E mërkurë, 1 Maj, 2024

MISHEL: BE-JA DO TË VENDOS SANKSIONE NDAJ PRODHUESVE IRANIANË TË DRONËVE DHE PROJEKTILËVE

Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian mbrëmë kanë pasur debat për gjendjen në Lindjen e Afërt dhe u pajtuan për dënim të sulmit të Iranit ndaj Izraelit dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive iraniane, të lidhura me zhvillimin dhe prodhimin e dronëve dhe projektileve, deklaroi mbrëmë kryetari i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel pas përfundimit të ditës së parë nga Samiti i posaçëm dyditor i Unionit, që mbahet në Bruksel.

“Me këtë dëshirojmë të dërgojmë porosi të qartë. U angazhuam për izolim të Iranit, së bashku me vendet nga rajoni, që ta përkrahim procesin paqesor. Pa dyshim e përkrahim sigurinë e Izraelit dhe së bashku me vendet në rajon do të tentojmë të shmangim eskalim të mëtejshëm të dhunës”, tha Mishel.

Sipas tij, Irani paraqet kërcënim për tërë rajonin, jo vetëm për Izraelin dhe për këtë shkak është shumë me rëndësi që me partnerët rajonalë, BE-ja të sigurojë izolim të tij të plotë.

“Dëshirojmë të bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë civilët. Jeta e çdo civili është e rëndësishme. Kemi bërë thirrje për lirimin e pengjëve, shpalljen urgjente të armëpushimit dhe qasje humanitare deri te njerëzit, të cilëve u nevojitet ndihma në Gazë”, tha kryetari i Këshilit të BE-së, duke shtuar se liderët e kanë riafirmuar edhe përkrahjen për zgjidhje paqesore të konfliktit izraelito-palestinez përmes modelit të dy shteteve.

Në takimin u bë fjalë edhe për ngjarjet në Liban, i cili, siç tha Mishel, ballafaqohet me shumë sfida dhe me numër të madh të refugjatëve nga Siria, dhe u vendos të bisedohet me autoritetet libaneze për mënyrat si BE-ja mund t’i ndihmojë vendit, duke përfshirë edhe forcat e armatosura libaneze.

Lidhur me debatin për partneritet strategjik të BE-së me Turqinë, Mishel tha se liderët e kanë shprehur përcaktimin e tyre për ndërtimin e marrëdhënieve stabile me vendin.

“Dëshirojmë të bashkëpunojmë në bazë të qasjes në faza, proporcionalisht. Në këtë pjesë posaçërisht është e rëndësishme edhe gjendja në Qipro, para së gjithash procesi i KB-së për zgjidhjen e çështjes qipriote”, tha Mishel.

Ai informoi edhe se liderët e BE-së kanë pasur edhe video takim konferencial me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski, i cili ka porositur se Ukrainës urgjentisht i nevojitet mbrojtje kundërajrore dhe municion dhe kërkoi prej tyre që ta bindin SHBA-në t’i dërgojnë ndihmë më të madhe vendit.

Në bisedë u bë fjalë edhe për formulën paqesore ukrainase, në prag të takimit të ardhshëm në qershor në organizim të Zvicrës, ku do të bëhet tentim për koordinim të qëndrimeve të BE-së me partnerët nga bashkësia ndërkombëtare për gjetjen e zgjidhjes paqesore.

“Lidhur me të gjitha këto çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe një herë treguam se jemi unikë”, shtoi Mishel/MIA

Të fundit