E premte, 26 Korrik, 2024

PUSHTETI PËRBALLË AUTORITARIZMIT

Nga Ben Andoni

Pushtetarët dhe përcaktimi autoritarizëm është gjithnjë e më i hapur në hapësirën politike gjeografike evropiane. Por, neve, na intereson hapësira jonë dhe për fat të keq, Ballkani shikon gjithnjë e më shumë elementë autoritaristë në personazhet politike, që drejtojnë vendet tona. E gjen këtë karakter tek kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, respektivisht Rama dhe Kurti; e kishte të spikatur Gruevski në Maqedoninë e Veriut; Gjukanoviq në Malin e Zi sillej si i plotfuqishëm edhe pse i tillë ishte; nuk ‘flitet’ më për autoritarizmin e Vuçiq në Serbi, sepse ai, sot, është kthyer në makth për të gjithë BE-në dhe më gjerë, për Bosnjën është e frikshme ajo që po bën separatisti Dodik dhe lista vazhdon edhe më tej. Por, pse vallë nuk bën aq përshtypje?! Ngatërrimi i termave i bën vetë pushtetarët të rrëshqasin në argumente pushteti dhe drejtësie autoriteti. Në literaturë, në fushat e sociologjisë dhe shkencave politike, autoriteti është fuqia legjitime e një personi ose grupi mbi njerëzit e tjerë. Kjo e ka një justifikim: ata dinë të fitojnë, kurdoherë. Kurti fitoi dy herë rresht në Kosovë dhe madje po i sfidon me cinizëm opozitarët e vet t’u bashkohet në mocionin e zgjedhjeve të parakohshme; Rama thotë se do të rri në pushtet dhe do të iki kur të dojë vetë; Orban sfidon hapur dhe fiton ‘normalisht’ zgjedhjet në Hungari; Vuçiq nuk u trand edhe këtë herë që u çua e gjithë Serbia kundër tij…

Ku është demokracia e shekullit XXI dhe pse mekanizmat e saj nuk i ndalojnë dot pushtetarët, që kalcifikohen në drejtim? Pse po bëhen kaq shumë? Teoria nuk na ndihmon, por na jep një mal me terma, që njerëzit i kanë provuar ndër shekuj si pushtete mbi vete. Të kundërtat e Demokracisë janë Tirania, Despotizmi, Diktatura, Absolutizmi, Autokracia, Totalitarizmi dhe Autoritarizmi. Dy termat e fundit janë krijuar në kohët moderne, Diktatura është përcaktim romak, Tirania dhe Despotizmi janë përcaktime që vinë nga kultura e madhe greke e kështu me radhë. Në këtë shkrim, neve na intereson Autoritarizmi, i cili konsiderohet identifikim i legjitimitetit politik, sipas të cilit drejtuesi ushtron pushtetin e qeverisë, kurse fuqia e pushtetit identifikon aftësinë për një qëllim të autorizuar me të gjitha mënyrat për ekzekutimin e pushtetit. Në këtë rast, mënyra sesi veprojnë pushtetarët tanë është e pakrahasueshme. Pakkush e dinte planin Rama-Meloni, paçka se tashmë është i mbrojtur nga kalimi në të gjithë instrumentet e shtetit. Pakkush dinte për planin e Sazanit. Pakkush dinte apo di sot nga njerëzit e tij për lëvizjet që bën apo do të bëjë në partinë e tij, kryeministri shqiptar. Pezulli që mbretëronte në mbledhjet e asambleve socialiste, ku njerëzit e PS-së merrnin vesh shkarkimin apo emërimin e tyre janë disa nga këto ndjesi. “Por, nuk ka as edhe një njeri të vetëm, që të përballë aftësinë e tij të spikatur në komunikim (!!!)”, thoshte me emfazë sekretari i përgjithshëm i PS-së. Ku e shihni autokracinë? Është gati si një refren tashmë mes ithtarësh të kryeministrit shqiptar. “Fakti që një shtet gëzon legjitimitet demokratik nuk është në vetvete arsye e mjaftueshme për të përjashtuar ushtrimin prej tij të një pushteti absolut”, u citojmë Giovanni Sartorin, një nga studiuesit më të njohur të demokracisë. Dhe, rasti i Shqipërisë këtë e tregon hapur, sepse të gjithë pushtetet varen prej kryeministrit. Në fakt, një atribut, që nuk është se e ka marrë vetëm falë dobësisë së demokracisë dhe marrjes pak e nga pak të gjithë pushteteve, por edhe falë blatimit, që i dha në momentin e saj më të keq (2008), dikur maxhoranca (sot opozita e shpartalluar në Shqipëri) e PD-së me zotin Berisha, që sot po vuan pjesën e mbetur në pushtetin e tij autoritar.

Duhet të kemi kujdes, ose të mbajnë në vëmendje atë që Sartori e cilëson ndryshim që vjen nga prapashtesa e termave. Nuk është njësoj Autoriteti me Autoritarizmin. Kjo e fundit vërtetë vjen nga fjala Autoritet dhe dikur lidhej me Fashizmin dhe Nazizmin, por ishte pikërisht disfata e tyre, që e bëri Autoritarizmin të konsiderohej si i kundërt i lirisë së demokracisë. Me Autoritarizëm, sot dhe më shumë, ne kuptojmë abuzimin dhe mbi të gjitha teprimin me autoritetin që shtyp lirinë. Shikoni gjuhën e përdorur nga politikanët, kur janë në pushtet për të kuptuar sesi është shndërruar në konceptet moderne Autoritarizmi. Veç Ramës, kjo gjuhë tashmë është familjare edhe për ministrat e tij. Për romakët, nga ku rrjedh ky term, teoricienët e lidhin si term me dinjitetin. Dhe, koncepti i dinjitetit, ai që po shkatërrohet në shoqëritë tona të sotme, lidhet me idenë e meritës dhe respektin e sjellë prej saj, shtjellon në një analizë të tij Sartori. Me pak fjalë, “autoriteti”, si do të donin dhe ëndërrojnë njerëzit, është ai që lidhet me “një pushtet të pranuar, të respektuar, të njohur dhe legjitim”, referuar një studimi terminologjik të vitit 1955 prej UNESCO-s.

Të fundit