E mërkurë, 1 Maj, 2024

KUSHTI I SHQIPTARËVE MUND TË PAMUNDËSOJË FORMIMIN E QEVERISË

Kandidatët për president në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani(44) nga koalicioni “Fronti Europian” (BDI) dhe Arben Taravari(50) nga koalicioni opozitar “VLEN” kanë dhënë deklarata të rëndësishme në lidhje me zgjedhjet që pritet të mbahen më 24 prill – 8 maj, dhe mënyrën se si do të vazhdojnë negociatat me Bashkimin Evropian. Të dy kandidatët kanë riqartësuar se për të filluar bisedimet me BE-në, është e nevojshme të realizohen ndryshimet kushtetuese. Osmani ka shtuar se nuk do të ketë formim qeverie pa miratimin e ndryshimeve kushtetutese, ndërsa Taravari ka theksuar se nëse fiton zgjedhjet presidenciale, do të kërkojë nga partitë triumfuese të shtyjnë përpara procesin eurointegrues. Komentuesit e çështjeve politike për KDP.MK kanë vënë në dukje rëndësinë e qëndrimeve të partive ndaj anëtarësimit në BE, veçanërisht për elektoratin shqiptar. Sipas tyre, është esenciale për partitë shqiptare që t`i sigurojnë votuesit e tyre  se nuk do të kenë bashkëpunime me ato parti të cilat janë kundër anëtarësimit të vendit në BE: Ato e dinë shumë mirë që elektorati shqiptar, thuajse pa përjashtim, ashtu siç ishte për NATO-n, është edhe për BE-në“.

Shkruan: ENIS SHAQIRI

“Koalicioni VLEN nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, e cila nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese”, – kështu kishte deklaruar kohë më parë Arben Taravari, kandidat  presidencial i këtij koalicioni. Ai thoshte se ndryshimet kushtetuese do të jenë parakusht nga opozita shqiptare dhe se e njëjta vlen edhe për të gjitha partitë shqiptare.

Arben Taravari, kandidat për president nga koalicioni opozitar “VLEN”. Fotografia e marrë nga profili i tij zyrtar në facebook

“Ne si VLEN e kemi parakusht, jo kusht për t’u bërë pjesë e Qeverisë vetëm nëse Maqedonia e Veriut e vazhdon rrugën evropiane, pa atë nuk jemi të interesuar. Dikush tjetër në qoftë se është i interesuar le të vazhdojë. Në parim ne kemi një marrëveshje “xhentëlmeni” me të gjitha partitë politike më të mëdha, se nuk bëhemi pjesë e një Qeverie që nuk i bën ndryshimet kushtetuese, respektivisht nuk e vazhdon rrugën evropiane”,- kishte deklaruar Taravari.

Por, tashmë duket se ka ndodhur një ndryshim: Në intervistën e fundit dhënë për Radion Evropa e Lirë, kandidati Taravari është shprehur se nëse fiton zgjedhjet presidenciale do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të jap garanci se vendi nuk do të ketë kushte të tjera për të vazhduar rrugën evropiane, dhe e dyta, “partia triumfuese të shtyj përpara procesin e ndryshimeve kushtetuese“.

Nëse i fitoj zgjedhjet, gjëja e parë që do të bëja do të ishte të shkoja në Bruksel dhe të kërkoja nga politikanët evropianë që të na japin garanci se Maqedonia nuk do të ketë kushte të tjera për të vazhduar rrugën evropiane. E dyta, kush do të jetë mandatari i ardhshëm, do ta thërrisja sepse duhet t’i jepet mandati për të formuar qeverinë, do t’i kërkoja të më jepte një dinamikë për ndryshimet kushtetuese që t’i nisim sa më shpejtë, që të mos përsëritet  Bukureshti i vitit 2008“, – ka deklaruar Taravari, për REL-in.

Në anën tjetër, kundërkandidati i tij, Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Europian” ka theksuar nevojën për një marrëveshje për ndryshimet kushtetuese përpara formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Osmani është shprehur i prerë se “nuk do të ketë Qeveri pa marrëveshje për ndryshimet kushtetuese”.

Bujar Osmani, kandidat presidencial nga koalicioni “Fronti Europian”

Është një deklaratë e qartë e të gjitha partive politike që konsiderojnë se Bashkimi Evropian është alternativa e vetme për ne. Pra, do të përdoren të gjitha opsionet, nga mundësia e formimit të një qeverie kombëtare deri tek ajo e shpëtimit“, – ka deklaruar Osmani, për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, të dy kandidatët, kanë ritheksuar se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian.

Tashmë është qëndrim i Bashkimit Evropian dhe i Komisionit Evropian që Maqedonia për të filluar negociatat, duhet të bëj ndryshime kushtetuese. Dhe ky është një fakt i padiskutueshëm“, – është shprehur Taravari.

