E shtunë, 4 Maj, 2024

SALI BERISHA NUK ËSHTË HALLI I EDI RAMËS. SALI BERISHA ËSHTË TROFEU I EDI RAMËS!

Nga Martin Leka

Sali Berisha është halli i Edi Ramës, ka thënë kryetari i Rithemelimit para pak ditësh dhe për të disatën herë. Në ligjëratën e tij të gjatë në mitingun e organizuar nga opozita, tashmë të bërë si një kasetë magnetofoni e vjetër me shirit që përsëritet e përsëritet në cdo fjalim, ai i tha e çfarë nuk i tha “hallit të vet”.

Se është shtatorja e gjallë, pasardhës i bllokmenëve.

Se ka përqëndruar të gjithë pushtetet në duart e tij.

Se do një Shqipëri pa opozitë.

Se vjedh qytetarët shqiptarë e vret shpresën e tyre.

Se gjatë sundimit të tij 10 vjeçar, 1 milion shqiptarë u larguan.

Se na grabiti vulën.

Se me ndaloi emrin në fletën e votimit.

Se na mohoi financat.

Se na mohoi komisionerët në qendrat e votimit.

Se narkoqeveria, i fryn zjarrit të përçarjes dhe konfliktit midis nesh.

Se kreu genocid në Shqipëri…

Nuk po ndalemi më gjatë në guidën e akuzave të kreut të Rithemelimit, pasi ky është manual i njohur.

Berisha dhe Rama janë dy personazhet politikë më jetëgjatë në këto më shumë se tre dekada. Ndryshojnë në sasi e cilësi përkatësisht. I pari ka qenë kryetar i partisë së parë opozitare që prej Dhjetorit 1990, më pas deputet, President, Kryeministër. Rama vjen disa vite më pas, si ministër kulture e më pas Kryetar i Bashkisë së kryeqytetit e në vijim Kryeministër për 3 mandate radhazi (pa përfshirë të katërtin që me gjasë s’ka kush t’ia marrë).

Po a është Sali Berisha, siç thotë, halli i Edi Ramës?

Pa hyrë thëllë në analiza e specifika, gjithë jeta politike e Berishës, që nga koha kur ishte sekretar i organizatës së PPSH e deri më sot, nuk të lë hapësirë për të patur ekuivok. Sali Berisha është mishërimi i delirit për pushtet. Ngjarjet që ndodhën gjatë presidencës së tij gjer tek rrokullima e ’97, tregojnë për dashurinë e tij për karriken e pushtetin, duke e kthyer atë një një autokrat apo diktator të vockël.

Gjendja në të cilën ndodhet opozita sot është si mos më keq. Shkaku e përgjegjësi kryesor është pikërisht Sali Berisha. Po të kthehemi në retrospektivë, kjo shihet qartë dhe është fakt. Shpallja “non grata” e tij nga SHBA e më pas nga Mbretëria e Bashkuar e trazuan folenë ku mendohej se do të vegjetonte i qetë ish lideri historik i PD. U desh vetëm një akt politik i Lulzim Bashës që Sali Berisha të hedhë në erë “furrikun” e vet dhe të mësyjë ndaj krijesave të tij politike, pasardhësve të vet e kushdo tjetër në përkrahje të tij. Lufta për marrjen e selisë së PD ishte kulmi i mjerimit të demokratëve.

Situata e sotme e Partisë së Rithemelimit dhe në përgjithësi e demokratëve dhe jo vetëm, është më keq se ç’duket. Politika e lidershipit pa busull dhe militantë e votues të ç’orientuar. Me Berishën të izoluar dhe me fjalimet majë ballkonit që më shumë u ngjasojnë ligjërimeve të një avokati mbrojtës se sa një lideri politik, demokratët duken të tromaksur dhe pa udhëheqje. Ta lidhësh opozitën e opozitarizmin në fatin e Gaz Bardhit është si të hapësh kotecin e pulave kur i ke lënë pa ushqyer me ditë të tëra. Nga shkon njëra s’shkon tjetra.

Vula, selia, emri, Lul Basha, non grata janë halli i vërtetë i demokratëve. Vulën Basha. Selinë Berisha. Emrin Luli. Non gratën Saliu. Kjo e fundit është edhe ngërçi apo çelësi të cilin e ka vetëm ai, Saliu. Nuk besoj se ka precedent tjetër në rajon apo Evropë ku fatet e zgjedhjeve i vendos partia me lider një të sanksionuar nga SHBA. Në një situatë të tillë, opozitës nuk i vlen as shprehja “shpresa vdes e fundit”. Sepse e fundit vdiç e para, që kur “non grata” nuk e lëshon istikamin e kryetarit.

Kjo panoramë e shkurtër politike zgjidh edhe rebusin e pyetjes nëse Sali Berisha është halli i Edi Ramës. Qeveria e Edi Ramës ka bërë punë, por dhe zullume. Mund të kishte rënë disa herë po të kishte përballë një opozitë me lidership tjetër e normal. Por nuk bie. Edhe pse bën edhe zullume, edhe ndonjë punë. Madje do përmirësojë rekordin e vet, duke marrë dhe mandatin e katërt qeverisës.

Sepse Sali Berisha nuk është “halli”, por “trofeu” i Edi Ramës!

Të fundit