E diel, 23 Qershor, 2024

KIEVI THOTË SE RUSIA KREU SULME GJATË NATËS ME DRONË DHE RAKETA

Gjatë natës, ushtria ruse ka kryer sulme me 12 dronë Shahed – të prodhimit iranian – mbi Ukrainë, thanë Forcat Ajrore dhe Ushtria ukrainase më 30 mars.

“Armiku goditi territorin e rajonit të Donjeckut me katër sisteme raketore S-300 dhe S-400, dhe me dronë sulmoi rajone të tjera”, përfshirë Krimenë, thanë autoritetet ushtarake ukrainase.

“Forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan nëntë nga 12 dronët e armikut. Po ashtu, njësitë ushtarake në rajonet e Hersonit, Odesës, Dnipropetrovskit dhe Potlavës u përfshin në aktivitete për zmbrapsjen e sulmeve”, u shtua në njoftim.

Ushtria ruse vazhdimisht sulmon rajonin e Dnipropetrovskit dhe rajonet e tjera ukrainase duke përdorur lloje të ndryshme të armëve, përfshirë dronë e raketa.

Pavarësisht dëshmive të shumta, Moska mohon se sulmon caqet civile në pushtimin e Ukrainës që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

Ushtria ukrainase tha se forcat ruse “në mënyrë aktive” po tentojnë të avancojnë në vijën e frontit, teksa ditën e kaluar në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut janë zhvilluar 72 beteja.

Ukraina është detyruar që të ndjekë një strategji mbrojtëse në vijat e frontit në muajt e fundit, pasi Kievi po përballet me mungesë të furnizimeve me municion, për shkak të vonesave për miratimin e një pakete të ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.

Të fundit