Raportimet e fundit kanë sugjeruar se një seri e mistershme e sëmundjeve nga të cilat ka vuajtur stafi diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është rezultat i “armëve sonike” të përdorura nga një njësi e fshehtë e inteligjencës ruse.
Nëse pretendimet e tilla janë të sakta, ato armë do të ishin më të fundit në vargun e gjatë të pajisjeve të paimagjinueshme të dizajnuara nga Moska dhe nga Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës (CIA) për të vrarë, plagosur ose monitoruar kundërshtarët.
Dr. Andrew Hammond, një historian dhe kurator në Muzeun Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se dyshimi për përdorimin e armëve energjetike të drejtuara ndaj amerikanëve të vendosur jashtë vendit, u shfaq fillimisht gjatë Luftës së Ftohtë.
“Ne kemi dëshmi historike që kjo çështje është diskutuar në të kaluarën në nivelin më të lartë”, tha ai.
Në vitin 1967, Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Rusk, ngriti dyshime se Ambasada e SHBA-së në Moskë po shënjestrohej me një “sinjal elektromagnetik”.
Rrezja e energjisë më vonë u bë e njohur si “sinjali i Moskës” dhe përfundimisht u vendosën veshje kundër rrezatimit në dritaret e ambasadës.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së më vonë përsëriti rrezen e energjisë dhe e testoi atë te majmunët. U hartuan plane për të testuar pajisjen laserike në subjekte njerëzore që nuk ishin të informuara për këtë para se projekti të anulohej.
Hammond thotë se është e pamundur të dihet se si do të dukej një pajisje moderne më e fuqishme se instrumenti i kohës së Luftës së Ftohtë.
“Në thelb, ne nuk e dimë atë që nuk dimë”, tha ai. “Nëse do të dinim se çfarë ishin, do të ishim në gjendje të kuptonim efektin që mund të kenë ose nuk mund të kenë, sa të fuqishme janë, se sa do të kushtonin për t’u prodhuar, etj. Për momentin jemi në errësirë”.
Pajisjet e mëposhtme dihet se janë përdorur ose zhvilluar për t’u përdorur nga spiunët gjatë Luftës së Ftohtë.