E shtunë, 4 Maj, 2024

BE-JA JEP DRITË JESHILE PËR 6 MILIARDË EURO PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Parlamenti Evropian nënvizon se, përmes kësaj ndihme, u respektua angazhimi për adaptimin me qasjen e BE-së të njohur si “së pari, parimet themelore -fondamentals first”.

Shkruan: Erisa Zykaj, Bruksel

Bashkimi Evropian (BE) jep një shtysë të fortë për konvergjencën ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Unionin. Presidenca e Këshillit të BE-së dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për krijimin e një instrumenti për reformat dhe rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Ky instrument është pjesa qendrore e planit të rritjes ekonomie për Ballkanin Perëndimor të paraqitur nga Komisioni Evropian në nëntor 2023, që mbulon periudhën nga 2024 deri në 2027. Pritshmëria që ofron ky instrument ka të bëjë, së pari, me ofrimin deri në 2 miliardë euro grante dhe, së dyti, me 4 miliardë euro kredi për Ballkanin Perëndimor.

Ky instrument plotëson atë ekzistues për asistencën e para-anëtarësimit (IPA III), duke rritur ndjeshëm ndihmën financiare për partnerët në rajon. Kjo ndihmë financiare lidhet me ndërmarrjen e reformave të lidhura me procesin e integrimit në BE lidhur me forcimin e shtetit ligjor, stimulimin e konvergjencës së tyre ekonomike me BE-në bazuar në agjendat ambicioze të reformave, forcimin e transparencës dhe monitorimit. Pritet gjithashtu, që kjo ndihmë të kontribuojë në promovimin e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së me synimin për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Në këtë kuadër, Parlamenti Evropian nënvizon se, përmes kësaj ndihme, u respektua angazhimi për adaptimin me qasjen e BE-së të njohur si “së pari, parimet themelore -fondamentals first”. Kjo qasje lidh reformat në fushën e sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e  të drejtave themelore  me dy fushat e tjera thelbësore të procesit të anëtarësimit: qeverisjen ekonomike, si dhe forcimin e institucioneve demokratike e reformën e administratës publike. Parlamenti Evropian vë në pah se përmes mbështetjes së kësaj ndihme financiare për Ballkanin Perëndimor rritet edhe përafrimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe gjithashtu forcohet procesi i konsultimit me parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shoqërinë civile.

Sipas Parlamentit Evropian, ky instrument i ri fokusohet edhe në një mbikëqyrje dhe transparencë më të fortë parlamentare. Ai synon krijimin e një kuadri që lidh mbështetjen financiare me tregues të qartë progresi. Në një komunikatë për shtyp të Parlamentit Evropian thuhet se një tabelë e dedikuar e rezultateve do të gjurmojë dhe do të shfaqë publikisht progresin e agjendave të reformës së instrumentit për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë dokumentet kryesore, kushtet e pagesës dhe marrësit e fondeve.

“Një dialog i rregullt i nivelit të lartë me Komisionin Evropian do të intensifikojë rolin e Parlamentit Evropian në monitorimin dhe shqyrtimin e progresit të këtij instrumenti për të siguruar që financimi të përputhet me qëllimet e BE-së, si demokracia, stabiliteti ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal. Të dhënat e përditësuara për përfituesit përfundimtarë që marrin fonde mbi 50.000 euro në mënyrë kumulative gjatë periudhës katërvjeçare për zbatimin e reformave dhe investimeve në kuadër të këtij fondi duhet të vihen në dispozicion në një faqe interneti nga vendet përfituese përkatëse”, thuhet në komunikatën e Parlamenti Evropian.

Marrëveshja e përkohshme tani do të duhet të kalojë etapën përfundimtare nga Këshilli dhe Parlamenti drejt arritjes së miratimit zyrtar nga të dy institucionet pas rishikimit ligjor dhe gjuhësor.

Ursula von der Leyen: Zgjerimi – prioritet kyç gjeostrategjik

Për Komisionin Europian, aprovimi i këtij instrumenti përbën një ofertë të paprecedentë për Ballkanin Perëndimor për të marrë përfitimet e anëtarësimit në BE paraprakisht. Komisioni Europian thekson se instrumenti do të ofrojë ndihmë financiare të shtuar në këmbim të reformave socio-ekonomike dhe themelore të përcaktuara në agjendat ambicioze të reformës që përgatiten nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas aprovimit të këtij instrumenti, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është shprehur: “Zgjerimi është një prioritet kyç gjeostrategjik. Ne duam t’a afrojmë Ballkanin Perëndimor sa më pranë dhe sa më shpejt me Bashkimin Europian. Instrumenti prej 6 miliardë eurosh për të cilin është rënë dakord është një hap kyç në këtë drejtim. Kombinimi i rritjes së ndihmës financiare me reformat do të përshpejtojë përparimin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre në BE përpara anëtarësimit, do të nxisë konvergjencën e tyre ekonomike dhe do t’i integrojë më mirë në tregun tonë të brendshëm” .

Komisioni Europian thekson, se të paktën gjysma e zarfit të përgjithshëm ( 6 mmiliardë) do të ndahet përmes kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke mbështetur investimet në infrastrukturë dhe ndërlidhje, përfshirë transportin, energjinë, tranzicionin e gjelbër dhe dixhital. Sipas Komisionit, pjesa e mbetur do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare.

*Nga sot Erisa Zykaj do të jetë bashkëpunëtore e rregullt e KDP-së nga Brukseli

Të fundit