Nuk ka alternativë. Prandaj nuk i marr seriozisht këto përpjekje për të fituar pikë politike në këtë temë. Nga kjo nuk varet vetëm e ardhmja e Maqedonisë së Veriut, por edhe e ardhmja e Ballkanit dhe siguria e Evropës varen nga procesi i integrimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor“, – është shprehur Osmani.

Ivanov: Elektorati shqiptar është për BE-në, ashtu siç ishte për NATO-n

Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike, Zoran Ivanov, gjatë një bisede për KDP.MK, thotë se deklaratat e kandidatëve, gjatë fushatave parazgjedhore nuk duhet të merren si “të mirëqena”, por ai shton se “është shumë e rëndësishme për partitë shqiptare që t`i sigurojnë votuesit e tyre  se nuk do të ketë bashkëpunime me ato parti të cilat janë kundër anëtarësimit të vendit në BE”. Ivanov argumenton se kjo vlen për shkak se elektorati shqiptar, në përgjithësi, ka qëndrim të njëjtë ndaj anëtarësimit të RMV-së në BE, ashtu siç ka pasur edhe për anëtarësimin në NATO.

Ai thotë se për Bujar Osmanin, fakti që Maqedonia e Veriut nuk i miratoi ndryshimet kushtetuese dhe nuk i filloi negociatat me Bashkimin Evropian, është një disfatë politike në mandatin e tij ministror, pavarësisht faktit se siç thotë, Osmani “bëri çmos që ndryshimet kushtetutese të kalojnë“.

Ndërkaq, për Arben Taravarin, Ivanov shprehet se ka bërë disa deklarata, sa për të “shëtitur” votuesit e tij.

Zoran Ivanov, analist politik

Qëndrimi i tij fillestar, i ashpër se nuk do të ketë kolacionime me asnjë parti që menjëherë pas zgjedhjeve nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese si kusht i të ashtuquajturës kornizë franceze, si duket është zbutur. Në një intervistë të fundit për MIA-n, por edhe në disa paraqitje në fushatë, si ai, ashtu edhe ata të VLEN-it, me sa duket për të kënaqur partnerin e ardhshëm të koalicionit, VMRO-DPMNE-në, tani e përcaktojnë qëndrimin për në BE me “rezervë”, – shprehet Ivanov.

A ka “marrëveshje xhentëlmenësh mes VLEN-it dhe BDI-së”?

Kujtojmë se Taravari, në përballjen e parë televizive në TV21, me Bujar Osmanin, është shprehur se koalicioni VLEN dhe BDI-ja nuk hyjnë me një Qeveri që nuk i bën ndryshimet kushtetuese.

Me siguri zotëri Ahmeti ju ka treguar. Ne kemi një marrëveshje xhentëlmenësh. VLEN-i dhe BDI-ja nuk hyjnë me një Qeveri që nuk i bën ndryshimet kushtetuese”, është shprehur Taravari.

Ndërsa për gazetarin Ivanov, këto lloje marrëveshjesh “nuk pijnë ujë”, pasi thotë se kemi të bëjmë me parti politike ku prioritet e kanë pushtetin dhe jo opozitën.

Mirëpo, duket se vazhdimi i fushatës, pas duelit, mbase për shkak të mesazheve të VMRO-DPMNE-së në adresë të VLEN-it, po edhe të Frontit Evropian, ka bërë që këto mesazhe edhe të zbuten:

Mesazh për opozitën shqiptare – duam të bëjmë koalicion me ju, por edhe të respektohemi si miq, si bashkëqytetarë, edhe maqedonasit, edhe shqiptarët. Një mesazh për BDI-në: edhe opozita është e mirë për zhvillimin e një partie për të bërë vlerësim për vete për gabimet e bëra”, – ka thënë lideri i opozitës maqedonase, Mickoski.

Përtej këtyre dallimeve evidente, një gjë mbetet e paqartë: A ka “marrëveshje xhentëlmenësh mes VLEN-it dhe BDI-së”,  sikurse tha Taravari publikisht.

Burime të KDP-së konfirmojnë se kjo pjesërisht është e vërtetë: Sipas tyre, ka një dokument të emërtuar jo si “marrëveshje”, por si Deklaratë dhe e njëjta është firmosur gati-gati nga të gjitha partitë shqiptare, por veç e veç. Po ashtu, burimet tona flasin se me përmbajtjen e saj janë të njohura edhe disa nga përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shkup. Çështja është se sa do të respektohet ajo – pas epilogut të zgjedhjeve! Për të qenë më skeptik, nuk është se qysh tash nuk vërehen tone disonante!

Kujtojmë se ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë me Preambulën, përkatësisht përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues që është kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, bazuar në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.

Të fundit