuar në urrejtje, në të pavërteta dhe gjysmë të vërteta.

Shqiptarët e Kosovës janë të “mallkuar”, thotë presidenti i Serbisë.

“Kosova është si ISIS”, thotë shefi i diplomacisë, nënshkrues i Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e gjithanshëm të Serbisë me këtë“ISIS”-in.

Shqiptarët duan të përvetësojnë, të shpallin “vendet e shenjta serbe” shqiptare!

Kjo gënjeshtër ishte në funksion të ndezjes së urrejtjes dhe histerisë antishqiptare.

Përfaqësuesit më të lartë të shtetit e dinin se një gjë e tillë është e pamundur. Ata e dinë gjithashtu se në dokumentin e Ahtisaarit, i cili në Prishtinë është miratuar si themel i Kushtetutës së Kosovës, shkruhet: “Të gjitha kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, e gjithë prona dhe pasuria e tyre janë pronë e patjetërsueshme e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd”!

Në botë u lëshua edhe filmi dokumentar, i vërtet dhe rrënqethës për djegien dhe rrënimin e kishave dhe manastireve serbe në muajin mars të vitit 2004, me mesazhin se shqiptarët e Kosovës janë, si të thuash, gjenetikisht, “shkatërrues të faltoreve serbe”, ndaj ata edhe nuk mund t’i mbrojnë.

Kjo është thënë dhe shkruar, pavarësisht se dhjetëra mijëra shqiptarë, pasardhës të “vojvodëve të famshëm të manastirit”, familjet dhe fiset e të cilëve, për më shumë se katër shekuj, mbrojtën kishat dhe manastiret serbe, duke dhënë edhe jetën për mbrojtje të tyre.

Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, kishat duhet të mbrohen, sepse ato, siç shkruhet në Kanun, “nuk kanë as zjarr, as shpatë”!

Menjëherë pas Luftës së Parë Ballkanike dhe çlirimit të Kosovës, Mbretëria e Serbisë i dekoroi me çmimet e saj më të larta ata vojvodët shqiptarë të manastireve.

Fushata e Serbisë në UNESCO ofendoi pasardhësit e tyre.

Ata mbajnë mend larg dhe përgjithmonë.

Nga bota, por edhe nga Serbia, u fsheh një film tjetër për shkatërrimin dhe djegien e më shumë se 200 xhamive, teqeve dhe medreseve në Kosovë në prill dhe në maj të vitit 1999.

Po të ishte shfaqur edhe ai film, do të dihej se trashëgiminë islame e shkatërroi shteti i Millosheviqit, forcat e tij ushtarake, policore dhe paramilitare dhe se, pesë vjet më vonë, ekstremistët e Kosovës sulmuan barbarisht kishat dhe manastiret serbe.

Është e pandershme të anatemosh vetëm krimin e huaj, e të heshtësh për tëndin.

Janë afër nazizmit pohimet se në Kosovë edhe nuk ka trashëgimi shqiptare, se shqiptarët e atjeshëm janë shpirtërisht sterilë, se të gjitha xhamitë ua kanë ngritur turqit , kurse ata nuk kanë ndërtuar as edhe një çezmë.

Është disfatë e jo fitore e madhe e Serbisë edhe vetoja ruse për rezolutën britanike në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Veto, në fakt, për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, kurse mbi këtë aktvendim nuk ka kurrfarë  vetoje dhe gjykate në këtë botë, se në kasabanë e Srebrenicës është kryer gjenocid mbi boshnjakët-myslimanë, dhe për këtë gjenocid lokal nuk janë përgjegjës as  populli dhe as shteti serb, por vetëm autorët e masakrës, me emër dhe mbiemër!

Duke kërkuar nga Rusia që me veton e saj “të mbrojë popullin serb nga vula gjenocidale”, presidenti i Serbisë, deshi apo jo, e identifikoi gjithë popullin serb me autorët e krimit të madh në Srebrenicë..

Një “mbrojtje” e tillë, dhe jo as Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  e as rezoluta britanike, tërhoqi shenjën e barazisë mes popullit serb dhe një grupi vrasësish.

Në të njëjtën kohë, Serbia u legjitimua si e arratisur nga gjykata dhe drejtësia ndërkombëtare, ndërsa Rusia, për shkak të nxitjes së konfliktit të Serbisë me Perëndimin, mezi priste ta “mbronte” të arratisurën.

Si vetoja ruse për Srebrenicën, ashtu edhe votimi në UNESCO për anëtarësimin e Kosovës, e konfrontuan Serbinë me shumicën dërrmuese të anëtarëve të BE-së, me të gjitha shtetet e fuqishme të Perëndimit, me të gjitha shtetet në fqinjësi të saj.

Kjo është një disfatë dhe një disfatë e madhe për shtetin që është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe jo  për një vend euro-aziatik apo afrikan, dhe që ka ambicien të jetë shtyllë e stabilitetit dhe pajtimit në Ballkanin e brishtë me plagë ende të pashëruara dhe urrejtje të pashuara.

Fitoret, të cilat janë disfata, pengojnë edhe lëvizjet politike strategjikisht më të mira: Marrëveshja e Brukselit, afrimi i Serbisë dhe Shqipërisë, Serbisë dhe BeH, vizitat në Srebrenicë dhe homazhet për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, siç shkruhet në obeliskun e bardhë në varrezën e atjeshme.

Ta imagjinojmë se Serbia e respektoi obligimin nga Marrëveshja e Brukselit, që të mos pengojë integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Dhe se Serbia e mbështeti rezolutën britanike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të bënte si  Gjermania, e cila ishte e para dhe dënoi më ashpër Holokaustin dhe çdo krim të kryer nga nazistët.

Çfarë do të ndodhte?

Serbia do të lartësonte veten para Evropës dhe mbarë botës.

Ajo do të arrinte, vërtet, dy fitore të mëdha.

E kështu?

Marrëdhëniet serbo-shqiptare të errësuara, Marrëveshja e Brukselit në rrezik, gjithçka vlon në Bosnje, për shkak të votimit në UNESCO u ftoh qëndrimi i Serbisë ndaj Malin të Zi dhe Maqedonisë, serbët e Kosovës kanë frikë se ata do të paguajnë patriotizmin antishqiptar në Beograd.

Dehja nga urrejtja shkon aq larg sa, në disa portale të Beogradit, vajtohet edhe për shkak të shfrenimit të përgjakshëm të terroristëve islamikë në Paris.

“Kjo është hakmarrje për UNESCO-n, për mbështetjen e grabitjes së vendeve të shenjta serbe në Kosovë”!

Morbide.

E rrezikshme.

*Autori është shkrimtar dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Malit të Zi. Shkrimi është marrë nga: danas.rs/ Përktheu: KDP

Të fundit