E hënë, 29 Prill, 2024

ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS HALË NË SYTË E BEOGRADIT

Prishtina dhe Beogradi zyrtar edhe këtë javë kanë vazhduar akuzat e ndërsjella, në distancë, kësaj radhe për shkak të aplikimit të Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, – përcjell kdp.mk.    

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që “është jashtëzakonisht e egër”.

Sipas MPJD-së, këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim të plotë të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.

Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Megjithatë, së fundi autoritetet serbe kanë formuar një ekip, ku marrin pjesë institucionet shtetërore, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.

“Shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, tha MJPD-ja përmes një njoftimi për media.

MPJD-ja ka njoftuar se kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti, gjenden në Strasburg, ku më 16 prill, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës do të votohet për aplikimin e Kosovës në Këshill.

Gërvalla dhe Ahmeti do të zhvillojnë “takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, tha MPJD-ja.

Analiza se si Kosova mund t’i marrë nesër 2/3 e votave për ta bërë edhe një hap drejt anëtarësimit në KiE

Më 27 mars, në Komitetin për Politikë dhe Demokraci u votua raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që thoshte se Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate. Pas kësaj, raporti duhet të debatohet dhe votohet në Asamblenë Parlamentare, ndërkaq nëse aty kalohet, çështja shkon në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës që mblidhet në maj, i cili jep fjalën përfundimtare. MPJD-ja tha se në Asamblenë e Përgjithshme kërkohen 2/3 e votave që çështja t’i rekomandohet Këshillit Ministror.

“Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror. Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti”, u tha në njoftim.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar për televizionin public serb (RTS)se në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës pritet të kalojë votimi për raportin për Kosovën. Megjithatë, ai tha se “beteja kryesore” me gjasë do të jetë në maj, gjatë takimit të Këshillit të Ministrave. Duke kritikuar qëndrimin e Evropës se anëtarësimi i Kosovës është gjë “normale”,  Vuçiq ka akuzuar Kosovën pse po zvarrit 11 vjet formimin e të ashtuquajturës bashkësi e komunave me shumicë serbe të popullsisë:

“Tani kanë shpikur edhe një truk të ri dhe unë dua t’i njoftoj qytetarët për të. Më 10 maj do të thonë se janë duke e dërguar aktin (statutin për Asociacioni) e evropianëve në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë për të gjetur një arsye të mjaftueshme që të thonë se është iniciuar një proces për Asociacionin, por në fakt asgjë nuk është iniciuar. Pastaj do të na thonë se kjo është arsyeja që të votohet për Kosovën në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiq.

Javën e kaluar, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, bërë të ditur se Kosova tashmë ka siguruar dy të tretat e votave.

Rrjedhimisht, Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Të fundit