E shtunë, 27 Korrik, 2024

IZRAELI BLLOKON TRANSMETIMET E TELEVIZIONIT “AL JAZEERA’

Parlamenti izraelit miratoi të hënën një ligj që i lejon qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu të bllokojë transmetimet e televizionit “Al Jazeera” në Izrael, përcjell KDP.MK, njoftimin e DW.

Ligji i lejon kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Kabinetit të Sigurisë të ndalojë për 45 ditë veprimtarinë e gazetarëve dhe të bllokojë sinjalin dhe transmetimet e televizionit shtetëror të Katarit Al Jazeera në Izrael. Ky ndalim mund të ripërtërihet dhe do të jetë në fuqi deri në fund të korrikut, ose deri në fund të operacioneve të mëdha ushtarake në Rripin e Gazës.

Gazetarët, të afërmit dhe miqtë luten mbi trupin e gazetarit të TV palestinez Mohamed Abu Hatab dhe njëmbëdhjetë anëtarëve të familjes një ditë pasi u vranë kur shtëpia e tyre u godit nga bombardimet izraelite të Khan Yunis, në Rripin jugor të Gazës, më 3 nëntor 2023. mes betejave të vazhdueshme midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas. (Foto nga Mahmud HAMS / AFP) (Foto nga MAHMUD HAMS/AFP nëpërmjet Getty Images)

Ministri i Komunikimit, Shlomo Karai, akuzoi Al Jazeera-n për inkurajim të armiqësive kundër Izraelit. “Është e pamundur të tolerohet një media, me kredenciale shtypi nga zyra e shtypit e qeverisë dhe me zyra në Izrael, që të veprojë nga brenda kundër nesh, sigurisht në kohë lufte”, tha ai.

Sipas ligjit qeveria mund të urdhërojë mbylljen e një televizioni, konfiskimin e pajisjeve, heqjen e kanalit nga ofruesit kabllorë dhe satelitorë dhe bllokimin e faqes së tij të internetit, njoftoi faqja izraelite e lajmeve Ynet.

Kritika nga organizatat e mediave

Organizata për lirinë e shtypit “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve” (Committee to Protect Journalists, CJS) deklaroi se është tejet e shqetësuar lidhur me planet e Izraelit për të bllokuar në Izrael sinjalin dhe transmetimet e televizionit shtetëror të Katarit Al Jazeera.

Drejtori i programit të CPJ-së, Carlos Martinez de la Serna, tha  se “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është thellësisht i shqetësuar lidhur me legjislacioni i ri që i jep qeverisë autoritetin për të mbyllur Al Jazeerën në Izrael.”

Martinez de la Serna shtoi se “Ligji i jep qeverisë fuqinë për të mbyllur çdo media të huaj që vepron në Izrael, gjë që paraqet një kërcënim të rëndësishëm për mediat ndërkombëtare brenda vendit. Ky hap kontribuon për një klimë vetëcensure dhe armiqësie ndaj shtypit, një prirje e cila është përshkallëzuar që kur filloi lufta Izrael-Gaza”.

Al Jazeera proteston ndaj vendimit

Al Jazeera, e quajti vendimin izraelit një “përshkallëzim” që “vjen si pjesë e një serie sulmesh sistematike nga Izraeli për ta bërë Al Jazeera të heshtë.”

Al Jazeera, i hodhi poshtë akuzat se ka dëmtuar sigurinë e Izraelit duke i quajtuar ato “gënjeshtra të rrezikshme dhe qesharake” që vënë në rrezik gazetarët.

Al Jazeera i ka kritikuar ashpër operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë. Fotografi: Ahmad Gharabli/AFP/Getty Images

Al Jazeera, e cila raporton 24 orë në ditë gjatë gjithë luftës, i ka kritikuar ashpër operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë. Al Jazeera tha se autoritetet izraelite kanë vënë në shënjestër dhe vrarë qëllimisht disa nga gazetarët e saj, ndër ta edhe Samer Abu Daqa dhe Hamza AlDahdoh, të dy të vrarë në Gazë gjatë konfliktit. Izraeli thotë se nuk vë në shënjestër gazetarët.

Marrë nga: DW

 

Të fundit