E mërkurë, 1 Maj, 2024

POROSIA AMERIKANE PËR ZGJEDHJET NË MAQEDONINË E VERIUT: ÇKA I PRET KËRCËNUESIT E “PRESPËS”?

SHBA pret që Maqedonia e Veriut të ruajë frymën e Marrëveshjes së Prespës dhe diskursi publik të bazohet në fakte, tha Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës në maqedonisht, përcjell KDP.

Para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare në vend, mediat në Greqi shkruajnë se Athina po ndjek me vëmendje deklaratat politike lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe përdorimin e emrit Maqedoni në fushatën elektorale të disa kandidatëve.

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës, ne presim që Maqedonia e Veriut ta ruajë këtë frymë dhe diskursi publik të mbetet i bazuar në fakte dhe i rrënjosur në një përkushtim për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në BE,” iu përgjigj një zëdhënës i Departamentit të Shtetit pyetjes nëse SHBA-të janë të shqetësuara për cenimin e mundshëm të Marrëveshjes së Prespës.

Në vitin 2021, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nënshkroi një urdhër ekzekutiv, i cili parashikonte ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të personave që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

“Ata që janë përgjegjës ose janë të përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në një shkelje ose në një akt që pengon ose kërcënon zbatimin e çdo marrëveshjeje rajonale të sigurisë, paqes ose bashkëpunimit, ose marrëveshjes kuadër në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Marrëveshjen e Prespës së vitit 2018 dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit e vitit 2001”, thuhet në urdhrin ekzekutiv të Bidenit.

Më pas Departamenti i Shtetit sqaroi se urdhri ekzekutiv nuk vlen vetëm për personat në vendet e Ballkanit Perëndimor që kërcënojnë Marrëveshjen e Prespës, por edhe në vende të tjera.

Kjo erdhi si përgjigje e pyetjes së Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase, nëse administrata e Bidenit planifikon t’i shtrijë sanksionet edhe Greqisë, e cila është nënshkruese e Marrëveshjes së Prespës.

“Urdhri Ekzekutiv 14033 autorizon sanksione kundër atyre që minojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kudo që të jenë, me kusht që të përmbushin kriteret përkatëse të shënjestrimit”.

SHBA theksoi se inkurajon diskutime dhe debate të fuqishme midis qytetarëve globalisht dhe në Ballkanin Perëndimor dhe se qëllimi i urdhrit ekzekutiv nuk është të pengojë individët privatë të shprehin mendimet e tyre.

“Urdhri ekzekutiv trajton veprimet që minojnë proceset demokratike, përpjekjet për të shkelur, penguar ose kërcënuar zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të paqes, përfshirje në abuzime serioze të të drejtave të njeriut ose korrupsion, ndër aktivitete të tjera,” tha Departamenti i Shtetit në atë kohë.

Pas urdhrit ekzekutiv të Bidenit, partia opozitare VMRO-DPMNE përmes një komunikate me shkrim tha se nuk ka marrë pjesë në negociatat dhe nxjerrjen e Marrëveshjes së Prespës në Kuvend dhe se është në kundërshtim me interesat kombëtare maqedonase.

Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj përmenden në fushatën elektorale të opozitës para zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 24 prill dhe në raundin e dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Zëri i Amerikës kërkoi një koment edhe nga qeveria e Greqisë. Parlamenti grek ende nuk ka ratifikuar memorandumet në lidhje me Marrëveshjen e Prespës.

Të fundit